Në raportin për vlerësimin e tremujorit të parë të ekonomisë, më 2021, Banka Qendrore e Kosovës (BQK) potencon se rritja dyshifrore prej 15 përqind e stokut të depozitave në sektorin bankar, ishte ndikuar në masë të madhe nga tërheqja e 10 përqindëshit të pensioneve nga qytetarët.
“Ndër tjerash mund të jetë rezultat i transferimit të 10 përqind të mjeteve të pensioneve në llogari të kontribut-dhënësve në fund të vitit të kaluar. Po ashtu, edhe rritja e theksuar e remitencave përgjatë vitit 2020 dhe fillimit të vitit 2021 mund të ketë ndikuar në rritje të depozitave prej ekonomive familjare”, thuhet në raport.
Në fund të marsit 2021, stoku i gjithsej depozitave në sektorin bankar arriti vlerën prej 4.42 miliardë euro, rritje që kryesisht reflekton ecurinë e depozitave të arkëtuara prej ekonomive familjare.
Në baza tremujore, vetëm gjatë TM1 2021, depozitat u rritën për 62.2 milionë euro (zvogëlim prej 62.7 milionë euro në TM1 2020). Depozitat e arkëtuara nga ekonomitë familjare gjatë tremujorit të parë 2021 u rritën për 93.2 milionë euro (+2.4 milionë euro në TM1 2020), ndërsa vlera e stokut në fund të periudhës arriti 3.03 miliardë euro.
Në anën tjetër, depozitat e arkëtuara prej korporatave jofinanciare në këtë periudhë u zvogëluan për 35.4 milionë euro (-88.3 milionë euro në TM1 2020), ndërsa vlera e stokut në fund të periudhës arriti në 792.0 milionë euro.
Depozitat prej korporatave tjera financiare në këtë tremujor u zgjeruan për vetëm 6.5 milionë euro (+3.6 milionë euro në TM1 2020), e që kryesisht reflekton zhvillimet në sektorin pensional.Në fund të periudhës, stoku i kësaj kategorie shënoi vlerën prej 269.9 milionë euro.
Sipas kategorive, depozitat e transferueshme u rritën në vlerë prej 25.3 milionë euro (-67.1 milionë euro në TM1 2020) në baza tremujore, kurse stoku i tyre arriti vlerën prej 2.81 miliardë euro në fund të periudhës (mars 2021) (grafik 9).
Në të njëjtën periudhë, depozitat e afatizuara u rritën për 8.9 milionë euro (+3.5 milionë euro gjatë TM1 2020), duke arritur vlerën prej 1.03 miliardë euro në fund të periudhës (mars 2021), përderisa depozitat e kursimeve u rritën për 28.0 milionë euro (+1.0 milionë euro gjatë TM1 2020), duke arritur vlerën prej 580.8 milionë euro në fund të periudhës (mars 2021).
Depozitat e transferueshme vazhdojnë të kenë pjesëmarrjen më të lartë në gjithsej depozitat e sektorit (63.6 përqind), pasuar nga depozitat e afatizuara (23.3 përqind) dhe të kursimit (13.1 përqind).
Vlera e depozitave të reja të arkëtuara2 në TM1 2021 ishte 103.2 milionë euro, prej të cilave 31.1 milionë euro ishin depozita të arkëtuara nga korporatat jofinanciare, ndërsa 72.1 milionë euro depozita të arkëtuara nga ekonomitë familjare. /Buletini Ekonomik/