Në bazë të raporteve të BQK-së, katër kompani të sigurimit në Kosovë operojnë jashtë parametrave ligjor për kapital dhe solvencë. Nga BQK-ja i kanë konfirmuar gjetjet, por nuk kanë treguar për veprimet që kanë ndërmarrë ndaj siguruesve.
Buletini Ekonomik
Kompania e sigurimit “Kosova e Re”, në bazë të raporteve zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), rrezikon të shkojë në procedurë të falimentimit. Kompania ka mungesë të kapitalit në shumë prej 6 milionë euro dhe mungesë për solvencë 4.50 milionë euro.
Në bazë të ligjit për sigurimet, kompanitë duhet të mbajnë nivele të caktuara të kapitalit si rezervë, për t’ju përgjigjur detyrimeve në të ardhmen.
Por, sipas raportit të monitorimit të BQK-së për vitin 2020, një kopje të të cilit e ka siguruar Buletini Ekonomi, të paktën katër kompani të sigurimit në Kosovë janë duke e ushtruar aktivitetin e tyre jashtë parametrave ligjor, përkatësisht mungesës së kapitalit dhe solvencës.
“Kërkesa përfundimtare për kompaninë “Kosova e Re” është 6 milionë euro”, thuhet në raportet e monitorimit të BQK-së.
Aktualisht “Kosova e Re” është nën administrim të BQK-së, por edhe pse ka kaluar faza e administrimit më 30 qershor ende nuk ka një vendim zyrtar për të. Administrimi është faza e fundit para se një kompani të shkojë në falimentim.
Bordi ekzekutiv i BQK-së e kishte marrë këtë vendim si rezultat i mospërmbushjes së kërkesave ligjore për kapital, solvencë dhe aseteve në mbulim të provizioneve teknike nga ana e kompanisë.
Raporti ka identifikuar me probleme financiare edhe tri kompani tjera në vend.
“Siguria” ka mungesë të kapitalit në shumë prej 4.42 milionë euro dhe mungesë për solvencë 2.81 milionë euro. Kërkesa përfundimtare ndaj kësaj kompanie është 4.42 milionë euro.
“Sigkos” ka mungesë të kapitalit në shumë prej 0.33 milion euro (330 mijë euro). Ndërsa kompania “Dukagjini” ka mungesë të kapitalit në shumë prej 0.07 milion euro (70 mijë euro).
Gjetjet nga raporti i kanë konfirmuar nga BQK-ja, mirëpo nuk kanë treguar specifikisht për veprimet që janë ndërmarrë ndaj siguruesve me probleme.
“Ju informoj se aktualisht, nga gjithsej 14 sigurues (jetë dhe jo-jetë), një sigurues është në proces të likuidimit, 10 prej tyre arrijnë të jenë brenda parametrave të kërkuar ligjor për sa i përket kapitalit dhe Solvencës, ndërsa 3 prej siguruesve nuk kanë arritur të mirëmbajnë nivelin minimal të kapitalit dhe Solvencës”, ka thënë Kushtrim Ahmeti, zëdhënës në BQK.
Sipas tij, siguruesit që kanë probleme me nivelet e kapitalit, janë në fokus mbikëqyrës nga BQK, me ç’rast BQK-ja ka ndërmarrë masat e nevojshme në pajtim me kompetencat dhe hapat e paraparë ligjorë, duke filluar nga sanimi i gjendjes përmes planeve të rimëkëmbjes financiare dhe administrimin e përkohshëm të siguruesve me probleme.
“Si rezultat i masave të ndërmarra gjatë viteve të fundit (2019-2020), është injektuar kapital nga aksionarët e siguruesve në mbi 14.1 milionë euro duke ndikuar në zvogëlimin e deficiteve të kapitalit. BQK-ja vlerëson se ka përmirësime në planifikimin dhe menaxhimin e kapitalit nga ana e siguruesve, të përcjellë me përmirësime në qeverisjen korporative të siguruesve, ndikuar nga mbikëqyrja e afërt dhe nga kërkesat e kornizës rregullative në vend. Natyrisht, hapat pozitiv dhe ndërmarrja e masave të parapara ligjore në këtë fushë duhet të vazhdojë edhe më tej”, ka shtuar ai.
Edhe në raportin vjetor për vitin 2020, BQK-ja i ka raportuar këto raste, por pa i përmendur emrat e kompanive.
“Për shkak të mos përmbushjes së planit të rimëkëmbjes financiare dhe gjendjes së rëndë financiare, Bordi Ekzekutiv i BQK-së ka vendosur siguruesin Kosova e Re nën administrim të përkohshëm nga 1 nëntor 2020 deri më 30 prill 2021”, thuhet në raportin vjetor të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për vitin 2020.
Në raport thuhet se si rezultat i mbikëqyrjes së afërt të sigurimeve dhe masave administrative të BQK-së, siguruesit edhe gjatë vitit 2020 kanë vazhduar me shtim të kapitalit.
“Në këtë vit janë shtuar 7.2 milionë euro, përderisa gjatë vitit 2019 ishin shtuar 6.9 milionë euro. Kjo ka ndikuar në uljen e numrit të siguruesve të cilët kanë qenë jashtë parametrave ligjor të kërkuar për kapital, solvencë dhe asete në mbulim të provizioneve teknike”.
Gjithashtu, viti 2020 është përmbyllur me një rritje të provizioneve teknike prej 9.0 milionë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Për shkak të problemeve të ngjashme, BQK e kishte dërguar në likuidim kompaninë e sigurimit “Insig”, e cila nuk arriti të këndellet as pas fazës së administrimit. Kompania la borxhe rreth 8 milionë euro, ku u dëmtuan financiarisht mijëra qytetarë që kishin polica të sigurimit në këtë kompani.
Shqetësime për situatën në këtë sektor kishte ngritur edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) në raportin “Rishikimi i stabilitetit të sektorit financiar”.
Me rregullore të BQK-së, shpenzimet e kompanive kufizohen në nivelin 35 për qind të primeve, por në vitin 2018, FMN-ja gjeti se shpenzimet në disa kompani e tajkaluan këtë prag, duke shkuar në rreth 50 për qind të primeve.
“Normat e larta të shpenzimeve mbizotërojnë me gjithë faktin se BQK-ja si duket ka nxjerrë një rregullore që kufizon shpenzimet në 35 përqind të primeve, normë kjo e cila respektohet vetëm nga kompanitë udhëheqëse në treg”, thuhej në raport. /Buletini Ekonomik/