Muhaxheri: Qeveria e ka “goditur” ekonominë kosovare, opozita po qëndron e heshtur

Vendimi i Qeverisë Kurti për një mbyllje të dytë e ka goditur rëndë ekonominë kosovare, kështu po konsideron njohësi i çështjeve ekonomike, Arton Muhaxheri.

Muhaxheri në një intervistë, për Ekonomia Online, tha se mbyllja do të shkaktojë pasoja të parashikueshme në zhvillimin e ekonomik të vendit.

“Mbyllja e cila ndodhi para një jave nga Qeveria Kurti natyrisht që lë pasoja të mëdha në ekonominë e Kosovës, Ndërkohë konsiderojmë që kryeministri Kurti dhe ministri Vitia e kanë bërë zgjedhjen më të lehtë për ta menaxhuar pandeminë është mbyllja dhe konsideroj që kjo është gabim i madh si vendim i marrë nga kjo Qeveri për shkak se ne jemi provuar edhe para një viti me mbyllje totale dhe e dijmë çfarë pasoja kemi pasuar sidomos në shëndetin ekonomik”.

Reklama e sponzorizuar

“Nuk është mbyll vetëm gastronomia si veprimtari ekonomike, por ajo ndikon edhe në fushëveprimtaritë e tjera ekonomike siç janë prodhimi, importi dhe ekonomia përgjithësi si mekanizëm është i lidhur njëri me tjetrin, ndërkohë që me këtë mbyllje konsideroj që kryeministri Kurti ka goditur rëndë ekonominë e Kosovës dhe kjo do të lë pasoja të paparashikueshme në zhvillimin ekonomik të vendit i cili sa filloi të këndellet”, është shprehur ai.

Poashtu sipas Muhaxherit goditje ekonomisë kosovare do t’i japin edhe deklarata e presidentes Vjosa Osmani dhënë për CNN dhe fjalimi i ministër së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla në Këshillin e Sigurimit në OKB.

Muhaxheri ka thënë për EO se qëndrimet e këtyre dy zyrtarëve të larta, veç prishjes së imazhit të Kosovës do të largojnë edhe investitorët e huaj.

“Deklaratat e zonjës Osmani dhe zonjës Gërvalla janë skandaloze dhe një përfaqësues i shtetit kur thotë që në Kosovë ka krim dhe korrupsion në institucione të rëndësishme ndërkombëtare konsideroj që gjëja më e dëmshme që mund t’i bëhej Kosovës përveç imazhit i largon investitorët e huaj të cilët do ta kenë referencë deklaratën e zyrtarëve shtetëror. Janë deklarata të pamatura dhe skandaloze të cilat besojë që pasojat e të cilave do t’i marrim vesh ditëve në vazhdim”, ka shtuar ai.

Krahas këtyre zhvillimeve politike në vend, Muhaxheri konsideron se opozita kosovare nuk po e luan rolin e saj, por ka vendosur të qëndrojë e heshtur.

“Po e shoh një opozitë të heshtur, nuk e di ndoshta kanë në plan ta presin 100 ditët e qeverisës së Albin Kurtit është një rregull i pashkruar por që respektohet tash e sa vite në Kosovë. Kjo Qeveria ka bërë skandale jashtëzakonisht të mëdha në ditët e para dhe një opozitë e heshtur nuk do të duhej të ishte në këto momente sepse duhet të reagojmë për vaksinat, shumë duhet të reagojnë për mbylljen që kanë bërë për Kosovën ndërkohë që vet kanë udhëtuar për në Shqipëri dhe e kanë kundërshtuar vetë izolimin të cilin vet kanë marr vendim ta bëjnë”.

“Konsideroj që ata duhet të reflektojnë dhe të marrin rolin opozitar për t’i kundërshtuar Qeverinë Kurti në temat që ai po i trajton sipas dëshirës së tij”, ka përfunduar ai për Ekonomia Online.