Fillimisht, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Nikollë Komani sipas detyrës zyrtare e kishte bërë rikualifikimin e veprës penale të marrjes së ryshfetit ndaj Fetahut sipas Kodit Penal të Kosovës që ishte në fuqi deri në vitin 2019, me arsyetimin se veprimet inkriminuese të të akuzuarit sipas dispozitivit të aktakuzës janë kryer fillimisht në vitin 2018.
E për këtë vepër penale të rikualfikuar, i akuzuari Fetahu është dënuar me 10 muaj burgim dhe 1,200 euro gjobë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në dënimin me burgim Fetahut i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak, ndërsa gjobën i njëjti obligohet ta paguajë në afat prej një muaji nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
Nëse Fetahu nuk e paguan dënimin me gjobë, i njëjti do t’i zëvendësohet me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 60 ditëve, duke ia llogaritur 20 euro për një ditë burg.
Ndaj tij është shqiptuar edhe dënimi plotësues, që përfshinë ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbim publik në kohëzgjatje prej 2 viteve.
Fetahu është detyruar që të dëmtuarit Aliriza Hasku t’ia kompensojë dëmin e shkaktuar në shumën prej 460 euro.
Ndërsa, gjykata ka shpallur aktgjykim refuzues ndaj Bledar Haskut, i cili në këtë rast akuzohej për dhënie ryshfeti, pasi që prokurori Ali Uka në fjalën e tij përfundimtare kishte hequr dorë nga ndjekja penale ndaj tij.
E në aktgjykimin me shkrim, i cili është publikuar në faqe të gjykatës, ndër të tjera përmenden rrethanat që janë marrë për bazë kur është vendosur për llojin dhe lartësinë e dënimit që është shqiptuar ndaj Fetahut.
“Gjatë marrjes së vendimit mbi dënimin dhe llojit të tij, gjykata ka vlerësuar të gjitha rrethanat lehtësuese dhe rënduese të parapara me nenin 73 dhe 74 të KPRK-së, të cilat ndikojnë në llojin dhe lartësinë e dënimit. Përpos konstatimit të kryerjes së veprës penale në mënyrën, kohën dhe vendin si në pjesën ndëshkuese të dispozitivit të aktgjykimit, nuk ka gjetur ndonjë rrethanë posaçërisht rënduese për të akuzuarin, ndërsa si rrethana lehtësuese për të akuzuarin ka marrë parasysh sjelljen korrekte gjatë shqyrtimit gjyqësor, jo dënueshmerinë e tij të mëparshme, e të cilat rrethana kanë ndikuar që të akuzuarit D. F. ti shqiptohet dënimi me burgim në kohëzgjatje prej dhjetë (10) muajve, në të cilin dënim do ti llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 14.04.2020 gjerë me datë 12.06.2020, si dhe në masën e arrestit shtëpiak nga data 12.06.2020 gjerë me datë 10.10.2020, si dhe dënim me gjobë në shumën prej njëmijë e dyqind (1,200) €, me bindjen e plotë se ky dënim është në harmoni me peshën e veprës penale, shkallën e përgjegjësisë dhe personalitetin e të akuzuarit dhe se gjykata është e bindur se me dënimin e shqiptuar ndaj të akuzuarit, do të arrihet qëllimi i dënimit nga neni 41 të KPRK-së.”, thuhet në arsyetim të aktgjykimit.
Ndërsa, në fillim të arsyetimit të aktgjykimit përmenden faktet në bazë të të cilave gjykata e ka vërtetuar gjendjen faktike, si dëshmia e të dëmtuarit, dëshmitë e dëshmitarëve të dëgjuar, letra me shkrim të dorës ku është shënuar emri i të akuzuarit Fetahu dhe numri i telefonit, raportet e oficerëve policor, vërtetimin mbi sekuestrimin e të hollave, komunikimi i bërë përmes aplikacionit “Viber” në mes të Fetahut dhe Bledar Haskut etj.
Ndryshe, fillimisht para se aktakuza të ndryshohej, i akuzuari Fetahu ngarkohej me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe atë të marrjes së ryshfetit në bashkëkryerje me ish të akuzuarin Hasku, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktakuzës së përmirësuar për të dytën herë të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Driton Fetahu akuzohej se më 18 dhjetor 2018, në një lokal-byfe në afërsi të ndërtesës së ATK-së në Prizren, si inspektor i ATK-së në Prizren, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, nuk ka vepruar në pajtim me detyrën e tij zyrtare.
Aty thuhej se prej të dëmtuarit Aliriza Hasku, përmes Bledar Haskut, në mënyrë të tërthortë ka pranuar shumën prej 100 euro, e po ashtu më 14 janar 2019, në punëtorinë e zdrukthëtarisë “Beha”, pronë e të dëmtuarit, i njëjti nga i dëmtuari në mënyrë të drejtpërdrejtë ka pranuar një tavolinë së bashku me katër karrige në vlerë prej 360 euro.
Për këtë, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “marrje e ryshfetit”, nga neni 421, paragrafi 1 të KPRK-së.
Sipas aktakuzës së përmirësuar herën e parë, Bledar Hasku akuzohej në kohë të pacaktuar të muajit janar të vitit 2019, duke qenë në cilësi të kontabilistit në zdrukthëtarisë “Beha”, pronë e të dëmtuarit Aliriza Hasku, në mënyrë të tërthortë dhe me qëllim të përftimit të dobisë pasurore për vete ka pranuar të holla në shumën prej 100 euro nga i dëmtuari Hasku, të cilat të holla ia ka dhënë të Driton Fetahut.
Për këtë, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “dhënie ryshfeti” nga neni 422, paragrafi 2 i KPRK-së.