Përgjigjja radikale ekonomike e Europës ndaj Covid-19

BE tani mund të marrë hua, por sa mirë mund t’i menaxhojnë shpenzimet vendet anëtare?

Gianluca Pila është mbështetur mbi një parmak, veshur me kapelen prej kashte dhe këmishën me shirita blu dhe të bardhë, dhe kalon kohën duke u argëtuar me celular. Me çfarë mund të merret tjetër një gondolier i papunë? “Të vetmit njerëz që përdorin gondola vijnë për një ditë të vetme nga qytetet pranë”, thotë ai i trishtuar, shkruan The Economist.

Si pjesa më e madhe e Europës, Venecia është goditur nga efektet e Covid-19. Gjithashtu, si në pjesën më të madhe të Europës, edhe ajo i ka varur shpresat e rimëkëmbjes te fondi i BE-së Next Generation (NGEU), fond për rimëkëmbjen nga pandemia. Në pranverën e vitit 2020, u bë e qartë se pandemia Covid-19 do të shkaktonte kërdi në ekonomitë e Europës, por disa vende gjithashtu u goditën shumë më rëndë se të tjerët. Duke kërkuar të zbusin këtë tronditje në sistem, kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ranë dakord për një plan prej disa qindra miliarda eurosh për të shpërndarë të ardhura kryesisht në vendet më të varfra anëtare.

Reklama e sponzorizuar

Clément Beaune, ministri francez për Europën, e ka quajtur nismën “revolucionare”. Kjo do të kishte qenë e paimagjinueshme para pandemisë, vëren Paolo Gentiloni, komisioneri i ekonomisë së BE-së. Sugjerimet e mëparshme për një borxh kolektiv nga qeveritë anëtare, ishin hedhur vazhdimisht poshtë nga Gjermania dhe vendet që ndajnë pikëpamjet e saj mbi parimet fiskale. Por pandemia globale i bëri qeveritë të ndryshojnë mendim.

Ideja që propozuan në maj zoti Macron dhe zonja Merkel, u përpilua në formë ligjore nga Komisioni Europian dhe u miratua nga udhëheqësit e 27 vendeve anëtare në një samit rraskapitës 5-ditor të Këshillit Europian, në korrik. NGEU që rezultoi nga ai takim, ka një vlerë prej 750 miliardë eurosh (880 miliardë dollarë), ose 5.6% të PBB-së vjetore të bllokut, për një periudhë 5-vjeçare: 672.5 miliardë euro do të përdoren për Programin e Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë (RRF) i cili u ofron grante dhe hua shteteve anëtare; pjesa tjetër prej 77.5 miliardë eurosh do të shpenzohet në programe të ndryshme të BE-së si React-EU, një shtesë e fondeve strukturore dhe investimeve të bllokut.

Ky fond parashikon prurje me rëndësi të madhe makroekonomike për vendet më të vogla: Bullgaria, Kroacia dhe Greqia do të marrin secila grante të barabarta me rreth 10% të PBB-së së tyre vjetore ose më shumë. Vendet më të pasura si Danimarka ose Gjermania, do të përfitojnë ndihma që përbëjnë më pak se 1% të PBB-së së tyre. Në terma absolutë, Italia dhe Spanja do të jenë përfituesit më të mëdhenj (shih grafikun 1).

Edhe para se të hynte në veprim, NGEU nisi të kishte një efekt në tregjet e bonove, duke e mbajtur koston e huamarrjes në vendet me ekonomi më të dobët, në nivele të ngjashme me atë të vendeve me ekonomi më të fuqishme. Kur të fillojnë të emetohen bonot, ato mund t’i ndryshojnë rrënjësisht tregjet. Duke emetuar një bono të madhe paneuropiane, BE-ja do të krijojë një instrument financiar të ngjashëm me Departamentin e Thesarit në SHBA: një aset i sigurt që mbështet një union të vërtetë ekonomik. Përkrahësit mendojnë se një bono e tillë do të kishte shmangur më të keqen gjatë krizës së Eurozonës një dekadë më parë.

