Votohet projektligji mbi ndarjet buxhetore, PDK e AAK kundër

Sot Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim ka votuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Kosovës për vitin 2021.

Por, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhërinë e Kosovës kanë votuar kundër këtij projektbuxheti, përcjell klankosova.tv.

Kryetarja e këtij Komisioni Verica Ceraniq, ka treguar shumën që është ndarë për komunitete dhe me amendamente.

“Buxheti prej 1 milionë e 200 mijë euro, 600 mijë euro për komunitetet serbe dhe 600 mijë për komunitetet tjera”, ka thënë Ceraniq.

Reklama e sponzorizuar

Ndërsa deputeti i PDK-së, Elmi Reçica, fillimisht shprehu ngushëllime për personat që humbën jetën në aksidentin në Kroaci dhe tregoi që këtë buxhet si parti nuk do ta votojnë.

“Meqë kemi pas një aksident të rëndë të qytetarëve tanë në Kroaci ku janë të vdekur 10 persona dhe shumë të lënduar kisha dashtë në emër të komisionit me ju shpreh ngushëllime të gjithë familjarëve dhe njëkohësisht ju dëshiroj shërim sa më shpejtë të gjithë ata që janë të lënduar”.

”Kur futemi brenda këtij buxheti ka çështje të cilat realisht duhet të diskutohen dhe do duhej të ndryshohen dhe të plotësohen. Unë deklaroj se si tillë ky buxhet nga deputetet e PDK-së dhe nga unë nuk do të votohet”, ka thënë Reçica.

Por këtë buxhet nuk e votoi as Shemsedin Dreshaj nga AAK, pasi që sipas tij ky buxhet ka ndasi politike në raport me komunat e tjera.

“Shfrytëzoj rastin të ju shpreh ngushëllime familjarëve dhe të lënduarve ju dëshiroj shërim të shpejtë. Në emër të Aleancës nuk do ta votojmë jemi kundër për shkak se është e vërtetë që ka primesa politike në raport me komuna të caktuara”, ka thënë Dreshaj.