Procesi i likuidimit të kompanisë “Insig” ka nxjerrë në pah të dhëna shqetësuese për numrin e mijëra qytetarëve që janë dëmtuar financiarisht nga falimentimi i kësaj kompanie. Në total 7.4 milionë euro janë detyrimet e “Insig”-ut ndaj policëmbajtësve dhe të aksidentuarve në Kosovë.
Mirjeta Shabani
Kompania e sigurimit “Insig” ishte keqmenaxhuar për vite me radhë, duke lënë kështu prapa vetes një mal me borxhe ndaj qytetarëve. Në total 7.4 milionë euro janë detyrimet e “Insig”-ut ndaj tyre, së cilës më 2019 edhe iu vu dryni nga rregullatori i saj, pra nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK). Ajo ia revokoi licencën kompanisë në fjalë dhe e dërgoi në likudim të detyrueshëm.
Kjo kompani shkoi në falimentim për shkak se e njëjta kishte pasur vështirësi financiare në përmbushjen e kërkesave ligjore të BQK-së, për sa i përket mjaftueshmërisë së kapitalit dhe aftësisë paguese – Solvencës.
Pas kësaj “Insig” ishte futur menjëherë në procedurë të likuidimit.
Likuidimi si proces tregu parashihet me Ligjin nr. 05/L-045 për Sigurimet, dhe është veprimi i fundit që e ndërmerr BQK-ja për mbylljen e një subjekti në treg. Para likuidimit, BQK-ja së pari e merr nën administrim kompaninë që ka probleme, por nëse gjendja nuk arrin të përmirësohet, atëherë kompania shkon në likuidim dhe në mbyllje totale. Gjë që kishte ndodhur edhe me kompaninë e sigurimeve INSIG.
Në momentin e falimentimit, rreth 36 mijë qytetarë kishin polica aktive në “Insig”, me një vlerë monetare prej 1.5 milionë euro. Ndërsa numri i dëmeve të patrajtuara që janë kryesisht nëpër gjykata është 2 mijë e 585 sosh me një vlerë monetare prej 6.6 milionë euro.
Komisioni që do ta likuidojë kompaninë, në një analizë që kishte bërë më 2020, rreth aftësisë së kompanisë për t’ju përgjigjur të gjitha kërkesave të palëve, ka gjetur se “Insig”-u nuk ka mjete likuide të mjaftueshme për pagesë. Nga analiza ka rezultuar se koeficienti i pagesës është në masën 81.14 për qind. Kjo do të thotë që policëmbajtësit dhe të aksidentuarit, do të kompensohen gati për 20 për qind më pak.
Nezir Lokaj, që është përcaktuar si likuidator i kësaj kompanie, ka thënë për Buletinin Ekonomik se ata si likuidator janë duke u munduar që shumicën e proceseve me të lehta t’i kryejnë me marrëveshje jashtëgjyqësore, pasi rregullorja me ligj nuk ua lejon të merren njëherë me pagesat më të ulëta para atyre që janë me prioritet më të lartë.
“Ne si zyre e likuidimit jemi në proces duke kryer punën tonë dhe në zbatim të ligjshmërisë. Janë marrë të gjitha masat ligjore për shpejtimin e procesit të likuidimit por nuk varet krejt nga ne sepse shumica e kërkesave ligjore sidomos atyre për dëme janë përmes përfaqësuesve ligjor dhe ne jemi në pritje për arritje të marrëveshjeve jashtëgjyqësore, sepse edhe me ligj dhe rregullore është e përcaktuar prioriteti i pagesave që nuk mund të kalohet në prioritetin e radhës pa u kryer pagesa me prioritet më të lartë”, thotë Lokaj.
Lokaj ka konfirmuar me këtë rast se të gjitha Policat e sigurimit (Kontratat e sigurimeve) të detyrueshme (M TPL) dhe atyre Vullnetare iu është vazhduar afati edhe për 30 ditë konform Ligjit për Marëdhënie Detyrimore, Neni 944, paragrafi 2, që sipas Lokajt do të thotë se këto polica kanë qenë valide vetëm deri më datë 26/05/2019. Kurse nga data 27/05/2019 janë ndërprerë të gjitha policat. Por te kontratat e sigurimit vullnetar, ai thotë se pjesa e primit të pa shfrytëzuar (UPR) nga qytetarët për këtë periudhë, iu është rikthyer klientëve.
