Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) ka reaguar ndaj shkeljeve dhe manipulimeve që po ju bëhen konsumatorëve nga operatorët kabllorë.
Ky Institut përmes një letre zyrtare drejtuar Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), ka kërkuar që të adresohen zyrtarisht ankesat e konsumatorëve për manipulime e shkelje të kontratave nga ana e operatorëve kabllorë.
Në platformën ‘Mbrojtësit e Konsumatorëve’, kohëve të fundit janë rritur shumë ankesat e konsumatorëve lidhur me operatorët kabllorë, duke thënë se këta operatorë po bëjnë manipulime me kontratat e tyre dhe nuk po i respektojnë pikat e kontratave individuale, duke ndërruar kështu kanalet pa paralajmërim, dhe duke i refuzuar konsumatorët t’i shkëpusin kontratat 6 mujorëshe ose 1 vjeçare, përcjell Buletini Ekonomik.
“Me anë të letrës sonë, ne kërkojmë sqarim nga KPM se si i mbron ligji konsumatorët të cilët po ankohen për manipulime me çmime nga operatorët kabllorë, ndërrimin pa paralajmërim të kanaleve, kontratat e paunifikuara të operatorëve kabllorë e pa anekse të listave të kanaleve dhe refuzimin e operatëve kabllorë për shkëputjen e kontratave”, thuhet në reagimin e INDEP-it.
Si arsye se pse konsumatorët po kërkojnë t’i shkëpusin këto kontrata janë manipulimet nga operatorët kabllorë me ngritje të paralajmërëruara të çmimeve si dhe me ndryshimin e papritur të listës së kanaleve / programeve që operatorët kabllorë i ofrojnë.
INDEP konsideron që me Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit Nr. 06/L-034, konsumatorëve iu garantohet e drejta në shërbim cilësor dhe mbrojtje ligjore në rast të praktikave të padrejta dhe mashtruese tregtare. Rrjedhimisht, edhe e drejta e shkëputjes së kontratës duhet të garantohet dhe mbrohet.
Tutje, me nenin 72 të Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit ‘Kushtet të cilat konsiderohen si të padrejta në kontratë’, praktika e operatorëve kabllorë për të mos përfshirë si aneks Listën e Kanaleve dhe ndryshimin pa paralajmërim të listës së kanaleve, përkufizohen me pikën 1.10: -‘Mundësimit të shitësit apo furnizuesit të ndryshoj kushtet e kontratës në mënyrë të njëanshme, pa një arsye të vlefshme e cila është e specifikuar në kontratë; ‘ dhe pikën 1.11:‘Mundësimit të shitësit ose furnizuesit të ndryshoj në mënyrë të njëanshme ndonjë nga karakteristikat e produktit ose shërbimit të ofruar, pa një arsye të vlefshme;’.
Po ashtu, me Ligjin për Komunikimet elektronike numër 04/L-109, neni 85, pika 7 përkufizohet se:
‘konsumatorët…. nëse kërkojnë, duhet të kenë mundësinë që të lidhin kontratë me ndërmarrësit tjerë që ofrojnë shërbime dhe/ose rrjete të komunikimeve elektronike ose qasje në rrjetet publike të komunikimeve elektronike. Kontrata së paku duhet të përmbajë detajet për çmimet dhe tarifat, mënyrën se si informatat e përditësuara për të gjitha tarifat dhe shpenzimet e mirëmbajtjes mund të merren, mënyrat e ofruara të pagesës, si dhe çdo diferencë në çmime varësisht nga mënyra e pagesës;’.
Konsumatorët, gjithashtu po ankohen se pavarësisht kontratave që kanë lidhur me çmime fikse nga operatorët kabllorë, operatorët po i ngrisin çmimet pa paralajmërim, duke iu shkaktuar dëme ekonomike konsumatorëve. Prandaj, kërkojmë sqarim nga KPM se cili nen i ligjit i mbron konsumatorët nga këto manipulime të operatorëve kabllorë.
Neni 85 tutje vazhdon se kontrata duhet të përmbajë pika si: ‘kohëzgjatja e kontratës dhe kushtet për përtëritje të kontratës, përfundimin e kontratës si dhe përfundimin e shërbimeve, duke përfshirë përcaktimin e kohëzgjatjes minimale për të përfituar nga ofertat promovuese; çfarëdo pagese lidhur me shkëputjen e kontratës, përfshirë këtu pagesat që kanë të bëjnë me pajisjet fundore; kompensimin dhe rimbursimin në rastet kur shërbimi i ofruar nuk është në nivel të cilësisë së kontraktuar;’
Gjithashtu, INDEP po kërkon një sqarim nga KPM nëse forma e kontratës që operatorët ua paraqesin konsumatorëve për nënshkrim është uniforme apo jo. Shtuar kësaj, kjo formë, nëse ekziston, a përmban informata mbi të drejtat konsumatore dhe se a është aprovuar nga ana e KPM-së?
Nëse ende nuk ekziston, nga INDEP thonë se kërkojnë nga KPM-ja që të hartoj një formë të tillë të unifikuar të kontratës të cilën e përdorin të gjithë operatorët kabllorë pa dallim dhe e cila krijohet bazuar në pikat të cilat i parasheh ligji dhe garantojnë mbrojtjen e konsumatorit.
“Në këtë drejtim, ne si INDEP, shprehim gatishmërinë tonë që të japim kontribut për hartimin e kësaj forme. Kur kjo të arrihet, kontribut duhet të jipet edhe nga palët e tjera dhe t’u krijohet hapësirë që të mund të komentojnë formën deri sa ajo të miratohet dhe vihet në praktikë”, vazhdon tutje ragimi.
Konsumatorët po vazhdojnë të raportojnë që kontratat e tyre me parapagim me operatorët kabllorë po modifikohen pa u paralajmëruar paraprakisht.
Ndërkohë, e drejta e garantuar me Ligjin për Komunikimet elektronike numër 04/L-109, neni 85, pika 7.5. parasheh:
‘të drejtën e parapaguesit që të shkëpusin kontratën e tyre pa u ndëshkuar pas paralajmërimit për modifikim të kushteve të kontratës të propozuara nga ndërmarrësit që ofrojnë shërbime dhe/ose rrjete të komunikimeve elektronike. Parapaguesit duhet të informohen për të gjitha ndryshimet e propozuara në kushtet e kontratës jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para futjes se këtyre ndryshimeve. Në rast të mospajtimit me ndryshimet e kushteve, parapaguesi ka të drejtë që, pa asnjë pasojë, të shkëput kontratën.’
“Si përfundim, kërkojmë nga KPM që duke zbatuar mandatin e saj të vihet në mbrojtje të konsumatorëve që duan të shkëpusin kontratat e tyre me operatorët kabllorë dhe të sqarojë përse operatorët po praktikojnë ngritjen e çmimeve pa paralajmërim për konsumatorët kabllorë dhe çfarë monitorimesh kryen KPM për të parandaluar këtë manipulim të operatorëve kabllorë”, përfundojnë nga INDEP. /Buletini Ekonomik/