“Rritja e çmimeve në Kosovë më shumë i ngjason mashtrimit sesa që është një përgjigje ekonomike”

Fotografi ilustruese

Muajve të fundit kas pasur rritje të çmimeve të shportës së konsumatorëve. Shumë qytetarë kanë shprehur pakënaqësitë me lëvizjet e paarsyeshme në çmimet e produkteve bazë që ata i konsumojnë çdo ditë.

Për Selatin Kaçanikun nga organizata “Konsumatori” rritja e shpejtë e çmimeve në Kosovë më shumë i ngjason mashtrimit ekonomik sesa që është një përgjigje ekonomike.

Në një përgjigje për Telegrafin, Kaçaniku shton se  rritja e tyre nuk vjen nga tregu botëror, por nga teket e bizneseve.

Reklama e sponzorizuar

“Ne iu nënshtrohemi një rritje stihike të çmimeve që më shumë i ngjason mashtrimit ekonomik se sa që është një përgjigje ekonomike që janë të ndikuara nga pandemia COVID-19 apo ndryshimet stinore të çmimeve”, shprehet Kaçaniku.

Sipas tij, ka pasur rritje të çmimeve deri në 40 për qind dhe se nuk po monitorohet aspekti nominal i çmimeve.

“Për fat të keq ka ngritje të çmimeve dhe se nuk datojnë vetëm nga ky muaj. Ajo që është më e keqja te ngritja e çmimeve, rritja e tyre nuk vjen nga tregu botëror, por vjen më shumë nga teket e prodhuesve, shitësve ose tregtareve me pakicë e shumicë, të disa shërbyesve e në veçanti të hoteleve, restoranteve dhe gastronomive, transportuesve lokal. Për shembull, te transportuesit lokal kemi evidentuar rritje të çmimeve prej 40 për qind dhe këto rritje që varen nga teket e pronareve të bizneseve, kundruall nuk trajtohet dhe nuk monitorohet aspekti nominal i çmimeve dhe aspekti i mashtrimit me sasi, mashtrimit me komponentë të munguar, ku të gjithë barrën e merr qytetari konsumator”, tha ai.

Selatin Kaçaniku, kryetar i OJQ “Konsumatori”

Kaçaniku thotë se deri sa jemi në këto rrethana, qeveria duhet ta dëgjoj popullin, duke i dhënë mbështetje financiare.

“Deri sa ne jemi në këtë rrethanë, shteti detyrimisht apo në mënyrë obligative duhet ta dëgjoj popullin. Te jepen para nga buxheti që ne e financojmë, për disa biznese që janë ligsht fiskalisht performuese, do të thotë se ato nuk paguajnë taksa dhe abuzojnë më Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, duke e fshehur, ndërsa shteti i mbështet. Me këtë ne duhet të dyshojmë se është fjala për biznese që financojnë partitë politike”, thotë Kaçaniku për Telegrafin.

Nga të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), ka pasur rritje të çmimeve për produktet bazë të konsumit.

ASK thotë se inflacioni i matur në muajin gusht 2021 ishte më e lartë në një mesatare prej 4.7 për qind, ndërsa inflacioni për vitin 2020 ishte 0.2 për qind.

“Rritje ka pasur për bukë e drithëra me 1.9 për qind, mish me 0.9 për qind, qumësht, djathë e vezë me 7.4 për qind, vajra dhe yndyra ushqimore me 28.5 për qind, perime me 21.3 për qind, pije alkoolike me 4.4 për qind, karburante me 26.2 për qind, shërbime për transport me 4.4 për qind, shërbimet telefonike me 20.3 për qind, pushime të organizuara turistike me 15.2 për qind, shërbime hoteliere me 0.8 për qind dhe shërbime financiare me 4.2 për qind”, thuhet në njoftimin e ASK-së.