Një e ardhme e ndritur për botën e punës

Punonjësit në të gjithë botën kanë përjetuar një vit të rëndë. Por e ardhmja është premtuese, argumenton Callum Williams.

Pandemia Covid-19 ka goditur punëtorët në të gjithë botën. Ajo ka shkatërruar me miliona vende pune, duke shkaktuar një rënie të punësimit që ishte 14 herë më e madhe se ajo pas krizës financiare të një dekade më parë, shkruan The Economist. Në shumë vende, papunësia është rritur në nivele që janë parë për herë të fundit në vitet 1930, sidomos për personat me aftësi të ulëta.

Pandemia gjithashtu ka theksuar pabarazi që më parë ishin thjesht sipërfaqësore. Punëtorët “thelbësorë” duhej të vazhdonin të shkonin në punë rregullisht, duke u ekspozuar ndaj virusit dhe shumë prej tyre kanë humbur jetën, ndërkohë që shumë punonjës zyre kanë qenë në gjendje të punojnë të sigurt nga shtëpia. Tashmë ekziston frika se tregu i punës pas periudhës së pandemisë do të mbizotërohet nga pabarazia dhe papunësia e lartë, dhe një pjesë e mirë e punëve do t’u transferohen robotëve.

Reklama e sponzorizuar

Megjithatë, shpesh besimi se diçka ka shkuar keq me tregjet e punës ka rezultuar një parandjenjë e gabuar. Që nga fillimet e kapitalizmit, njerëzit janë ankuar për modelin e punës, duke besuar gjithmonë se e kaluara ka qenë më e mirë se e tashmja dhe se punëtorët e së tashmes trajtohen shumë më keq. Adam Smith argumentoi se sektori industrial në zhvillim e sipër në Skocinë e shekullit XVIII, kishte potencialin për t’i bërë punëtorët “aq budallenj dhe injorantë sa është e mundur të bëhet një qenie njerëzore”.

Emile Durkheim argumentonte se në Francë, në një periudhë të lavdishme në të kaluarën, njerëzit e shijonin punën sepse e kontrollonin atë, ishin të zotë dhe e kryenin punën në gjirin e komunitetit të tyre – por që kapitalizmi i kishte vjedhur të gjitha këto elemente.

Edhe në “epokën e artë” të viteve 1950 dhe 1960, kur supozohet se vendet e punës ishin shumë më të mira se sot, kishte mjaft pakënaqësi. Në vitet 1950, shumë studiues të shkencave sociale pohonin se punëtorët e makinave në Amerikë, ishin të pakënaqur, sepse puna e tyre ishte e mërzitshme dhe u mungonte autonomia. Në fund të viteve 1960, u bë popullor koncepti i “mërzisë së punës fizike”.

Edhe pak kohë para se të godiste pandemia në fillim të vitit të kaluar, njerëzit kishin shqetësime të reja në lidhje me punën. Ato kishin të bënin kryesisht me besimin se punëtorët e shekullit XXI ishin mbërthyer pas punëve të pasigurta dhe me paga të ulëta, në kushte të niveleve të larta të papunësisë, ku edhe këto punë ishte e vështirë të gjendeshin dhe për më tepër, po përballeshin me një të ardhme edhe më të keqe, sepse njerëzit po rivalizoheshin nga robotët gjithnjë e më të zgjuar.

Për shumë njerëz, puna ishte e pashpirt, e pakuptimtë dhe e pakënaqshme. Ekonomisti Guy Standing, paralajmëroi për një “pakënaqësi” në rritje. Antropologu David Graeber, krijoi termin “punë plehrë” në një libër bestseller në vitin 2018. “Ku kanë shkuar të gjitha punët e mira?” pyeste David Blanchflower nga Kolegji Dartmouth, në një libër të botuar një vit më vonë.

Ky artikull do të hedhë poshtë ide të tilla pesimiste. Duke u përqendruar në 37 shtetet që janë anëtare të klubit OECD (një grup i vendeve kryesisht të pasura), do të tregojmë se perceptimet e popullarizuara në lidhje me botën e punës, janë kryesisht të rreme. Tregu i punës para Covid-19 nuk ishte aspak i përsosur, por ishte më i mirë nga sa pohonin shumë kritikë – dhe po përmirësohej gjithnjë e më tepër. Pandemia ka qenë një katastrofë për shumë njerëz, siç do ta përshkruajë me hollësi ky raport. Por trashëgimia e saj jetëgjatë mund të jetë një botë pune më e mirë, pasi ka përshpejtuar ndryshime që ishin tashmë në proces dhe ka nxjerrë në pah vendet ku nevojitet më shumë përmirësim.