Në shkurt, Lucas Guttenberg, Johannes Hemker dhe Sander Tordoir nga Jacques Delors Center, një think-tank në Berlin, shkruan se krijimi i fondit shënoi një ndryshim të pakthyeshëm në arkitekturën financiare të Europës. Ai provoi se BE-ja mund të emetojë borxhe të përbashkëta në shkallë të gjerë dhe tashmë blloku ka një model për ta bërë këtë në të ardhmen kur godet kriza ose lind nevoja për një ambicie të madhe europiane.

Por që ky model të jetë tërheqës, NGEU duhet të japë rezultate, dhe që kjo të ndodhë, shtetet anëtare duhet të bashkëpunojnë. Ministritë e Financave duhet t’i paraqesin komisionit planet e rimëkëmbjes, të cilat përmbajnë propozime si për investime ashtu edhe për reforma, për të marrë paratë e tyre dhe këto propozime duhet të plotësojnë kritere të ndryshme.

Planet kombëtare të investimeve duhet t’i kushtojnë të paktën 37% të shpenzimeve të tyre përpjekjeve të lidhura me klimën dhe 20% nismave dixhitale. Propozimet e reformës duhet të ndjekin, të paktën pjesërisht, “rekomandimet specifike sipas vendeve” të deklaruara më parë nga komisioni: propozimet e reformave strukturore që qeveritë i kanë injoruar për vite me radhë.

Si mënyra zhvillimi dhe metoda ekologjike, këto kushte kanë logjikën e tyre. Zoti Gentiloni është i bindur se shpenzimet mjedisore të mandatuara do të ndihmojnë që BE-ja të bëhet një udhëheqëse globale për klimën. Por shumë vende duan që fondet e reja të lehtësojnë vuajtjet e tanishme dhe disa i shohin këto kushte si kufizime në këtë drejtim. Bizneset e goditura të Spanjës “nuk kanë nevojë për panele diellore ose mullinj me erë, ata duhet të mbijetojnë derisa turistët të kthehen”, thotë Angel de la Fuente nga Fedea, një think-tank ekonomik në Madrid. “Gjëra që mund të kenë dobi në Danimarkë, nuk na ndihmojnë domosdoshmërisht ne në Spanjë.” (65% e shpenzimeve në planin e Danimarkës u përkushtohen me të vërtetë objektivave të klimës.)

Dhe reformat e kërkuara janë të vështira, jopopullore ose të dyja bashkë – përndryshe, ato do të ishin zbatuar tashmë. Megjithëse disa reforma që dëshiron komisioni, mund të ndihmojnë që paratë të shpenzohen më shpejt dhe në mënyrë më efektive, koha që do t’u nevojitet disa vendeve për të përmbushur kushtet, mund t’i ngadalësojë gjërat.

Planet e pranueshme nga të dyja palët synojnë të finalizohen deri në fund të prillit. Pastaj vjen një proces i miratimit zyrtar nga Komisioni dhe Këshilli i BE-së. Prapa skenave, zyrtarët e komisionit po i nxisin qeveritë që të përparojnë me planet e tyre, ku çdo plan është disa mijëra faqe. Meqenëse disa duket se nuk ka gjasa ta bëjnë këtë në kohë, ka shqetësime se do të krijohen vonesa. Laurence Boone, kryeekonomist në OECD, ka paralajmëruar se procesi “po humbet nëpër procedurat burokratike”. Christine Lagarde, presidentja e Bankës Qendrore Europiane (BQE), gjithashtu ka shprehur frikën e një ngadalësimi.

Eurokratët e dinë se koha është me rëndësi thelbësore; ata gjithashtu e dinë se suksesi i skemës varet nga aftësia e qeverive për të shpenzuar paratë jo vetëm shpejt, por edhe në mënyrë efikase dhe produktive. Nëse e bëjnë këtë, BQE parashikon që Eurozona mund të gëzojë një rritje prej 1.5% të PBB-së në një periudhë afatmesme: duke demonstruar se bashkimi bën fuqinë dhe duke rritur nxitjet për integrimin e mëtejshëm ekonomik. Por nëse nuk e bëjnë këtë, Brukseli do të marrë një pjesë të fajit për planet që ai i miratoi dhe më pas nuk u dorëzuan ose nuk funksionuan. “Ne po bëjmë një bast masiv me këtë ushtrim”, thotë një zyrtar i lartë në Bruksel.

