Ditëve të fundit, Rugova është ballafaquar me kushte tejet të rënduara atmosferike të cilat kanë ndikuar edhe në furnizimin me energji elektrike për konsumatorët e asaj ane. Kjo pasi rrjeti energjetik në gjatësi prej 89km i cili furnizon atë pjesë kalon thuajse komplet nëpër Bjeshkët e Nemuna.
Ndërhyrja në raste të avarisë në rrjet atje është mjaft sfiduese sidomos gjatë dimrit, duke pas parasysh terrenin malor e të thepisur, ku dendësia e borës arrin deri në 1m. Kjo vështirëson tejë mase intervenimin pasi ekipet tona nuk mund të depërtojnë me makineri deri tek prishja, por duhet në këmbë të inspektojnë tërë gjatësinë e linjës dhe të bartin materialet fizikisht. Kështu, edhe sanimi i prishjeve merr më shumë kohë sesa në vendet ku linjat janë të casshme lehtësisht.
Përkundër vështirësive të terrenit dhe dimrit të ashpër, KEDS ka dërguar dhjetëra ekipe nga e gjithë Kosova për ta sanuar sa më shpejtë secilën prishje që është paraqitur atje. Furnizimi është bërë me vështirësi, por asnjë konsumator nuk ka mbetur pa energji për 40 ditë rresht, sic pretendohet në media.
Rrjeti i trashëguar në Rugovë ndër vite është mirëmbajtur, përforcuar dhe riparuar. Madje, në vitet e para të operimit, KEDS menjëherë ka bërë rehabilitimin e të gjitha trafove, sikurse ka shtuar numrin e tyre aty ku ka pasë nevojë.
Fundvitin e kaluar, duke e parë situatën e vështirë të operimit, KEDS së bashku me Komunën e Pejës bashkuan forcat që të ndërtojnë linjën komplet të re të Tensionit të Mesëm, e cila në pjesën më të madhe do të jetë nëntokësore. Kostoja e këtij investimi kap vlerën e mbi 2 milionë eurove.
Ajo ka nisur të ndërtohet në fund të vitit të kaluar dhe sivjet parashihet të kryhet një pjesë e konsiderueshme e saj.
Me përfundimin e këtij investimi, pritet që faktorët e jashtëm, si kushtet atmosferike apo ato të terrenit të kenë ndikim minimal apo të mos ndikojnë fare.
Ky është fakt i besueshëm, kur kihet parasysh fakti që aty ku ka investuar KEDS, nuk ka më problem me rrjetin elektrik. E kjo ka ndodhur në qindra lokalitete të Kosovës, duke përfshirë qindra mijë konsumatorë.