Zyra e Presidentit gjatë vitit 2020 ka lidhur aneks kontratë në vlerë 100% të kontratës bazë, ndonëse aneks kontratat sipas rregulloreve nuk duhet asesi të nënshkruhen përmbi vlerën 10% të kontratës së përgjithshme, përcjell Buletini Ekonomik.
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) gjatë auditimit të këtij institucioni, si njërën nga shkeljet e tjera të Zyrës së Presidentit gjatë 2020-s, ka gjetur edhe lidhjen e një aneks-kontrate për sigurimin e veturave zyrtare në vlerë 100% të kontratës bazë, e cila sipas rregullores nuk guxon të jetë më shumë se 10% i vlerës së kontratës së përgjithshme.
Zyra e Presidentit kishte kontratë për “Shërbime të sigurimit të automjeteve, në vlerë 8 mijë e 356 euro, prej datës 24.05.2019 deri më datën 23.05.2020. Pastaj me datën 20.07.2020 kishte nënshkruar aneks kontratë me vlerën e njëjtë, pra 8,356 euro, me po të njëjtin Operator Ekonomik, me vlerë 100 % të çmimit fillestar të kontratës.
“Nënshkrimi i aneks kontratës në vlerën 100% pa zhvillim të procedurave, ka ndodhur për arsye se para përfundimit të kontratës bazë, procedura e hapur e prokurimit e shpallur me datën 09.07.2020 ishte anuluar për shkak të mungesës së ofertave dhe nuk është vazhduar prapë me ritenderim si dhe për arsye që të mos ngecin në ofrimin e shërbimeve të transportit për kabinetin dhe administratën e ZPRK”, jepet si arsye nga ZP për nënshkrimin e aneks-kontratës në kundërshtim me rregullore.
Sipas ZKA-së, nënshkrimi i aneks kontratës me vlerë më të lartë se ajo e lejuar, duke mos zbatuar procedurat e prokurimit, ndikon në zvogëlimin e konkurrencës dhe rrit rrezikun e pagesës së shërbimeve më të shtrenjta sesa çmimet aktuale të tregut.
Tutje, ZKA i rekomandon Sekretarit të Përgjithshëm që të sigurojë që nënshkrimi i aneks kontratës nuk duhet të nënshkruhet më shumë së 10% e vlerës së kontratës, në të kundërtën duhet të bëhet përmes procesit të rregullt dhe transparent të prokurimit. /Buletini Ekonomik/