Qeveria e Kosovës ka ndarë 1 milion euro për kompensimin e dëmeve nga vërshimet të cilat ndodhen javën e parë të janarit.
Sipas një njoftimi për media ky vendim është marrë në mbledhjen e sotme të Qeverisë.
“Për këtë qëllim janë ndarë 1 milion euro që do të përdoren për kompensimin e dëmeve të shkaktuara në objektet e banimit si pasojë e vërshimeve të javës së parë të janarit 2021. Ministria e Pushtetit Lokal do të caktojë kriteret për kompensim dhe do të themelojë komision ndërministror për verifikim, vlerësim dhe koordinim të procesit të ndarjes së mjeteve nëpër komuna. Sipas vendimit, dëmet në infrastrukturë do të mbulohen nga buxhetet komunale ndërsa dëmet në bujqësi do të kompensohen nga buxhetet komunale dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu Qveria pas shqyrtimit të Udhëzimit Administrativ për Menaxhimin e Mbeturinave të Rrezikshme, të njëjtin e ka miratuar.
“Ky Udhëzim Administrativ ka për qëllim përcaktimin e rregullave të grumbullimit, ndarjes në lloje, magazinimin, transportimin, trajtimin, deponimin dhe paketimin e mbeturinave të rrezikshme. Udhëzimi përcakton edhe kushtet që duhet t’i plotësojnë objektet për menaxhim të mbeturinave të rrezikshme, ndërmarrjen e masave të mbrojtjes së punëtorëve që menaxhojnë mbeturina të rrezikshme si dhe parandalimin e përdorimit të substancave të rrezikshme dhe krijimit të mbeturinave të rrezikshme”, thuhet në komunikatën e dërguar.