Kompanitë dhe demokracia

CEO politik. Në Amerikë, biznesi dhe politika po lidhen më tepër, me pasoja shqetësuese, shkruan The Economist.

Kur amerikanët vërejnë në vende të tjera se biznesi dhe politika po përzihen së bashku, ata shpesh e shohin këtë si një shenjë të degradimit institucional, kapitalizmit të metë ose autoritarizmit. Sot, përzierja e qeverisë dhe korporatave po ndodh pikërisht në Amerikë. Ndonjëherë kjo bëhet në emër të kauzave të ndershme, si protestat ndaj ligjeve të reja që kufizojnë të drejtën e votimit në Georgia dhe shtete të tjera amerikane.

Ndonjëherë është e dukshme në qëndrimet dhe deklaratat politike të drejtuesve ekzekutivë: manifesti i fundit nga Jamie Dimon, shefi i JPMorgan Chase, citon si çështje prokurimin ushtarak dhe drejtësinë penale, midis shumë shqetësimeve të tjera të rëndësishme. Lidhja midis politikës dhe kompanive, reflektohet më qartë në mënyrën se si Tryeza e Rrumbullakët e Biznesit, një grup lobimi, ka zgjeruar përgjegjësitë e korporatave.

Reklama e sponzorizuar

The Economist e mbështet fuqimisht mbrojtjen e të drejtave të votës. Ne besojmë se kompanitë që operojnë në tregje konkurruese nxisin përparimin shoqëror. Por si liberalë klasikë, ne gjithashtu besojmë se përqendrimet e pushtetit janë të rrezikshme. Biznesmenët gjithmonë do të lobojnë në avantazhin e tyre, dhe sa më shumë që i afrohen qeverisë, aq më shumë dëm ata mund t’i shkaktojnë ekonomisë dhe politikës.

Amerika ishte pioniere në ndarjen e biznesit nga politika në shekullin XIX. Kjo risi uli patronazhin dhe ndihmoi në pasurimin e vendit. Gjithsesi, marrëdhëniet midis shtetit dhe firmave kanë mbetur të trazuara, nga ambicia dhe ryshfetet e Gilded Age (Epokës së Artë), te korporatizmi pas vitit 1945. Në dekadat e fundit, mendimi i përgjithshëm në lidhje me këtë çështje, është mbizotëruar nga Milton Friedman, ekonomist i shekullit XX, i cili argumentoi se autoriteti i shefave rrjedh nga pronarët e kompanive, dhe se ata duhet t’u japin përparësi interesave të pronarëve, që zakonisht kanë të bëjnë me maksimizimin e fitimeve afatgjata.

Pak kompani e kanë përmbushur tërësisht këtë ideal, por në ditët e sotme, ato po e hedhin poshtë atë, për shkak të disa forcave imponuese. Ndërkohë që më shumë qytetarë dëshirojnë që kompanitë të mbështesin kauzat që ata i kanë për zemër, drejtuesit ekzekutivë që qëndrojnë të heshtur, rrezikojnë të akuzohen si armiq. Menaxherët e fondeve tashmë kërkojnë të vlerësojnë rezultatet “shoqërore dhe qeverisëse”, të firmave, në përgjigje të kërkesës nga klientët.

Firmat teknologjike po ushtrojnë ndikim mbi fjalimin politik. Shumë amerikanë mendojnë se qeveria në Uashington është prishur dhe shpresojnë se bizneset mund të mbushin boshllëkun. Donald Trump i sulmonte dhe njëkohësisht i joshte bizneset. Presidenti Joe Biden ka një axhendë të bazuar në qeverinë e madhe që synon një aleancë me biznesin për të nxitur ripërtëritjen kombëtare, për të luftuar ndryshimin e klimës dhe për të përgatitur Amerikën kundër ngritjes së Kinës.

Edhe pse këto qëllime janë individualisht të lavdërueshme, në tërësi, kjo mund të ndryshojë rolin e biznesit, gjë që sjell rreziqe shpesh të nënvlerësuara. Një prej tyre është shfaqja e hipokrizisë që i diskrediton të gjithë. Shumë fonde investimesh të ndërgjegjshme ndaj kauzave shoqërore, po përballen me akuza të shumta ndaj gjigantëve të teknologjisë për shkelje të ligjit të antitrustit. Anëtarët e tryezës së rrumbullakët të biznesit, të cilët u zotuan të kujdeseshin për të gjithë aksionerët e tyre, shkurtuan me qindra mijë vende pune vitin e kaluar dhe kanë nisur fushata kundër ngritjes së taksave për të përballuar kostot sociale të pandemisë.