Rreziqet më të larta janë në Itali, ku edhe para pandemisë, ekonomia kishte ngecur në vend për 20 vjet. Mundësitë për ta ndryshuar këtë përmes investimeve padyshim që ekzistojnë, por ato kanë rezultuar të vështira për t’u shfrytëzuar. Deri në fund të vitit të kaluar, Italia kishte marrë më pak se gjysmën e parave nga katër fondet strukturore dhe të investimeve të BE-së ndaj të cilave ka të drejtë aksesi (shih grafikun 2).

Pavarësisht nëse mund të rimëkëmbë apo jo ekonominë e Italisë, NGEU tashmë ka pasur ndikim të thellë në politikën e saj. Bujaria e programit në një kohë sprove, ka frenuar paksa euroskepticizmin në vend. Dhe një mosmarrëveshje mbi planin e rimëkëmbjes të paraqitur nga kryeministri Giuseppe Conte në fillim të shkurtit, çoi në ardhjen në pushtet të kryeministrit të ri Mario Draghi. Zoti Draghi, i cili si president i BQE-së gjatë krizës së euros popullarizoi frazën “me çdo kusht” në fjalorin politik të Europës, tashmë kryeson një qeveri e cila, megjithëse përbëhet nga një koalicion disi i pazakontë, duket se ka qetësuar ujërat e zhurmshëm së politikës italiane.

 

Mundësi të fshehura

Zoti Draghi shpreson të shfrytëzojë këtë gjendje shpirtërore më pozitive ndërsa po kryen një rishikim të planit të rimëkëmbjes së zotit Conte. Puna po kryhet në Ministrinë e Financave – kryesuar nga Daniele Franco, bashkëpunëtor i vjetër i zotit Draghi – dhe në ministritë ekologjike dhe dixhitale, krerët teknokratë të të cilave, përkatësisht Roberto Cingolani dhe Vittorio Collao, u zgjodhën nga vetë kryeministri.

Zyrtarët e Komisionit Europian janë optimistë, por ata dëshirojnë reformimin e administratës publike të Italisë, garancinë se reformat e premtuara do të zbatohen dhe detaje më të hollësishme mbi investimet e propozuara. Rreziqet e mëdha dhe rezultatet e dobëta të Italisë me fondet strukturore nënkuptojnë se kjo do të jetë e vështirë. “Çelësi, – thotë Silvia Merler nga Algebris, një kompani e menaxhimit të aseteve, – është të hiqen qafe pengesat që i kanë bërë të pasuksesshme raundet e mëparshme të investimeve publike”.

Në krye të listës është burokracia e ngadaltë e Italisë. Më 16 mars, zoti Cingolani i tha Parlamentit se kompanitë i kishin hedhur poshtë ofertat për fermat me erë nga perspektiva e vonesave dhe proceseve gjyqësore. Për të pasur një tranzicion ekologjik, tha ai, Italia së pari ka nevojë për një tranzicion burokratik. Gentiloni, i cili ishte kryeministër i Italisë për 18 muaj në fund të viteve 2010, vëren se heqja e barrierave burokratike do të jetë me rëndësi thelbësore.

Jugu, i cili ka qenë prej kohësh një barrë në rritjen kombëtare të vendit, shpreson të përfitojë në mënyrë disproporcionale nga ndarja e grantit RRF të Italisë prej 68.9 miliardë eurosh (4.2% e PBB-së). Është diskutuar për vendosjen e hekurudhës me shpejtësi të lartë nëpër Apenine, nga Napoli në Bari, si dhe përmirësimin e infrastrukturës rrugore të Jugut dhe rrjeteve të ujit. Problemi është se sipërmarrje të tilla kërkojnë kohë dhe fondet e blerjes duhet të shpenzohen deri në vitin 2026. Kjo përforcon argumentin për projekte më lehtësisht të realizueshme, siç është nxitja për më shumë çerdhe. Pjesëmarrja e ulët e grave në tregun e punës të Italisë është më së shumti një fenomen jugor.

