Inspektorati i Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës ka bastisur sot shtëpinë e shëndetit në Shtërpcë, që funksionon ilegalisht, sipas sistemit shëndetësor të Serbisë.
Mediat serbe në Kosovë raportojnë se inspektorati i MSH-së ka bastisur shtëpinë e shëndetit në kërkim të vaksinave anti-COVID, që Serbia edhe më herët ka sjell ilegalisht në Kosovë për të vaksinuar serbët.
Kjo është konfirmuar edhe nga Ministria e Shëndetësisë e Kosovës.
“Nën dyshimin për futje ilegale te vaksinave anti-COVID, Inspektorati Farmaceutik i ka asistuar Policisë së Kosovës në inspektimin e QKMF-së në Shtërpcë. Gjate inspektimit të detajuar nuk janë gjetur vaksina të tilla”, ka thënë zëdhënësi i MSH-së, Faik Hoti.
Ndërkohë, për rastin është deklaruar edhe zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.
“Nuk ekziston arsye administrative e politike që mund të arsyetohet sjellja johumane e Prishtinës, sidomos nëse merret parasysh se kjo nuk është hera e parë që tenton të ndalojë mbrojtjen me kohë të serbëve në Kosovë”, thuhet në deklaratën e kësaj zyre.
Sipas kësaj zyre, institucionet e Kosovës nuk do të mund të ndalojnë vaksinimin e serbëve.
“Serbia po vaksinon masivisht qytetarët e saj kundër COVID-19 dhe të drejt në vaksinim kanë edhe serbët që jetojnë në Kosovë”, thuhet në deklaratë.
Në fakt, Serbia qysh më 24 dhjetor kishte sjell disa dhjetëra doza të vaksinave anti-COVID në veri të Kosovës, gjë që kishte shkaktuar reagim të institucioneve të Kosovës. Më pas, Serbia udhëzoi serbët të shkojnë deri në Rashkë, në kufi me Kosovën, për të marrë vaksinat.