Mërgata e Kosovës pavarësisht pandemisë COVID-19, ka vazhduar të dërgoj para në drejtim të vendit tonë.
Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovë tregojnë se gjatë 2020-së, diaspora ka dërguar 125.8 milionë euro më shumë sesa viti 2019, shkruan Telegrafi.
Për vitin 2020, në vendin tonë u sollën 977.3 milionë euro, kurse një vit më herët kjo vlerë ishte 851.5 milionë euro.
Duke krahasuar këtë vit aktual me atë të 2019-së, del se mërgata në drejtim të Kosovës ka dërguar 125.8 milionë euro më shumë.
Vlera më e lartë brenda vitit 2020 e dërguar në drejtim të Kosovës ishte e muajit maj me 104 milionë euro, ndërsa më pak u dërguan në muajin prill, 60.3 milionë euro.
Për sa i përket dërgesave të mërgatës sipas vendeve, Gjermania është shteti ku më së shumti dërgohen para në drejtim të Kosovës.
Në tremujorin e tretë të vitit 2020, del se nga Gjermania kanë ardhur 40.8 për qind e dërgesave, ndjekur nga Zvicra me 24.4 për qind dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 6.2 për qind.
Për këtë periudhë, rritja e remitencave është për 18.1 për qind më e madhe se në vitin paraprak.
“Vetёm nё tremujorin e tretë të 2020-së, vlera e remitencave tё pranuara ishte 262.2 milionë euro, apo 18.1 pёr qind mё shumё krahasuar me tremujorin e tretë të 2019-së”, thuhet në raportin “Vlerësimi tremujor i zhvillimeve makroekonomike, tremujori i tretë 2020”, përcjell Telegrafi.
BQK thotë se, rritja e dërgesave ka qenë dyshifrore gjatë gjithë periudhës së pandemisë, me përjashtim të muajit mars 2020 dhe prill 2020 kur shënuan rënie.
“Përkundër faktit se edhe vendet ku janë të koncentruar diaspora kosovare janë goditur shumë nga kriza e pandemisë, remitencat kanë shënuar përshpejtim të rritjes. Rritja e remitencave ka qenë dyshifrore gjatë gjithë periudhës, me përjashtim të muajit mars 2020 dhe prill 2020 kur shënuan rënie”, thotë BQK.
Sipas kanaleve të dërgimit, BQK thotë se, 671.7 milionë euro janë transferuar me anë të agjencive të dërgesave të parëve, kurse pjesa tjetër me anë të bankave komerciale.
“Dërgesat e remitencave përmes operatorëve që transferojnë para kanë shënuar rritje për 62.0 për qind deri në shtator ndërsa remitencat që dërgohen përmes bankave kanë shënuar rritje për 10.3 për qind. Në anën tjetër, duke pasur parasysh mbylljen e kufirit si dhe kufizimeve të tjera, remitencat që vijnë përmes ‘kanalit jo-formal’ kanë shënuar rënie prej 57.5 për qind deri në muajin shtator 2020. Ky trend i rritjes së remitencave pritet të vazhdoj edhe në muajt vijues, vetëm në muajin tetor rritja e remitencave ishte 27.6 për qind”, thuhet në raportin makroekonomik.
Nga rezultatet preliminare të regjistrimit të diasporës, numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës dhe botës, të cilët i janë përgjigjur regjistrimit është rreth 350 mijë.