Kriza e ashpër energjetike ka prekur shumë shtete të Europës. Ajo po shprehet me rritjen e madhe të çmimeve të gazit natyror, të karburanteve – naftës dhe benzinës – dhe të energjisë elektrike. Edhe shtetet e rajonit kanë raportuar se tani më janë duke u përfshirë nga kjo krizë. Në Kosovë, ende nuk vërehet ndonjë ndryshim i madh në çmime, vetëm paralajmërohet se nuk do të shpëtohet pa u prekur. Ndërkohë inflacioni arriti në 4.7% në gusht, niveli më i lartë që nga viti 2011.
Prej disa ditësh, Europa ka dhënë alarmin për krizën energjetike që ka nisur të shfaqet në shumë shtete të kontinentit të vjetër, por edhe më shumë për mundësitë e thellimit në muajt në vijim. Tashmë, kriza e ashpër energjetike ka prekur Shqipërinë dhe disa shtetet të rajonit.
Ajo po shprehet me rritjen e madhe të çmimeve të gazit natyror, të karburanteve – naftës dhe benzinës – dhe të energjisë elektrike. Dita-ditës këto çmime po rriten me agresivitet të lartë, duke thyer të gjitha rekordet dhe duke shkuar në kuotat që Europa nuk i mban mend ndonjëherë të ketë ndodhur kështu.
Sado që në Kosovë, tani për tani, kriza energjetike nuk po shpërfaqet drejtpërsëdrejti dhe nuk është e prekshme si në shumë vende të Europës, ajo domosdo po troket te dera. Njohësi i ekonomisë, Safet Gerxhaliu, thotë se Kosova shumë shpejt do të preket nga kjo krizë, dhe sipas tij, ata që thonë se vendi nuk do të preket gabojnë.
“Kosova do të preket edhe nga kjo krizë. Nuk mund të thuhet se vetëm vendi ynë nuk do të preket, ky është shumë gabim. Ne jemi tani në epokën e globalizimit dhe çfarëdo që ndodh në botë e Europë, edhe ne do të jemi pjesë e saj. Kriza e naftës dhe energjisë tashmë vetëm është afër shtetit tonë dhe ajo do të ndihet shumë shpejt” . Gerxhaliu tha se edhe Qeveria dhe institucionet e tjera shtetërore duhet të përgatiten për një valë të krizës.
“Them se të gjitha institucionet shtetërore duhet të fillojnë të përgatiten. Ata duhet të flasin edhe para qytetarëve dhe të tregojnë se cila është gjendja. Nëse në rajon ka filluar të ndihet kriza e energjisë dhe naftës, kjo do të ndihet edhe tek ne”.
Në dimër mund të lëvizë çmimi i energjisë
Në KEDS, distributori i vetëm i energjisë elektrike në Kosovë, thonë se kanë bërë të gjitha përgatitjet që ta kalojmë stinën e dimrit me sa më pak probleme.
“Sigurisht, janë ndërmarrë masat parandaluese dhe janë bërë investime të fuqishme anekënd vendit, në mënyrë që të krijohen parakushtet për ofrimin e shërbimeve sa më kualitative. Natyrisht, në vazhdën e tyre, janë faktorë të tjerë që nuk janë në dorën tonë. Aty hyjnë edhe prodhimi vendor i energjisë elektrike dhe importi, si faktorë që e mbulojnë kërkesën në rritje, sidomos pas ftohjes së kohës”, thonë në KEDS.
Sipas KEDS, çmimet aktuale në bursa ndikojnë direkt edhe në Kosovë. “Çmimet aktuale në bursa janë në stratosferë, pra shumë të larta. Natyrisht, ato çmime kanë ndikim direkt edhe në Kosovë, pasi edhe ne jemi pjesë e këtij tregu. Konsumi varet shumë edhe nga moti, pasi një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve ngrohen me energji elektrike.
Në të njëjtën kohë, në Kosovë ekziston një zinxhir i kompanive elektroenergjetike dhe secila hallkë ka një funksion të caktuar dhe jetik për funksionimin e të gjithë këtij zinxhiri. Pra ne nuk e dimë cili do të jetë prodhimi vendor, pasi për këtë janë përgjegjëse kompanitë prodhuese, përkatësisht pjesën më të madhe e prodhon KEK-u si pjesë e këtij zinxhiri”.
