Kosova mbetet shteti më i varfër në rajon, duke luftuar me nivele të larta të varfërisë dhe papunësisë masive.
Në Raportin e fundit të Progresit për Kosovën të Komisionit Evropian, vlerësohet se 18 për qind e popullsisë jeton nën vijën e varfërisë, me 45 euro në muaj dhe 5.1 për qind e popullsisë nën vijën e varfërisë ekstreme, me nën 1.90 dollarë amerikanë në ditë.
Visar Ymeri, drejtor ekzekutiv i Institutit për Politika Sociale “Musine Kokalari”, thotë se punëtori në Kosovë aktualisht arrin me pagën që merr në rastin më të mirë të sigurojë mbijetesën, por asnjëherë jetesën.
Kjo gjendje sipas tij, vjen nga mungesa e zhvillimit ekonomik, e cila krijon papunësi dhe rrjedhimisht pabarazi.
“Është edhe mungesa e një mbikëqyrjeje më të mirë të kushteve të punës për punëtorët, në veçanti për ata në sektorin privat. Edhe ata që janë të punësuar në Kosovë, në veçanti ata në sektorin privat, pagat i kanë të ulëta, kushtet e punës i kanë të vështira edhe rrjedhimisht me pagat e tyre nuk arrijnë të ndajnë para për shpenzimet e papritura edhe shpenzimet e tjera”, thotë Ymeri.
Si reagim urgjent, shton Ymeri, do të ishte një shpërndarje më e barabartë e pasurisë në formën e ndihmave sociale që duhet t’iu jepet familjeve veçanërisht në këtë situatë të pandemisë, por që edhe kjo nuk mjafton dhe nuk do të duhej të shihet si rruga që e ndjek Kosova në afatmesëm dhe afatgjatë.
“Rruga më e mirë që duhet të ndiqet është që të krijohen mekanizma ligjorë dhe institucionalë që e mbikëqyrin zbatimin e drejtë të kushteve të punës e veçanërisht te pagat e punëtorëve. Rritja e pagës minimale është urgjente”, thotë Ymeri.