Zhurma e negociatave në Itali po ndihet edhe në anën tjetër të Alpeve. Mujtaba Rahman, drejtori menaxhues i grupit Eurasia për Europën, firmë këshillimore, vlerëson “efektin Draghi” për faktin që zyrtarët francezë i kanë marrë më seriozisht negociatat me Brukselin gjatë muajit të kaluar. Qeveria franceze krenohet me faktin se ka ndihmuar në konceptimin dhe modelimin e NGEU, por njëkohësisht kanë nisur të rriten shqetësimet në lidhje me kohën që duhet për të përkthyer këtë marrëveshje historike në shpenzime. “Gjërat po lëvizin shumë ngadalë”, tha Bruno Le Maire, ministri i Financave, në fillim të marsit.

Zyrtarët francezë e pranojnë se duhet të ketë rregulla dhe mbikëqyrje; ata vetë morën pjesë në hartimin e tyre. Por kanë frikë se gjërat mund të bllokohen në procedurën burokratike. Dhe ata e dinë se po afrohen zgjedhjet presidenciale vitin e ardhshëm, kështu që zoti Macron duhet të tregojë se bisedat pro-europiane sigurojnë përfitime aktuale për qytetarët francezë, njëkohësisht duke mos u zotuar ndaj reformave jopopullore. Zyrtarët në Bruksel e pranojnë se nuk mund të jenë të verbër ndaj orareve politike në Francë (ose në Gjermani, e cila do të mbajë zgjedhjet e përgjithshme në shtator). Por, siç shprehet një zyrtar, “ne nuk duhet të biem në grackën ‘Franca është Francë’”.

Zyrtarët e Brukselit kanë lavdëruar planet qeveritare greke ose spanjolle, sepse qeveritë i kanë përdorur këto plane për të ecur përpara në fushat ku kanë mbetur prapa. Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez, dëshiron t’i përdorë paratë për të ndihmuar Spanjën të bëhet një lider në “lëvizjen elektronike”, duke shpenzuar para në pajisjet e prodhimit të baterive dhe makinave elektrike dhe duke ndërtuar mijëra qendra rimbushëse. Qeveria gjithashtu dëshiron të investojë në dixhitalizimin e operacioneve të saj dhe përdorimin e energjisë elektrike të rinovueshme për të prodhuar hidrogjen, një sipërmarrje ku Europa po bëhet mjaft e etur; rreth 10 miliardë euro do t’i përkushtohen problemit të shpopullimit rural.

Por megjithëse mund të marrë miratim në Bruksel, plani i rimëkëmbjes është kritikuar në Spanjë, sepse u hartua në zyrën e zotit Sánchez pa shumë konsultime. Nuk ka “shumë detaje” në plan dhe nuk ka “procedura të qarta për vlerësimin e projekteve”, thotë zoti De la Fuente. Megjithëse ka shkurtuar burokracinë për projektet e rimëkëmbjes, koalicioni i majtë i zotit Sánchez ka treguar pak interes në kërkesat afatgjata të komisionit për ta bërë sistemin e pensioneve financiarisht të qëndrueshëm ose për të reformuar një treg pune ku 22% e punëtorëve janë me kontrata të përkohshme dhe 16.3% të papunë.

NGEU nuk është aspak një marrëveshje e përfunduar. Më 26 mars, Gjykata Kushtetuese e Gjermanisë shkaktoi pengesë kur bllokoi përkohësisht një ligj kombëtar që ishte i nevojshëm për të lejuar komisionin të niste me huazimet. Zyrtarët gjermanë shpresojnë se përparimi do të rifillojë së shpejti pas një vendimi më të gjerë. Por frytet e hershme të NGEU tashmë po ndihen teksa vendet rrisin shpenzimet e tyre në pritje të një fundi të lumtur.

Spanja përfshiu 27 miliardë euro nga 69.5 miliardë eurot (6.2% e PBB-së) që pret në formën e granteve nga RRF në buxhetin e këtij viti; deri më 1 mars, Franca tashmë kishte caktuar 16 miliardë euro nga 39.4 miliardë eurot në grante të RRF-së, për të përparuar drejt shumës prej 100 miliardë eurosh (4.4% të PBB-së) që planifikon të shpenzojë për rimëkëmbjen e saj.

