Financial Times: Warwick kryeson renditjen për Masterat më të mirë online në Administrim-Biznes

Rritja globale e kërkesës për kurse online në Administrim-Biznes

“Shkolla e Biznesit Warwick në Mbretërinë e Bashkuar ka kryesuar renditjen globale të FT-së për Masterat më të mirë online në Administrim-Biznes, kjo edhe si rrjedhojë e rritjes së kërkesës në të gjithë botën për kurse online në fushën e biznesit.

Aplikimet për MAB online u rritën me 43.5 për qind në vitin 2020, sipas një sondazhi të kryer nga Këshilli i Pranimit të Menaxhimit të të Diplomuarve në studimet Master dhe Doktoraturë, i cili administron edhe Gmat-in, testin shumë të rëndësishëm në pranimin e të gjithë kandidatëve.

Reklama e sponzorizuar

Një rritje e tillë e ka tejkaluar dukshëm edhe nivelin e lartë të aplikimeve për kurse tradicionale individuale në kategorinë Master për Administrim-Biznesi, aplikimet për të cilat u rritën me 11.6 për qind.

“Ne kemi parë një ndryshim rrënjësor në drejtim të të mësuarit online” – tha prof. Andy Lockett, dekan i Shkollës së Biznesit Warwick, i cili u shpreh se ishte shumë i kënaqur për renditjen që kjo shkollë ka në fushën e Administrim Biznesit. Ai shtoi se ka pasur “një rritje të konsiderueshme” të kërkesave në këtë drejtim dhe se ata po merren me shtimin e numrit të kurseve duke përfshirë ato me bazë në kampusin në Londër.

Përçarja ekonomike globale e koronavirusit ka bërë që shumë njerëz të ndërpresin studimet e tyre dhe t’u rikthehen atyre pas një periudhe të caktuar, ndërkohë që masat ndaluese kanë përshpejtuar përdorimin e platformave online për studim, duke zbehur dallimin midis kurseve të mësimit tradicional dhe atyre online.

Masterat online në Administrim-Biznes priren të jenë më të lirë dhe të zgjasin për periudha më të gjata, duke i lejuar studentët të vazhdojnë të punojnë gjatë periudhës së studimeve, si dhe të ndjekin kurse asinkrone të cilat mund t’i caktojnë në një kohë që është e përshtatshme për ta, të kombinuara gjithashtu edhe me disa sesione dhe takime online jo shumë të shpeshta. Grupmosha e personave që janë pjesë e këtyre kurseve zakonisht u takon atyre që tashmë kanë një përvojë të konsiderueshme pune dhe hezitojnë të studiojnë me kohë të plotë për shkak të angazhimeve personale dhe profesionale.

Shumë ofrues të Masterave me kohë të plotë në Administrim-Biznes kanë qenë të kujdesshëm në lidhje me ofertat zyrtare online si pasojë e frikës së “konsumimit të kërkesës” dhe ushtrimit të presionit mbi tarifat e shkollimit. Por interesi në rritje për studimet online dhe mbi të gjitha me kohë të pjesshme ka sjellë një sërë ofertash të reja hibride, përfshirë ato nga Shkolla Europiane e Menaxhimit dhe Teknologjisë në Berlin, nga Shkolla e Biznesit Questrom në Universitetin e Bostonit dhe Universiteti i Shkencave dhe Teknologjisë në Hong Kong.

“Për ne ka dy lloje të ndryshme tregjesh në drejtim të Masterave në Administrim Biznes”, tha Markus Perkmann, Drejtor Akademik i programeve MAB në Shkollën e Biznesit “Imperial College”, kurset online të së cilës zunë vendin e tretë në renditjen e FT-së.

“Studentët e këtyre masterave kanë më shumë se 10 vite përvojë profesionale dhe shumë prej tyre kanë gjithashtu edhe një punë me kohë të plotë”, tha ai. “Kandidatët me kohë të plotë në MAB janë në fillim të karrierës së tyre  (zakonisht studentë në fund të të njëzetave) dhe që e konsiderojnë procesin e studimit si një përvojë jetësore”, përfundoi ai.

Në vitin akademik 2014-15, 22 për qind e shkollave të anketuara nga Shoqata e Shkollave të Biznesit, organi i akreditimit, ofruan të paktën një program online në MAB,ndërsa gjatë vitit akademik 2019-‘20, kjo shifër arriti në 39 për qind.

Sipas Tim Mescon, zv.drejtor ekzekutiv i AACSB, pandemia ka qenë shkaku kryesor që “u ka hapur sytë” aplikantëve në vende të botës për të marrë në konsideratë mundësitë e studimeve online, të cilat më parë nuk do t’i kishin imagjinuar.

Në renditjen e FT-së, 15 shkolla u renditën dhe 23 të tjera u përfshinë në një direktori më të gjerë. Shkollat ​​e tjera nuk ishin në gjendje të merrnin pjesë për shkak të situatës së vështirë të shkaktuar nga koronavirusi. /Financial Times/

Renditja e plotë