Qeveria fton qytetarët që të aplikojnë për pozita udhëheqëse në ndërmarrje publike

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli përmes një video-mesazhi i bëjnë thirrje qytetarëve që të aplikojnë në konkurset publike.

Sipas Kurtit, ndërmarrjet publike kanë nevojë për nevojë dhe interesim të secilit profesionit.

“Ndërmarrjet publike duhet të ofrojnë shërbime cilësore për qytetarët dhe bizneset, si dhe të kontribuojnë në buxhetin e Republikës. Prandaj, duhet të udhëhiqen nga profesionistë të aftë, me integritet personal, e të cilët kanë për qëllim zhvillimin e ndërmarrjes. Jo për zhvillimin e interesave të ngushta, që mandej i bënë ato ndërmarrje barrë për shtetin”, ka thënë Kurti, përcjell Telegrafi.

Reklama e sponzorizuar

“Që kjo të arrihet ne kemi nevojë për vëmendjen dhe interesimin e secilit profesionist të fushës të cilët prej kohësh kanë pasur dëshirë të kyçen, por vullneti i tyre për të aplikuar është shtypur nga bindjet që kishin për proceset e korruptuara të përzgjedhjes”, ka shtuar ai.

Ndërsa ministrja Rizvanolli, ka thënë se ndërmarrjet duhet të përfshijnë profesionistë me integritet për t’i shtyrë proceset përpara.

“Gjatë javëve dhe muajve në vijim, Qeveria do të udhëheqë procesin e rekrutimit për borde të rregullta të drejtorëve për shumicën e ndërmarrjeve publike qendrore. Ndërmarrjeve të tona publike iu duhen gra dhe burra profesionistë, me integritet e vullnet për t’i shtyrë ato drejt së potencialit të tyre të plotë. Gra dhe burra që kanë vizion për të planifikuar dhe zbatuar reforma që do t’i shndërrojnë ndërmarrjet tona në ndërmarrje konkurruese e që mund t’i përmbushin kërkesat e qytetarëve”, është shprehur Rizvanolli.

Ajo fton të gjithë profesionistët që të aplikojnë për këto pozita.

“Ju ftojmë të gjithë ju që konsideroni që i përmbushni këto kritere dhe jeni profesionistë të fushave si inxhinieria, menaxhimi, financat, auditimi, drejtësia të aplikoni në konkurset për borde të drejtorëve”, ka ftuar ajo.

KEK-u, Ibër Lepenci, KRU Prishtina, Infrakos, KRU Hidroregjioni Jugor, KRU Radoniqi dhe KRU Mitrovica janë disa ndërmarrjet publike që pritet të hapet konkurs për plotësimin e pozitave.