Përkundër paralajmërimeve të javëve të fundit rreth rritjes së çmimit të derivateve në Kosovë, këtë javë çmimet e naftës dhe benzines, në të shumtën e ditëve, kanë mbetur të qëndrueshme.
Mirëpo, çmimet e karburanteve janë ngitur aty këtu për disa centë, te ndonjë pompë benzine, ku pronari ka vepruar kokë në vete, pa u konsultuar me asnjë zyrtar nga Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës apo nga ndonjë insitucion tjetër.
Ndërkohë Fadil Berjani, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, ka thënë për Buletinin Ekonomik se çmimi i naftës sot në tregun kosovar është duke u tregtuar prej 1.15 deri në 1.21 cent, ndërkohë që çmimi i benzinës tregtohet nga 1.20 deri në 1.27 cent, njësoj sikurse edhe javën e kaluar.
Sipas Berjanit, qytetarët e Kosovës për momentin janë duke u shërbyer me çmimet më të ulëta në rajon, duke përmendur kështu edhe çmimet e derivateve në Shqipëri që janë larg më të shtrenjta sesa në Kosovë, përcjell Buletini Ekonomik.
Ai theksoi se dje në Shqipëri, çmimi i naftës ka qenë 1.52 cent, ndërsa ai i benzinës ka arritur në 1.55 cent.
E në rastin e ndonjë krize eventuale që do të mund ta përfshinte Kosovën, Berjani sqaroi tutje për qytetarët se nuk ka nevojë për panikë dhe se Kosova nuk do të përballet me ndonjë krizë të madhe të derivateve.
“Nuk ka nevojë për panikë. Nuk do të ketë krizë të derivateve në Kosovë”, ka thënë Berjani.
Sipas kreut të Naftëtarëve, çmimi i derivateve përcaktohet nga Berza ndërkombëtare dhe nga Organizata e vendeve eksportuese të naftës -OPEC. /Buletini Ekonomik/











