Kërkohet hetim i hollësishëm i të gjitha granteve e subvencioneve

Sektori i bujqësisë

Federata Sindikale e Bujqve  kërkon hetim të hollësishëm të të gjitha granteve e subvencioneve që janë dhënë për bujqit në Kosovë. Kryesindikalisti Tahir Tahiri, në një prononcim për Radio Kosovën tha se hetimet janë të domosdoshme pasi dëmet e shkaktuara në bujqësi nga keqpërdorimet janë shumë të mëdha. Për keqpërdorim të granteve dhe subvencioneve, në shkurt të këtij viti u arrestuan 12 zyrtarët publikë.

Pas dyshimeve për keqpërdorime me grante e subvencione në Ministrinë e Bujqësisë, më 24 shkurt të këtij viti, pas hetimeve e një aksioni policor në pjesë të ndryshme të vendit, u arrestuan 12 zyrtar publikë të dyshuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe marrje e dhënie ryshfeti.

Keqpërdorimet në Ministrinë e Bujqësisë janë të vjetra rreth një dekade, thotë për Radio Kosovën kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve, Tahir Tahiri, i cili kërkon nga drejtuesit e ministrisë hetim të keqpërdorimeve.

Reklama e sponzorizuar

“Më mbanë shpresa se qeveria e re dhe zyrtarët e Ministrisë së Bujqësisë do të merren me keqpërdorimet e së kaluarës, sepse nuk do të kishte kuptim nëse nuk ka masa për keqpërdorimet të cilat i kanë bërë paraardhësit e tyre. Me aksionin “Subvencioni 2021”, ne e pamë, praktikisht u vërtetua ajo që kemi thënë ne si federatë se së paku që dhjetë vite aty ka korrupsion të lartë”, tha ai.
Tahiri thotë se hetime duhet të ketë pasi janë të pafalshme dëmet që i janë bërë bujqësisë, e cila sipas tij, është në gjendje të mjerueshme.

“Një prej faktorëve kryesorë për këtë gjendje është korrupsioni i lartë në Ministrinë e Bujqësisë, pasi paratë kanë shkuar te njerëzit që nuk janë marrë me bujqësi, të cilët në këtë mënyrë kanë bërë biznes me paratë e Ministrisë së Bujqësisë. Ne apelojmë që ligji për konfiskimin e pasurisë së pa justifikueshme që pritet të bëhet tash, të fillojë të zbatohet mu këtu dhe paratë që ua kanë marrë bujqve t’u kthehen përsëri bujqve’, tha ai.

Federata Sindikale  e Bujqve të Kosovës, në vazhdimësi ka ngritur shqetësimet për manipulimet me grante e subvencione nga zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë, duke kërkuar hetime e ndëshkim të abuzuesve. Kështu thotë kryetari Tahiri, i cili shprehet i gatshëm për bashkëpunim me zyrtarë të ministrisë, me qëllim të përmirësimit të gjendjes në sektorin e bujqësisë, për çka ai pret më shumë përkrahje nga Qeveria./Radio Kosova/