Në hyrje të fshatit Zhur, KEDS është duke përfunduar një projekt të madh investiv. Atje po ndërtohet një nënstacion komplet i ri 35 kV me të gjitha stabilimentet përcjellëse.
Sipas KEDS-it, përmes këtij nënstacioni po krijohen kapacitetet e nevojshme që do të mundësojnë furnizim stabil dhe kualitativ për rreth 15 mijë konsumatorë, duke përfshirë edhe nivelin 35 kV ku furnizohet poashtu komplet Dragashi.
Vlera e këtij projekti nga KEDS-i thonë se është mbi 150 mijë euro.
“Linja 35 kV e Zhurit ka qenë një ndër daljet më problematike të KEDS mirëpo me investimet e reja konsumatorëve tanë atje do tu ofrohet siguri në furnizim të qëndrueshëm. Nënstacioni i ri do të ndikojë direkt në zvogëlimin e avarive, do të mundësojë operim të sigurt me pajisjet energjetike të nënstacionit dhe do të krijojë mundësinë e sigurt në operim me komandim nga distanca përmes sistemit SCADA”, thuhet në komunikatën për media nga KEDS-i.
Nga KEDS-i thonë se këto investime të KEDS në nënstacione të reja janë jetësim i përkushtimit të KEDS-it që të jetë sa më afër konsumatorëve dhe të përmirësojë në vazhdimësi shërbimet për ta.
Ky investim nga KEDS do të rrisë sigurinë e furnizimit për konsumatorët e asaj ane dhe do të plotësojë kërkesat e furnizimit për atë pjesë të Prizrenit.
“Investimet e KEDS në nënstacione të reja po përmirësojnë dukshëm shërbimet ndaj konsumatorit duke dëshmuar kështu përkushtimin e kompanisë për të qenë sa më afër tyre”, përfundon komunikata. /Buletini Ekonomik/