Kjo ka rëndësi. Tregjet e punës janë të vlefshme jo vetëm sepse i lejojnë njerëzit të fitojnë para për të siguruar bukën e gojës. Profesioni është ndoshta përbërësi kryesor i identitetit të njeriut. Ai i jep formë pikëpamjeve të njeriut. Është një ide e zymtë të mbetesh i papunë apo të ngecësh në një punë që e urren. Papunësia e lartë lidhet me nivele më të larta krimi dhe një gjendje më të keqe shëndetësore. Disa parashikime nga Amerika tregojnë se rritja e papunësisë gjatë vitit 2020 do të shkaktojë 800,000 vdekje shtesë në 15 vitet e ardhshme.

Fatmirësisht bota e punës ishte me të vërtetë mjaft e suksesshme para se të godiste pandemia. Në vitin 2019, shkalla e papunësisë në vendet e pasura ishte më e ulëta që nga vitet 1960. Në Amerikë, papunësia midis afro-amerikanëve ishte më e ulëta që është regjistruar ndonjëherë, po ashtu edhe në Britani. Papunësia e të rinjve, që dikur dukej si një problem i pazgjidhshëm (veçanërisht në Europë) ishte gjithashtu në rënie.

Shkalla e punësimit për personat në moshë pune (16-64 vjeç), një tregues më i besueshëm se papunësia e shëndetit të tregut të punës, ishte gjithashtu në nivele të larta rekord në mbi gjysmën e vendeve të pasura. Një surprizë e madhe për shumë ekonomistë të djathtë, ishte se bumi i vendeve të punës ndodhi edhe kur pagat minimale u rritën me shpejtësi në të gjitha vendet e pasura, edhe ndërkohë që emigracioni u rrit. Një tronditje e ngjashme për ekonomistët e majtë ishte se kapitalizmi po jepte fitime të qarta për punëtorët e thjeshtë me paga të ulëta.

Pagat mund të mos jenë rritur aq shpejt sa do të dëshirohej, por epoka e pagave minimale që pasoi krizën financiare të viteve 2007-‘09 ka marrë fund tashmë. Në fund të vitit 2019, në vendet e pasura, të ardhurat po rriteshin me gati 3% në vit (kjo shifër do të ishte edhe më e lartë, por njerëzit më të varfër i janë bashkuar radhëve të të punësuarve në një numër të madh, duke ulur nivelin e pagës mesatare).

Pagat e amerikanëve me paga më të ulëta po rriteshin 50% më shpejt se pagat e atyre me paga më të mira. Ekonomistët shpesh përqendrohen në “pjesën e forcës së punës”, duke matur pagën totale dhe përfitimet (si kujdesi shëndetësor ose kontributet e pensioneve) si një përqindje e të ardhurave kombëtare, për të krijuar një ide se si po performojnë punëtorët në raport me rritjen e ekonomisë. Në vitet para Covid-19, kjo pjesë e forcës së punës po rritet në të gjithë Amerikën, Britaninë, Bashkimin Europian dhe Japoninë.

Puna nuk ishe kaq e keqe para pandemisë

Sidoqoftë, është e vërtetë se pabarazia në të ardhura ishte e lartë sipas standardeve historike. Megjithatë, nga fundi i viteve 2010, pabarazia nuk po ngrihej më dhe madje mund të kishte rënë pak, pasi njerëzit më të pafavorizuar po tërhiqeshin në bumin e vendeve të punës. Kishte më pak punë me paga të ulëta, ose punë që paguajnë më pak se dy të tretat e pagës mesatare. Në Britani, për shembull, nuk ka pasur kaq pak vende të tilla pune që nga viti 1977.

