Perspektivat ekonomike të Britanisë pas Brexit-it vlerësohen si të zymta

Dëmi i vërtetë nga Brexit do të ndihet më tepër në një periudhë afatgjatë, shkruan The Economist

Për katër vjet e gjysmë që nga referendumi për anëtarësimin në Bashkimin Europian, kompanitë janë shqetësuar për ndikimin e Brexit. Por tranzicioni i Britanisë jashtë BE-së, që ndodhi më 31 dhjetor, nuk përfundoi me një shpërthim. Nuk kishte radhë të gjata kamionësh në Dover. Blerësit në supermarkete nuk mbetën pa perime të gjelbra. Dhe sektori i biznesit ka pasur telashe të tjera në mendje.

Karantina e tretë kombëtare e Anglisë filloi më 5 janar, duke mbyllur shumë nga sektorët e hotelerisë dhe shitjes me pakicë. Qeveria ka ndërmarrë hapa për të zbutur goditjen. Rishi Sunak, kancelari i Exchequer, njoftoi një paketë të mëtejshme prej 4.6 miliardë paund (6,2 miliardë dollarë) për firmat, me vlerë rreth 0.2% të PBB-së para krizës, dhe sinjalizoi se mund të pritej më shumë mbështetje në të ardhmen, paracaktuar në fillim të marsit. Skema e ruajtjes së vendeve të punës, sipas së cilës shteti do të paguajë deri në 80% të pagave të punonjësve të pezulluar, tashmë është zgjatur deri në fund të prillit dhe Thesari nuk ka përjashtuar një vazhdim të mëtejshëm.

Reklama e sponzorizuar

Me më tepër kompani që tani janë përshtatur më mirë për punën nga shtëpia sesa vitin e kaluar, me më shumë shitës me pakicë që ofrojnë shërbim online dhe më shumë restorante që funksionojnë me takeaway, PBB-ja nuk duhet të tkurret aq shpejt sa në prill 2020 (shih grafikun). Por shkollat janë mbyllur, siç ishin mbyllur në karantinën e parë, por jo të dytë, kështu që shumë prindër nuk janë në gjendje të punojnë. Samuel Tombs nga firma këshilluese Pantheon Macroeconomics, mendon se ndikimi i karantinës së tretë do të jetë më i shpejtë.

Por edhe pse vala e re e COVID-19 ka lënë në hije Brexit, ky i fundit po shkakton probleme. Mosmarrëveshjet mbi rregullat e reja të TVSH-së i kanë shtyrë disa biznese të ndalojnë tërësisht dërgesat për në Britani. Kompania holandeze Bike Bits, një shitës online me pakicë i pjesëve të biçikletave, i ka quajtur marrëveshjet e reja “qesharake” dhe i ndaloi shitjet në Britani në dhjetor.

Nga ana tjetër, tregtarët skocezë të prodhimeve të detit ankohen se dokumentet e reja po vonojnë eksportet, duke çuar në humbje të vlefshme. Në përgjithësi, trafiku duket se ka vazhduar normalisht në rrugën Dover-Calais, por rezervat e tepërta, kamionët e kthyer mbrapsht në Kent dhe kufizimet nga COVID-19 duket se e kanë lehtësuar tranzicionin. Qeveria i ka paralajmëruar transportuesit se vonesat ka të ngjarë të shtohen me rritjen e vëllimeve dhe forcimin e rregullave nga BE.

Kontrollet e rregullave të origjinës janë shfaqur si një problem i veçantë. Shumë tregtarë ishin të kënaqur që marrëveshja e tregtisë midis BE-MB nuk përfshinte tarifa ose kuota për mallrat. Megjithatë, për t’u kualifikuar, kompanitë duhet të vërtetojnë se rreth 50% e çdo produkti të eksportuar e ka origjinën në Britani ose BE. Kjo nuk përfshin vetëm bluzat aziatike apo hurmat e importuara nga Izraeli. Edhe produktet ushqimore të importuara nga vendet e tjera të BE-së dhe të ripaketuara sërish për eksport në bllok, pa një vlerë të shtuar të konsiderueshme në Britani, mund të humbin certifikimin. Kjo po çorienton qendrat e shpërndarjes.

Nevoja për kontrolle të rregullave të origjinës rrjedh direkt nga vija e kuqe e qeverisë për të hequr dorë nga bashkimi doganor dhe tregu i përbashkët, kështu që kompanitë më të mëdha duhet të ishin përgatitur edhe nëse të voglat nuk ishin të përgatitura. Megjithatë, rregullat e hollësishme të reja për secilin produkt (përfshirë një përjashtim të përkohshëm për bateritë në makinat elektrike) u bënë të njohura vetëm një javë para 1 janarit.

