Përvoja e punonjësve ka më shumë rëndësi se kurrë. Si ta përmirësoni atë…

Punonjësit janë më produktivë kur janë të lumtur dhe të motivuar

Punonjësit janë gurët e themelit në formimin e një organizate dhe drejtimin e saj në mënyrë efektive. Natyrisht, produktiviteti i punonjësve është në përpjesëtim të drejtë me produktivitetin e organizatës duke qenë se janë punonjësit ata që e përbëjnë një organizatë.

Nga marrëdhënia që ata kanë me eprorët e tyre, kënaqësia që marrin nga puna që bëjnë e deri tek mbështetja që marrin nga organizata, përvoja e punonjësve përfshin një spektër të gjerë nevojash për të cilat duhet të kujdeset pikërisht organizata në të cilën ata bëjnë pjesë.

Reklama e sponzorizuar

Nevojat kryesore të punonjësve në 2021

Nevojat kryesore të një punonjësi kanë pësuar një ndryshim të madh gjatë dekadës së fundit. Punonjësit sot kanë më shumë mundësi dhe janë mësuar të punojnë në hapësirën dixhitale. Prandaj organizata duhet që të plotësojë nevojat në ndryshim të punonjësve të saj për të përmirësuar përvojën e tyre të punës dhe për të mos lejuar kështu që “talentet” të largohen prej saj.

Nevoja për një ekuilibër ideal mes punës dhe jetës personale

Puna e tepërt nuk konsiderohet më si një tregues i punës së vështirë apo një nxitje për të fituar ndonjë shpërblim. Punonjësit në ditët e sotme duan të ndjekin pasionet e tyre dhe ta kalojnë kohën e lirë me të dashurit e tyre. Një nga faktorët më të rëndësishëm që një punonjës konsideron para se të aplikojë për një punë në një organizatë është ekuilibri mes punës dhe jetës personale.

Nevoja për të punuar në distancë

Kohët e fundit, kjo nevojë është kthyer në një domosdoshmëri për shumicën e profesionistëve. Edhe para pandemisë Covid, punonjësit kishin filluar të shprehnin nevojën e tyre për të punuar nga shtëpia dhe organizatat ishin të bindura se kjo nuk do të ndikonte në produktivitetin e tyre. Sidomos me Teknologjinë e Informacionit, ku pothuajse e gjithë puna kryhet duke përdorur pajisje dixhitale, punonjësit mund të kenë akses në punë nga kudo ndodhen.

Nevoja për të bashkëpunuar në një mjedis pune virtual

Ndërsa punonjësit filluan të punojnë në distancë, tendencat e punës virtuale filluan të fitojnë popullaritet në organizata të ndryshme. Këto platforma i krijojnë mundësinë punonjësve të bashkëpunojnë në distancë me kolegët dhe me eprorët e tyre.

Nevoja për mbështetje të vazhdueshme

Pavarësisht nëse punojnë në distancë ose në ambientet e kompanisë, punonjësit kanë nevojë për mbështetje të vazhdueshme sa herë që hasin probleme gjatë punës së tyre. Rritja e mbështetjes së punonjësve do të bëjë që ata të ndihen sa më mirë në kompaninë në të cilën bëjnë pjesë.

Pse përvoja e punonjësve është kthyer në diçka kaq të rëndëishme me kalimin e kohës?

Sepse:

  • Përmirësimi i përvojës së punonjësve zvogëlon shkallën e largimit të tyre nga një kompani dhe zëvendësimin e tyre nga punonjës të rinj
  • Përmirësimi i përvojës së punonjësve rrit produktivitetin dhe inovacionin
  • Përmirësimi i përvojës së punonjësve ju krijon mundësinë juve si organizatë që të bëni pjesë të stafit punonjësit më të talentuar
  • Përmirësimi i përvojës së punonjësve çon në përvojë më të mirë për klientët
  • Përmirësimi i përvojës së punonjësve shoqërohet me fitime më të larta

Si ta përmirësoni përvojën e punonjësve brenda organizatës

  • Shfrytëzoni në maksimum platformat bashkëpunuese online
  • Ofrojuni një përvojë mbresëlënëse punonjësve të sapoardhur
  • Pyetini punonjësit tuaj se përse vazhdojnë të jenë pjesë e kompanisë suaj
  • Përqendrohuni në mirëqenien fizike dhe mendore të punonjësve tuaj
  • Tregojuni punonjësve tuaj reagimet e klientëve

Asnjëherë mos e merrni si të mirëqenë përvojën e punonjësve. Nëse keni nevojë të përmirësoni strukturën e brendshme të komunikimit, të merrni reagime të sinqerta ose të përdorni platforma të automatizuara, sigurohuni që punonjësit që punojnë për ju janë të lumtur dhe të motivuar. / Entrepreuner