Shpenzimet deri në 500 milionë euro të diasporës

Vetëm gjatë muajit korrik dhe gusht mbi 50 për qind ka pasur rritje të shitjes kompania ‘Laberion’, e cila merret me prodhimin e lëngjeve në Kosovë, thotë pronari i kësaj kompanie, Bashkim Osmani.

Kjo rritje, shton ai, ka ardhur nga numri i madh i qytetarëve nga diaspora të cilët po kalojnë pushimet në Kosovë.

“Diaspora bëjnë shpenzime kur vijnë në Kosovë dhe na krijojnë mundësi të zhvillimit të dukshëm ekonomik. Nga muaji qershor punojmë me dy ndërrime, falë konsumit që rritet”, thotë Osmani për Radion Evropa e Lirë.

Reklama e sponzorizuar

Në vitin e kaluar në periudhën e njëjtë kohore, kompania ‘Laberion’, kishte shënuar rënie të shitjes për mbi 20 për qind, pasi diaspora kishte anuluar vizitat në Kosovë për shkak të pandemisë me COVID-19.

Sezoni i verës është koha kur qytetarët që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit kthehen në Kosovë për të kaluar pushimet.

Gjatë kësaj kohe, shumë herë nuk arrin të gjesh taksi të lirë apo një vend në restorante apo kafiteri. Rrugët po ashtu janë të ngarkuara me automjete. Bizneset raportojnë për rritje të madhe të konsumit.

Diaspora, infuzion për ekonominë e Kosovës

Lirim Krasniqi nga Organizata joqeveritare Germin, organizatë kjo që merret kryesisht me çështje të diasporës, vlerëson se nga fundi i muajit qershor deri në fillim të muajit gusht, rreth 1 milion qytetarë nga diaspora kanë ardhur në Kosovë.

Ai tregon se në rastin më të mirë, shpenzimet e tyre gjatë sezonit të verës, sipas vlerësimeve të bëra, arrijnë shifrën e 500 milionë euro.

“Sipas një vlerësimi që kemi bërë, në rastin më të keq të mundshëm, diaspora ka shpenzuar rreth 300 milionë euro gjatë vizitave që janë bërë në Kosovë gjatë muajve të verës. Në rastin më të mirë, ajo shifër mund të shkojë deri në 500 milionë euro. Cilido rast, është shifër e lartë dhe infuzion për ekonominë e Kosovës, sidomos në rrethana të pandemisë kur disa biznese kishin regjistruar humbje të mëdha për shkak të mbylljes së përkohshme nga masat COVID-19”, thotë Krasniqi.

Përveç shpenzimeve që diaspora e Kosovës bën gjatë sezonit të verës, çdo vit Kosova pranon remitenca. Vetëm vitin e kaluar mjetet e ardhura nga diaspora kanë kapur vlerën prej 980.1 milionë euro.

Numër rekord i hyrjeve në Kosovë

Të dhënat zyrtare tregojnë se numri i personave që ka hyrë në Kosovë përmes transportit rrugor dhe ajror gjatë muajit korrik dhe gusht ka shënuar rritje.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës dërguar Radios Evropa e Lirë theksohet se derisa në muajin qershor numri i personave që kanë hyrë përmes transportit rrugor ka qenë 1.858,533, në muajin korrik është rritur për 1.032,318.

Ndërsa, vetëm brenda 15 ditëve të muajit gusht në Kosovë kanë hyrë 1.409,502 persona.

Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” numri i udhëtarëve në muajin korrik ishte 340.446. Krahasuar me periudhën e njëjtë kohore të vitit 2019, ka pasur rritje për 60.433 udhëtarë.

Në 15 ditë të muajit gusht janë realizuar 738 fluturime me 91.634 udhëtarë.

Rriten të hyrat tatimore dhe doganore

Se ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje ka theksuar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Duke bërë një krahasim me vitin e kaluar, Kurti ka thënë se vetëm në tremujorin e dytë të këtij viti qarkullimi i bizneseve ka shënuar rritje për 46 për qind.

Ky krahasim ka hasur në reagime nga opozita.

Ish-ministrja e Financave nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami thekson se nuk bëhen krahasime me vitin e kaluar kur vendi ishte i mbyllur për shkak të pandemisë.

“Normal se ka 37 për qind më shumë TVSH të mbledhur se vitin e kaluar, sepse vitin e kaluar vendi ka qenë i mbyllur. Normal se ka 95 për qind më shumë tatim në pronë të mbledhur këtë vit, sepse vitin e kaluar, qytetarët për shkak të mbylljes as që kanë pasur mundësi ta paguajnë tatimin në pronë”, ka shkruar Bajrami në rrjetin social Facebook.