Bisedimet me BE-në mund të çojnë në më shumë përjashtime ose periudha më të gjata pritjeje për kontrollet më të vështira. Por Sam Lowe nga Qendra për Reformën Europiane, një think-tank, thotë se Brukseli do të zbusë rregullat e veta vetëm për të ndihmuar anëtarë të BE-së, siç është Irlanda; ai nuk ka ndonjë interes të zbusë ndikimin e Brexit në Britani.

BE-ja do të kujdeset më tepër për Irlandën e Veriut. Për të shmangur një kufi të fortë në ishullin e Irlandës, të dyja palët ranë dakord se duhet të ketë një kufi në Detin Irlandez midis Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, i cili do të mbetet në bashkimin doganor. Bizneset e mallrave shqetësohen se importuesit mund të mos e kenë kuptuar si do të funksionojë kjo gjë.

Kompleksiteti i procedurave doganore i ka nxitur disa që të heqin dorë fare nga tregtia ose të ngushtojnë gamën e produkteve. Marks & Spencer, një shitës me pakicë, ka hequr me qindra produkte në 21 dyqanet e tij në Irlandën e Veriut, duke filluar nga birra BrewDog deri tek qeset e plehrave. Teksa politikanët e Irlandës së Veriut ankohen për raftet bosh, supermarketet u kanë bërë thirrje qeverisë për ndihmë në mirëmbajtjen e tregut të ushqimeve në provincë.

Megjithatë, goditja e vërtetë për ekonominë nga Brexit pritet të vijë ngadalë dhe jo si një shpërthim i menjëhershëm. Me një marrëveshje tregtare në minutën e fundit, Britania dhe BE-ja shmangën kaosin më të keq afatshkurtër, por ekonomistët shqetësohen për kthimin e “sëmundjes britanike” të pasluftës – prandaj Banka e Anglisë parashikon që ekonomia do të jetë 3 ose 4% më e vogël në dhjetë vjet, sesa do të ishte po të qëndronte në tregun e përbashkët dhe bashkimin doganor.

Krahasimi me fqinjët

Në tri dekadat pas Luftës së Dytë Botërore, ekonomia e Britanisë ra në krahasim me fqinjët europianë. Kjo nuk ndodhi vetëm për shkak se britanikët kishin shumë për të kompensuar pas luftës; nga vitet 1960, ata kishin filluar të rimëkëmbeshin. Por Britania vuante nga marrëdhëniet e vështira industriale, menaxhimi i dobët, produktiviteti i dobët dhe investimet e ulëta.

Margaret Thatcher shpesh vlerësohet si udhëheqësja e cila ka ndryshuar trajektoren e vendit, por shumë ekonomistë argumentojnë se efekti i hyrjes së Britanisë në Komunitetin e atëhershëm Ekonomik Europian (KEE tani me emrin BE) në vitin 1973, ishte të paktën po aq i rëndësishëm.

Nauro Campos dhe Fabrizio Coricelli nga Qendra për Kërkime të Politikave Ekonomike, një rrjet ekonomistësh, tregojnë një model të ngjashëm të rritjes së produktivitetit midis tre vendeve – Britania, Danimarka dhe Irlanda – që u bashkuan me KEE-në në vitin 1973 (shih grafikun). Ata sugjerojnë se hyrja e Britanisë në Tregun e Përbashkët krijoi kushtet që “thaçerizmi” të lulëzonte duke u ofruar sipërmarrësve britanikë qasje në një treg më të madh, më të thellë dhe më inovativ sesa kishin më parë në dispozicion.

Nicholas Crafts, historian i njohur ekonomik në Britani, argumenton se shkaku i vërtetë i sëmundjes britanike ishte mungesa e konkurrencës. Ekonomia u kartelizua në vitet e luftës dhe u veçua nga konkurrenca ndërkombëtare në dekadat e pasluftës. Sipas tij, Thatcher ka merita për liberalizimin e tregjeve dhe industrive, por ajo u ndihmua nga ekspozimi më i gjerë i firmave ndaj presionit ndërkombëtar të konkurrencës, falë hyrjes në KEE dhe krijimit të Tregut të Përbashkët Europian në mes të viteve 1980. Ai llogarit se dështimi i Britanisë për t’u bashkuar me KEE-në që në krijimin e saj në vitin 1957 pati kosto të konsiderueshme në produktivitetin e humbur.

Nëse efekti i largimit nga BE është i kundërt me anëtarësimin në të, ndikimi nuk do të jetë një recesion i shpejtë dhe i dhimbshëm, por një rritje e humbur. Britania do të jetë si një bretkosë në ujë të zier, që nuk e vëren dëmin derisa është bërë./Monitor.al/