Nuk ka pasur as prova të një “pasigurie” në rritje. Një studim që përqendrohet në Amerikë, Britani dhe Gjermani, nga Alan Manning dhe Graham Mazeine nga London School of Economics, nuk ka dalluar “asnjë trend në pasigurinë subjektive të punës, pavarësisht rritjes së pretenduar të punësimit jo-standard”. Deri në vitin 2019, pjesa e punëtorëve gjermanë që ndiheshin të pasigurt ishte përgjysmuar që nga mesi i dekadës së mëparshme. Vlerësimet zyrtare të punësimit në ekonominë gig treguan se ajo përbënte vetëm një pjesë të vogël të të gjitha vendeve të punës.

Gjithashtu dukej se më shumë njerëz po e shijonin punën e tyre. Në vitin 2019, sondazhi amerikan Gallup, zbuloi se përqindja e amerikanëve “plotësisht” ose “disi” të kënaqur me vendin e punës ishte e dyta më e larta që kur nisi kjo matje në vitin 1993. Treguesit e rritjes së kënaqësisë në punë po viheshin re edhe në Europë. Është e vështirë të bësh krahasime të drejtpërdrejta me epokën e artë ekonomike të viteve 1950 dhe 1960, por nuk ka prova të mjaftueshme që tregojnë se kënaqësia në punë ishte më e lartë asokohe.

Njerëzit e arsimuar mirë në poste me prestigj të lartë, mund t’i konsiderojnë shumë vende pune në tregun modern si të padenja – ndoshta në një nivel intelektual. Por kjo ishte një tjetër ndryshim në vrullin e tregut të punës: vendet e punës po bëheshin më të disponueshme për njerëzit me kualifikime më të ulëta arsimore. Për njerëz të tillë, të qenët i punësuar është një tregues sigurie ekonomike dhe dinjiteti.

Një studim nga Burning Glass, shoqëri analitike e tregut të punës, ka zbuluar se gjysma e punëtorëve të rinj janë në gjendje ta përkthejnë punën e tyre të parë, një që shpesh kërkon më pak se një diplomë bachelor dhe përvojë më pak se dy vjeçare, në një punë me pagë më të lartë, brenda pesë viteve.

Një rrugë e gjatë përpara

Pyetja e madhe është nëse, pas mbarimit të pandemisë, tregjet e punës mund të zhvillohen sërish në këto nivele dhe të funksionojnë edhe një herë për njerëzit e të gjitha fushave. Covid-19 mund të përfundojë duke i përmirësuar gjërat falë përshpejtimit të ndryshimeve që ishin tashmë në proces. Kjo do të ndodhë përmes një sërë rrugësh.

Falë rritjes së punës në distancë, më shumë njerëz do të kenë fleksibilitet se kur, ku dhe si i fitojnë paratë. Sigurisht, shefat nuk do të jenë krejt indiferentë ndaj faktit nëse punonjësit e tyre po punojnë në Nju Jork apo në Niue, por kalimi në një model “hibrid” të punës, ku disa veta punojnë në zyrë dhe disa në shtëpi, tashmë po i detyron menaxherët të bëhen komunikues më të mirë, duke tentuar të rrisin nivelin e kënaqësinë së punës për punonjësit e tyre.

Kjo nuk është mënyra e vetme në të cilën po ndryshon politika. Duke parë humbjet e vitit të kaluar, qeveritë kanë kuptuar përfitimet e një tregu të shëndetshëm të punës, veçanërisht për familjet me të ardhura të ulëta dhe të moderuara. Prandaj, pandemia parashikon një rol më të madh për qeveritë sesa mund të pritej më parë, veçanërisht në ruajtjen e punësimit, duke bërë më shumë për të zvogëluar pabarazinë dhe duke krijuar sisteme të hartuara më mirë për të drejtat e punonjësve dhe përfitimet e mirëqenies sociale.

Po automatizimi, një frikë tjetër shumëvjeçare për botën e punës? Disa shqetësohen se përvoja e vitit të kaluar mund t’u japë shefave justifikimin që kanë pritur prej kohësh për të punësuar robotë në vend të njerëzve, duke çuar në papunësi masive. Recesionet dhe pandemitë shpesh provokojnë me të vërtetë një rritje të automatizimit. Por kërcënimi i hamendësuar i një bote pa punë nuk ka gjasa të ndodhë.

Sidoqoftë, në terma afatshkurtër, pyetja më e madhe, mbetet: Sa shpejt mund ta kalojnë tregjet e punës tronditjen e pranverës së kaluar?/Monitor.al/