Më 15 mars bëhen katër muaj prej kur është bërë e ditur mungesa e targave të automjeteve. Kjo mungesë u ka shkaktuar probleme qytetarëve dhe kompanive të cilat janë privuar nga udhëtimet apo transportimet e mallrave jashtë Kosovës. Nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë thënë se brenda 10 ditëve pritet të nisë furnizimi me targa
“Prej 15 nëntorit dhe deri tani nuk kemi ende targa të rregullta. Kjo për shkak të procedurave të prokurimit dhe sipas informacioneve të fundit, tanimë veç ka përfunduar kjo procedurë dhe së shpejti pritet furnizimi me targa. Besoj brenda një jave apo 10 ditëve”, ka thënë ai.
I pyetur nga KOHA se pse paraprakisht nuk i përfundojnë procedurat e prokurimit më herët për të anashkaluar mungesën e targave, Gubetini ka thënë se kjo çështje nuk varet tërësisht nga ta.
“Si departament i regjistrimit të automjeteve kërkesa ka shkuar me kohë për tenderim, por janë çështje të procedurave të ankesave të kompanive të ndryshme. Ky është problemi. Ne i kemi hapur me kohë procedurat tenderuese, kërkesa ka qenë më 2018, por këto janë çështje të tjera që nuk varen prej nesh”, ka thënë ai.
Problem me mungesë të targave u ka dalë edhe disa kompanive transportuese që operojnë me targa të Republikës së Kosovës dhe të cilave nuk po u lejohet dalja jashtë shtetit për transportim të mallrave. Agan Hajdarhoxha, drejtues i komunitetit “Merakli të kerreve” thotë se çdo ditë e më shumë po rriten ankesat nga qytetarët të cilët nuk po mund të pajisen me shërbime për të cilat janë të detyruar të paguajnë.
“Ka shumë biznese të cilat operojnë me tabela të Republikës së Kosovës dhe ato biznese detyrohen të shkojnë deri në Shqipëri nuk munden të shkojnë me atë veturë për faktin që këto tabela nuk pranohen, për shkak që janë tabela të letrës dhe është tabelë e cila është e përkohshme”, ka deklaruar Hajdarhoxha.
Ai ka thënë se ky është problem i madh i qytetarëve dhe se Ministria duhet t’i marrë më me seriozitet procedurat e furnizimit me targa, pasi që tri herë kanë pasur probleme të njëjta.
Edhe Avni Imeri, pronar i pesë veturave thotë se është i pakënaqur me mungesat dhe vonesat që po i bën shteti për furnizimin e automjeteve me targa.
“Veturat i kam KS, tash kur shkoj me i ndërru tabelat ka vetëm ‘prova’ e nuk ka tabela. Prapë duhet me ardhë me marrë tabela të tjera, nuk di çka është duke u bë kështu. Tash duhet të paguaj 30 euro për librezë, 30 për tabela të tjera, nuk është faji ynë që nuk ka tabela”, ka thënë ai.