Sipas përfaqësuesve të prodhuesve të gazit në botë, kërkesat gjithnjë në rritje për gaz, kanë ndikuar në çmimet rekorde, të cilat sipas zhvillimeve në të ardhmen e afërt ka mundësi fare lehtë të tejkalohen me rekorde të reja.
“Rritja e çmimeve në Europë lidhet me rritjen e kërkesës për energji ndërkohë që po hiqen kufizimet e vendosura nga pandemia”, ka thënë Tim Gore, nga Instituti për Politikën Europiane të Mjedisit (IEEP). Edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ditë më parë, në një konferencë të pazakontë, alarmoi duke thënë se “kemi përballë një krizë të jashtëzakonshme energjetike, dhe Shqipëria nuk do të mbesë e paprekur”.
Ai tha se shumë shpejt do të përballemi me çmime të larta. “Kjo është krizë e jashtëzakonshme energjetike, e cila vetëm sapo ka nisur të japë shenjat e saj tejet shqetësuese në tregjet e mëdha të botës, duke nisur nga Kina e Koreja e Jugut, në Amerikë, në Britaninë e Madhe dhe në hapësirën e Bashkimit Europian, e deri në vendet fqinje, si Italia e Greqia. Temperatura e kësaj krize po rritet kudo, tanimë me orë, jo me ditë, ndërkohë që ulja e temperaturave të motit, po afron bashkë me dimrin dhe me rritjen e natyrshme të nevojës edhe për ngrohje”.
Kriza e naftës ende nuk vërehet në Kosovë
Shqipëria dhe disa vende të Europës kanë njoftuar se ka filluar rritja e çmimeve të naftës dhe benzinës. Mirëpo kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, ka thënë se kriza e naftës nuk e ka prekur ende Kosovën. “Nuk ka ende luhatje çmimi i derivateve. Në të ardhmen mundet, sepse kemi furnizime edhe nga Shqipëria”.
Berjani ka thënë se sa u përket çmimeve, i përcakton bursa dhe organizatat prodhuese OPEC. Organizatat prodhuese OPEC janë ndërmarrësit më të mëdhenj të derivateve të naftës. “Te ne reflekton bursa. Çmimi është rritur për një kohë të gjatë me shumicë, ndërsa me pakicë nuk ka ndryshime. Jemi për momentin më të lirët në rajon, ku çmimi varion 1,12 euro deri në 1,20 euro për një litër naftë, ndërsa çmimi i benzinës varion 1,16 euro deri në 1,25 euro. Kjo do të thotë që çmimet variojnë, pra oferta dhe kërkesa janë duke e përcaktuar çmimin”.
Sipas tij, qytetarët e Kosovës janë duke u furnizuar me derivate me çmimin më të ulët në rajon, përveç Maqedonisë së Veriut, e cila e ka akcizën 0,22 euro më të lirë se Kosova.
“Sa i përket Shqipërisë, mendoj se kriza e naftës është bërë më shumë mediatike, te ne në Kosovë nuk ka nevojë për panik, çmimet normal që do të rriten, kur të rritet edhe bursa. Por kujtojmë se çmimet te ne kanë qenë më të lirat edhe në kohë pandemie. Edhe në këtë krizë globale, e cila është duke u shfaqur ditët e fundit, mendoj që qytetarët janë duke u shërbyer me çmime më të lira”.
Rritja e çmimeve nga tekat e bizneseve
Selatin Kaçaniku, nga organizata “Konsumatori”, thotë se rritja e shpejtë e çmimeve në Kosovë më shumë i ngjan mashtrimit ekonomik sesa është një përgjigje ekonomike. “Ne iu nënshtrohemi një rritje të paorganizuar të çmimeve që më shumë i ngjason mashtrimit ekonomik se sa është një përgjigje ekonomike, e ndikuar nga pandemia COVID-19 apo ndryshimet stinore të çmimeve”.
Sipas tij, ka pasur rritje të çmimeve deri në 40% dhe se nuk po monitorohet aspekti nominal i çmimeve.
“Për fat të keq ka rritje të çmimeve dhe se nuk datojnë vetëm nga ky muaj. Më e keqja është se rritja e çmimeve nuk vjen nga tregu botëror, por më shumë nga tekat e prodhuesve, shitësve ose tregtarëve me pakicë e shumicë, të disa shërbyesve e në veçanti hoteleve, restoranteve dhe gastronomive, transportuesve lokalë.
