Dëmi 300-milionësh

Marrëveshja e Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe BE-së ka hyrë në fuqi në vitin 2016. Reduktimi tarifor që ajo parasheh për mallrat që kanë origjinë vendet e BE-së ka bërë që Dogana të mos arkëtojë rreth 224 milionë euro prej atëherë. E, në mungesë performance në zbatimin e MSA-së, shteti ka humbur edhe 43.4 milionë euro në vitin 2018 dhe rrezikon t’i humbë sivjet edhe 22 milionë euro të tjera

Prishtinë, 7 janar – Buxheti i shtetit është duke pësuar humbje të dyfishtë gjatë procesit të zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Në vitin e shkuar, 68 milionë euro ka qenë shuma që në Doganë nuk është arkëtuar si pasojë e uljes progresive të tarifës që MSA-ja e parasheh për mallrat e importuara nga vendet e Bashkimit Evropian.

Marrëveshja ka hyrë në fuqi në prill të vitit 2016 dhe reduktimi tarifor ka bërë që prej atëherë Dogana të mos arkëtojë rreth 224 milionë euro: Në vitin e parë, efekti nga ulja e tarifës ishte 16.5 milionë euro, e në të dytin 31.7. Në vitin 2018, efekti negativ mbërriti në 43.5, ndërsa në 2019-n shkoi në 64 milionë euro.

Në Doganë tregojnë se pas tre vjetësh, kur tërësisht do të hiqen tarifat, efekti do të jetë shumë më i lartë. Por, humbjen e këtillë synojnë ta zbusin me vjeljen e taksave të tjera nga rritja e shkëmbimit tregtar me vendet e BE-së. Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganës së Kosovës, e ka shprehur këtë synim.

Reklama e sponzorizuar

“Ne presim që deri në aplikimin e plotë të MSA-së në vitin 2024, kur të gjitha grupet e produkteve të cilave u reduktohet tarifa, impakti të mbërrijë diku kah 90-100 milionë euro brenda një viti. Por, ne besojmë që pas kësaj kohe rritet edhe qarkullimi tregtar me vendet e Unionit Evropian”, thotë Stavileci. “Mund të themi që në dy vjetët e fundit, 2019 dhe 2020, ne kemi parë shumë rritje të qarkullimit tregtar me shtetet e Unionit Evropian, sidomos me shtetet të cilat kanë aderuar së fundmi”.

Reduktimi progresiv tarifor ndër vite ka ndodhur, por paralelisht kësaj Kosova nuk e ka zbatuar MSA-në konform dinamikës së paraparë.

Për pasojë, krahas humbjes së më shumë se 224 milionë eurove në kufi, Kosova ka humbur në gusht të vitit 2018 edhe 43.4 milionë euro nga Instrumenti i Para-Anëtarësimit (IPA II), për shkak të performancës së dobët në zbatimin e reformave.

Demush Shasha, drejtor ekzekutiv i Institutit EPIK, alarmon se mund të humben edhe një pjesë prej 22-milionëshit të zotuar si mbështetje direkte.

“Në vitin 2017, Kosova dhe BE-ja kanë nënshkruar marrëveshjen për mbështetje të drejtpërdrejtë buxhetore në reformën e administratës publike. Në kuadër të marrëveshjes, Kosova është dakorduar për zbatimin e një numri reformash në administratën publike, ndërsa BE-ja është zotuar të shpërblejë Kosovën në rastin e ndërmarrjes së këtyre reformave me 22 milionë EURO mbështetje direkte buxhetore”, thotë Shasha. “Tani, për shkak të moszbatimit të reformave të parapara, rrezikohet humbja e një pjese të këtyre mjeteve”. Ngathtësia në zbatimin e MSA-së i kushton Kosovës edhe në aspektin politik.

“Sa i përket kostos politike, Kosova ka marrë për obligim t’i zbatojë reformat e parapara me MSA, në mënyrë që të avancojë drejt hapit të radhës në procesin integrues – statusit kandidat. Mungesa e rezultateve në kuadër të zbatimit të MSA-së nuk do ta lejojë aplikimin e suksesshëm për statusin kandidat”, thotë Shasha. “Kështu, Kosova mbetet i vetmi vend në rajon i cili nuk ka arritur të aplikojë për statusin kandidat”.

Instituti EPIK ka monitoruar vazhdimisht zbatimin e MSA-së. Mbështetur në gjetjet e këtij instituti, Kosova vazhdon të tregojë përkushtim të ultë politik për zbatimin e reformave që rrjedhin nga agjenda integruese, gjë që konfirmohet edhe nga të dhënat mbi implementimin e Programit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së.

Në bazë të raporteve zyrtare të institucioneve, në vitin 2018 programi kishte 532 masa – nga të cilat institucionet arritën të përmbushin 362 masa, apo 68 për qind të programit; në vitin 2019 programi kishte 401 masa – nga të cilat institucionet arritën të përmbushin 204 masa, apo 51 për qind të programit; ndërsa në vitin 2020 programi kishte 194 masa – nga të cilat institucionet arritën të përmbushin vetëm 20 për qind për periudhën korrik-shtator 2020, ndërsa ende mungojnë të dhënat zyrtare për tërë vitin.

“Pra, përkundër nivelit historikisht më të ulët të masave të parapara në vitin 2020 (gjithsej 194), Kosova është në rrugë për të shënuar nivelin më të ulët të zbatimit të MSA-së në vitin 2020”, thotë Demush Shasha.

Raporti i fundit i BE-së për Kosovën konfirmoi se Kosova është në shkelje të MSA-së në kapitullin e ndihmës shtetërore, pasi që ka dështuar të përgatisë një regjistër të ndihmës shtetërore dhe ta përafrojë atë me rregullat e BE-së; Kosova është në shkelje të MSA-së në kapitullin e doganave, pasi që ka dështuar t’i mbyllë terminalet private doganore; Kosova është në rrugë të sigurt që deri më 1 prill 2021 t’i shkelë edhe detyrimet përkitazi me sigurimin e mbrojtjes së pronësisë intelektuale dhe industriale, pasi që nuk ka arritur të sigurojë mbrojtje të barabartë të pronësisë intelektuale dhe industriale me mbrojtjen që sigurohet brenda BE-së.