Kryetari i Shoqatës së Transportit Rrugor, Ruzhdi Kurtishaj ka mbajtur konferencë për media rreth protestës me autobusë që u mbajt sot në Prishtinë, shkruan Gazeta Express.
Kurtishaj tha se rreth 250 autobusë kanë marrë sot pjesë në këtë protestë për të kërkuar zbatimin e marrëveshjes mes kësaj shoqate dhe Qeverisë.
“Numri i autobusëve që kanë marrë pjesë sot në këtë protestë ka qenë rreth 250 dhe ajo ka qenë me kërkesën tonë që të zvogëlohet ky numër për shkak të problemeve në komunikacion. Kjo protestë ka qenë e paralajmëruar qysh nga data 11 mars dhe kjo duhet të jetë një alarm i fundit për Qeverinë që të mblidhet urgjentisht dhe të marrë vendimin e duhur për pagesën apo për realizimin e marrëveshjes së nënshkruar mes Qeverisë dhe Shoqatës së Transportit Rrugor për t’i dal në ndihmë këtij sektori që pati humbje të mëdha gjatë pandemisë”, ka thënë ai.
Më tutje ai theksoi se qysh nga muaji korrik i 2020-ës kanë marrë premtime që do të mbështeten financiarisht për dëmet që i janë shkaktuar atyre nga pandemia Covid-19.
“Ne kemi qenë shumë të hapur për dialog. Qeveria si duket e ka pasur të themi një lloj premtimi të rrejshëm dhe nënshkrimi i asaj marrëveshje duket se është i rrejshëm. I bëj thirrje Qeverisë që të mos i ndërrojë qëndrimet. Nga ajo që më 24 qershor kanë thënë që ky sektor ka qenë i dëmtuar dhe duhet të përfshihet më Ligjin për Rimëkëmbje. Pati edhe selektim në Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike. Ne patëm edhe një konferencë dhe është fol saktësisht që transporti urbano-periferik do të mbështetet nga komunat, teksa ai ndër-urban dhe ndërkombëtar do të mbështeten nga ministria”, ka thënë Kurtishaj.
Një protestë e tillë, sipas Kurtishajt do të mbahet edhe të hënën.
“Ne morëm vendimin që të hënën në orën 10:00 ne do ta kemi një mars por jo në lëvizje, para qeverisë së Kosovës. Kërkesa është që të vijmë me njëmijë autobusë dhe të bllokojmë Prishtinën por nuk është ky interesi ynë. Në do ta bëjmë si simbolikë edhe ditën e hënën prapë për dy orë me 200 ose 300 autobusë”, ka thënë ai.