Kina është qendra e prodhimit për botën. Përhapja e koronavirusit ndërpreu punën e çdo sektori prodhimi. Vonesat në prodhim çuan tek vonesat në transport. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Carolyn Presutti, aktualisht është e vështirë dhe ndonjëherë e pamundur për të blerë artikuj të caktuar.
Është koha e drekës në restorantin “The Green Pig Bistro” në Virxhinia. Mund të jetë e shtuna më e ngarkur në historinë 10-vjeçare të restorantit. Klientela është rikthyer.
Përveç ushqimeve, ka edhe mungesa të tjera, thotë për Zërin e Amerikës kryekuzhinerja Tracy O’Grady, si një sobë me gaz.
“Kemi mbi dy muaj që presim për një pjesë të sobës. Dhe katër muaj për një frigorifer vere. Mund të jetë në anije, fabrikë apo port ose ka mbetur në një kamion”.
Pandemia ka shkaktuar vonesa të mëdha të produkteve nga Kina. Gjithashtu problemet në portet amerikane kanë detyruar dhjetëra anije kontenierësh të presin për t’u shkarkuar.
Mungesa e punonjësve të shkarkimit dhe hapësirës në magazina ka shkaktuar mungesën e produkteve për konsumatorët. Duket se shumica e amerikanëve po presin për diçka. Lisa Pfenniger thotë për Zërin e Amerikës se pallati ku ajo jeton ka probleme me sistemin e qarkullimit të ajrit:
“Kemi dy javë që presim për pjesët e këmbimit për të riparuar sistemin e ajrimit të ndërtesës ku jetojmë. Të njëjtat probleme kemi me vaskën me ujë të ngrohtë në çatinë e pallatit.”
Disa nëna shqetësohen për dhuratat e Krishtlindjes.
“Kam mbi një vit që dua të blej për fëmijët pajisjen PS-5 (playstation) një lojë elektronike”, thotë për Zërin e Amerikës Lisa Hare.
E njëjta situata është edhe për biçikletat, makinat, atletet e deri tek pajisjet elektronike.
James Sampson zotëron disa dyqane “Wireless Rxx” në zonën e Uashingtonit për riparimin e telefonave. Pothuajse të gjitha pjesët i merr nga Kina. Dërgesat që zgjasnin tre deri në pesë ditë tani marrin tetë javë.
“Përfundimisht ndikon tek klienti. Ndikon tek çmimet që duhet të paguajnë klientët sepse transporti kushton më shumë dhe po zgjatet afati i riparimit të pajisjeve”, thotë ai për Zërin e Amerikës.
Si pronar i një biznesi të vogël, thotë zoti Sampson, nuk mund të konkurroj me bizneset e mëdha që tani po porosisin anijet me mallra për nevojat e tyre.
“Padyshim që do të ketë pasoja afatgjata.”
Presidenti Joe Biden thotë se portet e Kalifornisë kanë rënë dakord të funksionojnë gjatë gjithë kohës, përfshirë fundjavat, për të shkarkuar anijet që presin. Presidenti thotë se Amerika duhet të investojë brenda vendit:
“Vendi ynë dhe ekonomia jonë duhet të jenë në gjendje të prodhojnë produket themelore që nga duhen dhe duhet të ketë qasje tek materialet e nevojshme për këto produkte.”
Kuzhinieria O’Grady pajtohet. Por tani për tani, ajo duhet të mbështetet tek ekonomia globale.
“Nuk jam e sigurt sa do të ndikojë, por sigurisht që na streson dhe më largon vëmendjen nga ato që duhet të bëj me të vërtetë”, thotë ajo.
Sikurse gatimi, në vend të harxhimit të kohës për të blerë pajisje që mungojnë.