Bashkimi Evropian (BE) ka nënshkruar Paketën Financiare të Rimëkëmbjes prej rreth 700 miliardë eurosh, që është ndihma më e madhe në historinë e bllokut.
Kjo paketë synon rihapjen e ekonomisë evropiane pas krizës së pandemisë COVID-19, duke drejtuar fondet e BE-së në ruajtjen e vendeve të punës dhe sistemeve të sigurimeve shoqërore, si dhe në investimet në kujdesin shëndetësor.
Akti u nënshkrua nga kryeministri portugez Antonio Costa në emër të vendeve anëtare të BE-së, pasi vendi kryeson presidencën e radhës.
“Paketa e Rimëkëmbjes është vaksina për shpëtimin e jetëve dhe vitaminë për zhvillimin e ekonomisë”, tha Costa.
Pas bllokimit njëvjeçar në negociata, udhëheqësit e BE-së dhe Parlamenti Evropian në muajin dhjetor 2020 arritën marrëveshjen për buxhetin e bllokut evropian në vlerë prej 1.8 trilion eurosh për periudhën e viteve 2021-2027.
Marrëveshja përfshin një instrument të përkohshëm të rimëkëmbjes prej 750 miliardë eurosh, të quajtur “Brezi i ardhshëm i BE-së”, si dhe buxhetin e zakonshëm afatgjatë.