Lokaj po ashtu thotë se portofolio e sigurimeve të detyrueshme për polica aktive përmes marrëveshjes së arritur në mes të Likuidatorit, që është vet ai, dhe drejtorit ekzekutiv të BKS-së, Blerim Pushkollit, tanimë është transferuar në Byronë Kosovare të Sigurimit (BKS), si sigurues pranues të riskut të të gjitha kompanive të sigurimit në vend.
“Numri i dëmeve në fillim të procesit ka qenë 2,585 praktika me vlerë 6,029,743.16 euro. Deri tani janë paguar 1,507 praktika me vlerë 3,574,782.56 euro. Mbeten në proces për pagesë 1,078 praktika me vlerë 2,454,961.10 euro”, kishte thënë Lokaj në një përgjigje të mëhershmë për Buletinin Ekonomik.
Likuidatori Lokaj tha se kompania në momentin e falimentimit dhe revokimit të licencës nga ana e BQK-së, nuk kishte mjete të mjaftushme likuide për t’ju përgjigjur të gjitha kërkesave, dhe ka qenë insolvente, sipas termave bankar.
Detyrimet e Insig-ut kanë qenë më të mëdha se Asetet e kompanisë përgjatë një periudhe kohore, dhe kështu kompania kishte pasur vështirësi financiare në përmbushjen e kërkesave ligjore për sa i përket mjaftueshmërisë së kapitalit dhe aftësisë paguese (solvencës), thotë tutje Lokaj, ndonëse sipas tij nga ana e BQK-së janë lëshuar vendime në kuptim të përmirësimit të gjendjes financiare dhe përmbushjes së kërkesave ligjore dhe rregullative.
“Të gjitha kërkesat e ushtruara tek zyra e likuidatorit brenda afateve të përcaktuara me Ligj nga komisioni i likuidimit janë shqyrtuar dhe trajtuar konform nenit 107 të këtij Ligji, dhe në respekt të prioritetit të pagesës së tyre dhe deri tani kërkesat ligjore të papaguara të prioritetit 2.3 janë arritur marrëveshje jashtëgjyqësore dhe janë paguar në masën prej 65% dhe jemi në proces për pjesën e mbetur”, shpjegon Lokaj.
Ndërkohë, sipas raportit të 2020-s nga ky likuidator, pasi të jetë bërë shitja e pasurisë së siguruesit, likuidatori i paraqet një raport përmbledhës BQK-së, i cili duhet të përfshijë bilancin e gjendjes, pasqyrën e të ardhurave dhe shpenzimeve, si dhe burimet e të ardhurave që janë përdorur gjatë procesit të likuidimit.
“Raporti gjithashtu duhet të përmbaj të dhëna për kërkesat e paguara dhe kërkesat e papaguara nëse ekzistojnë. Raporti nga ky paragraf duhet të mbahet në dosjen e siguruesit të likuiduar në BQK. Pas miratimit nga BQK-ja të raportit sipas paragrafit 1 të këtij neni, BQK-ja dhe likuidatori lirohen nga çfarëdo përgjegjësie tjetër në lidhje me likuidimin e siguruesit”, kishte shpjeguar Lokaj më në detaje procedurën e një likuidimi.
Ajo që nuk dihet ende është se a do të përgjigjet aksionari ndaj kërkesave të palëve.
Ndryshe, sipas Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), kompania “Insig” është në pronësi të “Eurosig” nga Shqipëria, me pronar Kadri Morinaj.
“Eurosig” në vitin 2016 i kishte blerë 100 për qind të aksionëve të “Insig”, e cila ishte po ashtu e pranishme në Kosovë derisa iu revokua licenca.
“Gjatë vitit 2016, kompania e sigurimeve “Insig“ me seli në Tiranë ka shitur 100 për qind të aksioneve të zotëruara nga shteti, duke ndryshuar pronësinë e aksioneve të cilat tani zotërohen ne masën 100 për qind nga shoqëria e sigurimeve “Eurosig “ sh.a me seli në Tiranë, me pronar Kadri Morinaj”, thuhet në ueb faqen zyrtare të “Eurosig”-ut. /Buletini Ekonomik/