Për shembull, te transportuesit lokalë kemi evidentuar rritje të çmimeve prej 40% dhe këto rritje që varen nga tekat e pronarëve të bizneseve, kundruall nuk trajtohet dhe nuk monitorohet aspekti nominal i çmimeve dhe aspekti i mashtrimit me sasi, mashtrimit me komponentë të munguar, ku të gjithë barrën e merr qytetari konsumator”.
Kaçaniku thotë se deri sa jemi në këto rrethana, qeveria duhet ta dëgjojë popullin, duke i dhënë mbështetje financiare. “Deri sa ne jemi në këtë rrethanë, shteti detyrimisht apo në mënyrë obligative duhet ta dëgjojë popullin. Te jepen para nga buxheti që ne e financojmë, për disa biznese që janë ligsht fiskalisht performuese, do të thotë se ato nuk paguajnë taksa dhe abuzojnë më Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, duke e fshehur, ndërsa shteti i mbështet. Me këtë ne duhet të dyshojmë se është fjala për biznese që financojnë partitë politike”, thotë Kaçaniku.
Nga të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), ka pasur rritje të çmimeve për produktet bazë të konsumit. ASK thotë se inflacioni i matur në muajin gusht 2021 ishte më i lartë në një mesatare prej 4.7%, ndërsa inflacioni për vitin 2020 ishte 0.2%.
“Rritje ka pasur për bukë e drithëra me 1.9%, mish me 0.9%, qumësht, djathë e vezë me 7.4%, vajra dhe yndyra ushqimore me 28.5%, perime me 21.3%, pije alkoolike me 4.4%, karburante me 26.2%, shërbime për transport me 4.4%, shërbimet telefonike me 20.3%, pushime të organizuara turistike me 15.2%, shërbime hoteliere me 0.8% dhe shërbime financiare me 4.2%”.
Çmimi i qymyrit, karbonit dhe gazit në Europë, ka arritur nivele rekord, pasi çmimi i naftës shkoi në mbi 80 dollarë, apo rreth 70 euro për fuçi, duke treguar shenja se bota po shkon drejt një krize të energjisë. Britania e Madhe është duke u përballur me krizën të naftës.
Ndërsa, çmimet e gazit natyror në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u rritën në mbi 6 dollarë për milion njësi termike britanike, çmimi i tyre më i lartë në shtatë vjet. Kjo rritje vjen mes furnizimit të kufizuar dhe konkurrencës në rritje midis Europës dhe Kinës, që i ka rritur çmimet e gazit në nivele rekord javët e fundit.
Inflacioni në gusht arrin në 4.7%
Çmimet e produkteve të ndryshme në Kosovë shënuan një rritje të ndjeshme në muajin gusht. Agjencia e Statistikave e Kosovës (ASK) njoftoi se norma vjetore e inflacionit e matur në muajin gusht 2021 me muajin gusht 2020 ishte 4,7%. Ky është niveli më i lartë i inflacionit në një dekadë, që nga viti 2011.
Sipas ASK, Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 4,7 për qind në muajin gusht 2021 krahasuar me muajin gusht 2020.
Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet e COICOP-it: buka dhe drithërat (1,9%), mishi (0,9%), qumështi, djathi dhe vezët (7,4%), vajrat dhe yndyrnat ushqimore (28,5%), perimet (21,3%), pijet alkoolike (4,4%), duhani (2,7%), gazi (10,4%), lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (8,9%), mobilie dhe orendi, qilima dhe mbulesa të tjera dyshemeje (2,8%), pajisje shtëpiake (3,9%), veglat dhe pajisjet për shtëpi dhe kopsht (2,2%), blerja e automjeteve (1,2%), pjesë këmbimi dhe pajisje shtesë për pajisjet e transportit personal (1,6%), karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal (26,2%), mirëmbajtja dhe riparimi i pajisjeve personale të transportit (6,6%), shërbime të tjera në lidhje me pajisjet personale të transportit (9,9%), shërbimet për transport (4,4%)-(ngritje e çmimeve të biletave të transportit ajror), shërbimet telefonike dhe të telefaksit (20,3%), pajisjet audio-vizuale, fotografike për përpunimin e informative (3,1%), pushime të organizuara turistike (15,2%), shërbimet hoteliere (0,8%), shërbimet financiare (4,2%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 4,8 për qind në IHÇK-it.
Ndërsa rënie e çmimeve vërehet te nëngrupi i COICOP-it: pemët (-5,5%), me një ndikim të këtij nëngrupi prej -0,1 për qind në IHÇK-it. /Monitor.al/