 

Jashtë rrezikut

Paratë nga shitja e bonove duhet të fillojnë të qarkullojnë në verë. BQE nuk pret që nivelet e PBB-së të kthehen në nivelet e para pandemisë deri në tremujorin e dytë të vitit 2022. Kjo duket e ngadaltë po të krahasohet me çeqet e menjëhershme 1,400 dollarë dhe stimulin prej 1,9 trilionë dollarësh të propozuar nga Joe Biden, si dhe parashikimet se PBB-ja amerikane do të rimëkëmbet një vit më parë se sa tregonin indikacionet fillestare. Por Amerika po përdor kanale ekzistuese. BE-ja po përdor një skemë plotësisht të paprovuar të investimeve publike masive. Sidoqoftë, zoti Macron dhe zoti Draghi kanë sugjeruar se fondi duhet të zgjerohet.

Kjo nënkupton më shumë huazim – dhe, potencialisht, taksa të reja. Në qershor, komisioni do të propozojë disa “burime vetjake” të reja, duke përfshirë një taksë dixhitale dhe një taksë mbi importet jomiqësore ndaj klimës. Plani aktual është të fillohet shlyerja në vitin 2028, dhe që niveli i huazimit të ulet gjatë tre dekadave të ardhshme. Plane të tilla tatimore, të cilat kërkojnë mbështetje unanime nga qeveritë, kanë dështuar zakonisht në të kaluarën.

Megjithatë, tregjet besojnë se bonot do të shlyhen me huazime të reja, siç kryhet me shumicën e borxheve qeveritare. Dhe shumë politikanë europianë shpresojnë se kështu do të ndodhë. Ata e shohin NGEU si një pararendës të një kapaciteti të përhershëm fiskal për BE-në, ose të paktën për Eurozonën. Zoti Gentiloni vëren se historia e BE-së tregon se “nëse prezantohet një mjet i ri që funksionon, ai mund të përsëritet”.

Askush nuk dëshiron që projekti të dështojë. “Është e rëndësishme që NGEU të ketë sukses, pra që fondet të shpenzohen me mençuri dhe të nxitet rritja ekonomike në Eurozonë”, thotë Isabel Schnabel, e cila është në bordin e BQE-së. Por që suksesi të përsëritet, duhet të kapërcehen pengesat reale. Për të zgjatur parashikimet për emetimin e borxheve përtej vitit 2026, janë të nevojshme ligje të reja. Konservatorët fiskalë në Gjermani dhe gjetiu, të cilët e pranuan nismën e NGEU si një program që do të funksiononte për një herë të vetme, i kundërvihen me ngulm idesë së një “unioni transferimi” të përhershëm. Një kapacitet i tillë do të kërkonte një periudhë të madhe centralizimi, siç po ndodh tani në Europë.

Në shumicën e vendeve, grantet e NGEU do të kenë më pak rëndësi sesa përpjekjet fiskale kombëtare dhe në shumë vende, nevojat për reforma janë shumë të mëdha për t’u rregulluar nga një ndërhyrje jetëshkurtër. Sidoqoftë, ekzistenca e nismës ka ngjallur ambicie. Ministrja italiane për jugun, Mara Carfagna, e krahason këtë situatë me gjendjen që vendi i saj përjetoi në vitet 1950, kur në vetëm tetë vjet, 800 km autostradë u ndërtuan midis Milanos dhe Napolit.

Ajo dëshiron që “Italia të bëhet sërish një shembull për botën”. Gjetiu, aspiratat janë më pak madhështore, dhe dyshimet për shpërndarjen dhe reformën vazhdojnë. “Ne nuk e dimë nëse, kur të vijnë paratë, do të shpenzohen nga ministria përkatëse apo nga rajoni”, thotë nënkryetari i Bashkisë së Venecias, Andrea Tomaello. Qyteti favorizon përparësitë lokale; ai dëshiron të rinovojë shkollat e mesme dhe t’i bëjë ato më efikase në aspektin energjik. Zoti Pila, si një gondolier tashmë i papunë në Kanalin e Madh, thjesht dëshiron që turistët të kthehen.