Përderisa vendi ynë gjatë vitit 2020 e edhe muajt e fundit të 2021-s është përballur me mungesë të insulinës, në depot e Ministrisë së Shëndetësisë janë gjetur 14 mijë copa insulina me afat të skaduar.
Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin e saj të auditimit për vitin 2020 për MSH-në, ka gjetur se Ministria e Shëndetësisë ka treguar dobësi në menaxhimin e barnave, përcjell Buletini Ekonomik.
Ministria e Shëndetësisë gjatë vitit 2020 nuk ka arritur që t’i shpërndajë barnat e grumbulluara për repartet spitalore para skadimit të afatit të tyre.
Kështu, në depon qendrore të barnave të Ministrisë së Shëndetësisë (MSH) është hasur një sasi e lartë e barnave me afat të skaduar, që arrijnë vlerën e 36 mijë e 261 eurove. Prej tyre gjithsej 14 mijë e 220 copa insulina ishin me afat të skaduar, dhe nuk ishin shpërndarë për njerëzit në nevojë.
“Gjatë ekzaminimit fizik, në depon qendrore të barnave të Ministrisë së Shëndetësisë kemi vërejtur barna me afat të skaduar në vlerë 36,261€ (insulinë 14,220 copë)”, thuhet në raportin e Auditorit të Përgjithshëm.
Ndërkohë, gjatë muajve të fundit është vërejtur se qytetarët janë ankuar shumë për mungesë të insulinave në vend. Ka rreth pesë muaj, që nga marsi që në institucionet publike shëndetësore kishte pasur mungesë të insulinës. E pacientët me sëmundjen e sheqerit ishin detyrurar që t’i blejnë vetë këto ilaçe, ndonëse të njëjtat përfshihen në listën esenciale të barnave dhe do duhej të jipeshin falas për pacientët, kishte raportuar në maj RTK-ja.
Në anën tjetër, sipas zyrtarëve të Divizionit të Farmacisë në këtë ministri, arsyetim ky dhënë për ZKA-në, barnat nuk ishin shpërndarë në mungesë të kërkesave nga njësitë kërkuese.
Megjithatë, Auditori thekson se skadimi i afatit të barnave ka ndikuar direkt në humbje financiare për ministrinë, me mbi 36 mijë euro, dhe gjithashtu pritet që të ketë edhe kosto tjera shtesë për asgjësimin e tyre.
ZKA-ja i rekomandon ministrit të tanishëm që të sigurojë që të bëhet një planifikim i duhur në mënyrë që shpërndarja e barnave në të ardhem të kryhet para skadimit të afatit të tyre. (Mirjeta Shabani) /Buletini Ekonomik/