Shkalla e papunësisë në Kosovë 27.2%

Papunësia në Kosovë vazhdon të jetë problemi më i madh i qytetarëve. Sipas statistikave më të fundit nga ASK-ja del se vetëm në tremujorin e fundit të këtij viti, shkalla e papunësisë në vend ka shkuar në 27.2%, me një përqindje më të theksuar si zakonisht te gjinia femërore.

Shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore, për tremujorin e dytë 2020 ishte 24.1%, ndërsa punësimi me i lartë ishte te meshkujt 36.2%,dhe te femrat 12.1%, ka bërë të ditur Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Në këtë raport për tremujorin e dytë 2020, thuhet se femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor, me 57.4 % të tyre, ndërsa meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e tregtisë, ndërtimtarisë dhe prodhimit, me 42.3%.

Reklama e sponzorizuar

E sektorët ekonomikë, që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë: tregtia me 18.7%; arsimi me 11.0%, prodhimi me 10.8%, si dhe ndërtimtaria me 8.7%. Ndërsa, sektorët e tjerë marrin pjesë me përqindje më të vogël në punësim.

Sa i përket të të punësuarve me kontrata, del se 42.9% e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme, në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 57.1% kanë kontratë të përkohshme.

Sipas rezultateve të anketës së fuqisë punëtore, në tremujorin e dytë 2020, shkalla e papunësisë ishte 27.2%, ku më e theksuar ishte te femrat me 31.4%, krahasuar me meshkujt, që ishte 25.7%. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grup-moshat 15-24 vjeçare, me 54.1%.

Sipas rezultateve të anketës së fuqisë punëtore, në tremujorin e dytë 2020, fuqia joaktive ishte mjaft e lartë, me 66.8%, me fokus të veçantë te femrat me 82.4 %, krahasuar me meshkujt, 51.2%.

Ndryshe, për realizimin e anketës së fuqisë punëtore për tremujorin e dytë 2020, metodologjia dhe standardet e aplikuara nga ana e ASK-së janë të harmonizuara me rekomandimet e Eurostatit. /Buletini Ekonomik/