Është e natyrshme të duash të mbrosh të drejtat e votës, të cilat janë thelbësore për demokracinë. Por kjo çon, në mënyrë të pashmangshme, në provën e ardhshme – si mbështetja për ligjet e reja federale të votimit, reformën e Gjykatës së Lartë dhe bojkotin e Kinës mbi abuzimet e të drejtave të njeriut në Xinjiang. Nëse drejtuesit ekzekutivë pretendojnë se kompanitë e tyre janë aktorë moralë, a do të jenë ata konsistentë në çdo kauzë sociale?

Edhe energjia e ekonomisë është në rrezik. Thirrjet që kompanitë t’u shërbejnë të gjithë palëve të interesuara janë të kota, sepse nuk ofrojnë udhëzime se si duhen vendosur përparësitë e konkurrencës, ose si duhet matur performanca e CEO-ve. Një skenë e shëndetshme e korporatave është heterogjene, jo e njëtrajtshme: edhe në një ekonomi ku po krijohen vende pune, disa ndërmarrjeve u duhet të pushojnë persona nga puna, ashtu si një vend që po ul emetimet e gazrave, ka ende nevojë për disa firma që shesin naftë.

Disa nga kompanitë e sotme tashmë janë të mbrojtura falë lidhjeve të tyre me qeverinë, në kurriz të kompanive të tjera inovative, që nuk i gëzojnë këto lidhje. E tillë është Delta Airlines, e cila loboi privatisht për të ndryshuar legjislacionin e votimit në Georgia. Ajo është pjesë e një oligopoli që dëmton konsumatorët, sapo ka marrë $ 8.5 miliardë nga qeveria, ka zvogëluar forcën e punës me 19% gjatë pandemisë dhe është një ndotës i madh mjedisor.

Rreziku

Rreziku për politikanët është më i ulët. Mungesa e konsistencës nga ana e tyre është e dukshme: progresistët që dikur e urrenin përfshirjen e korporatave në politikë, tani e nxisin atë, ndërsa udhëheqësit republikanë, të cilët më parë i përkrahnin bizneset e mëdha, tani duan t’i heshtin ato. Por politikanët i bëjnë bisht vazhdimisht akuzave për hipokrizi.

Rreziku i vërtetë është se kur bizneseve u kërkohet të ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve politike, si reforma e votimit, drejtuesit ekzekutivë mund të shfrytëzojnë rolin dhe ndikimin e tyre politik, për të promovuar interesat e veta të ngushta. Është shumë e metë ideja se pakënaqësia popullore me politikën mund të zgjidhet, duke i dhënë më shumë pushtet një elite anëtarësh të pazgjedhur, siç janë drejtuesit ekzekutivë të kompanive.

Ideja e konkurrencës nga Friedman është një mënyrë më e mirë zhvillimi për kompanitë dhe politikën. Konkurrenca e bën të ligjshme dhe fitimprurëse përqafimin e ndryshimeve shoqërore. Në një treg, firmat duhet të parashikojnë dhe të përshtaten me preferencat e shoqërisë. Konsumatorët duan produkte më njerëzore dhe më të dobishme, kështu që firmat po sjellin risi për t’i siguruar ato, nga Beyond Meat tek Tesla, dhe duke i detyruar në këtë mënyrë kompani si McDonald dhe General Motors të përshtaten.

Në mënyrë që të rekrutojnë stafin më të mirë, firmat kanë nevojë gjithnjë e më shumë për kultura të hapura dhe të larmishme. Dhe për të lulëzuar në planin afatgjatë, kompanitë duhet të parashikojnë sesi do të ndryshojnë ligjet mbi eksternalitetet, ndërsa zhvendoset opinioni publik. Pak kapitalistë do të bënin sot investime të qëndrueshme bazuar në supozimin e taksave zero mbi emetimet e karbonit, ose furnizimet nga kampet e punës në Xinjiang.

Ndoshta axhenda e re e korporatave është thjesht krijimi i një fronti tjetër në garë – marketing për të fituar talent dhe klientë. Nëse është kështu, taktikat më të mira dhe më efektive janë në dispozicion, siç është programi i Home Depot për të rritur pjesëmarrjen në votim të stafit të tij. Sepse kompanitë nuk mund të zëvendësojnë aspak një qeverisje efektive.

Është shteti ai që siguron që tregjet të jenë konkurruese dhe të mos anojnë nga monopolet ose korrupsioni. Vetëm qeveritë mund të taksojnë pasoja, si ndotja dhe të mundësojnë përfitime sociale. Dhe mënyra e vetme legjitime për të ndërmjetësuar ndarjet e hidhura në Amerikë dhe për të mbrojtur të drejtat themelore, është nëpërmjet procesit politik dhe gjykatave, jo paketave ekzekutive./Monitor.al/