Rruga Tiranë-Elbasan, arbitrazhi akordon 45 milionë dollarë në dëm të shtetit shqiptar

45 milionë dollarë është shuma që shteti shqiptar do të duhet t’i paguajë kompanisë greke Aktor dhe asaj kuvajtiane Copri për shkeljen e kontratës për ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan. Ky është vendimi i formës së prerë i tribunalit të arbitrazhit të Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë, që mban datën 1 shtator 2020.

Çështja u regjistrua fillimisht më 15 tetor 2018 mbi pretendimin e palëve ndaj Autoritetit Rrugor Shqiptar për kostot shtesë të krijuara gjatë punimeve për lotin 1 dhe lotin 3 të rrugës.

Vendimi i arbitrazhit duket se nuk do të apelohet më tej nga ana e shtetit shqiptar, nisur nga dokumentet e zbardhura nga gjykata, por edhe në bazë të deklaratës së Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, të bërë më 7 shtator 2020, që ia ngarkonte fajin ish-partnerëve në qeverisje të LSI, duke pranuar faturën financiare.

Reklama e sponzorizuar

Vendimi i fundit i arbitrazhit vërteton dhe njëherë se ndryshimet e njëpasnjëshme në këtë projekt, sipas oreksit të ministrave dhe drejtorëve që ndërroheshin dhe i përkisnin LSI, të ndjekur penalisht për shkeljet e kryera, do pasoheshin me faturë financiare për shqiptarët.

Por, edhe pse ky detyrim i formës së prerë ishte i njohur nga qeveria që në shtator, ajo ka zgjedhur që mos ta emërtojë si zë të veçantë në buxhet, duke e përfshirë pagesën në Fondin Rezervë, së bashku me vendimet e tjera të gjykatave ndërkombëtare.