Sami Salihu, drejtor për shërbim dhe edukim të tatimpaguesve në Administratën Tatimore të Kosovës, ka treguar për humbjen që pësuan gjatë pandemisë disa nga sektorët e bizneseve.
Si më i dëmtuari po del të jetë ai i argëtimit dhe rekreacionit dhe pasohet me atë të patundshmërisë, njofton Klan Kosova.
“Edhe të hyrat e bizneseve kanë pësuar rënie dhe këtë mund ta themi për disa nga sektorët që më së tepërmi janë ndikuar nga pandemia si ai i rekreacionit dhe argëtimit që kishte një rënie diku prej 66 për qind të të hyrave, pastaj sektori i aktivitetit të patundshmërisë ka pasë rënie prej 27,9 për qind, sektori i akomodimit dhe shërbimit ushqimor me një rënie prej 37,9 për qind dhe të tjerë”, ka thënë Salihu në emisionin për ekonomi “Shtatë ditë me Panxhën”.
Ai gjithashtu ka treguar se pandemia ndikoi edhe në realizimin e planit të ATK-së dhe objektivat që i kishte ky institucion.
“Në vitin 2020 plani i rishikuar i të hyrave i ATK ishte diku 491,8 milionë, ndërsa u realizua në 467 milionë që do të thotë se është realizuar 95 për qind e planit”.