Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar propozim vendimin për ndarjen e 30 milionë eurove për të gjithë përfituesit e skemave sociale në vend.
Sipas këtij propozimi, do të ndahen nga 100 euro për secilin përfitues të skemave sociale për muajin nëntor.
Nga ky vendim, sipas ministrit të Financave, pritet të përfitojnë gjithsej 200 mijë pënsionistë përfitues të skemave sociale, 50 mijë familje nga pensionet e luftës dhe 30 mijë pensionistë të kategorive të tjera.
Ministri i Financave Hekuran Murati tha se duke i konsideruar rrethanat të cilat kanë ndikuar në ekonominë e Kosovës, Ministria që ai udhëheq në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike ndaj pandemisë COVID-19, mbështetja 3.2 për pensionistët ka propozuar ndarjen e 30 milionë eurove në ndihmë të skemave pensionale.
Me këtë vendim, synohet mbështetja e kategorive më të cënueshme, pra do të ndahen 100 euro shtesë për nga skema pensionale që paguan shteti, në rastet kur pensioni nuk kalon 500 euro, me ç’rast pritet të përfitojnë 300 mijë.
“Me këtë vendim, synohet mbështetja e kategorive më të cenueshme, pra do të ndajmë 100 euro shtesë për nga skema pensionale që paguan shteti, për deri sa pensioni nuk kalon 500 euro, përkatësisht 300 mijë familje do të përfitojnë nga kjo masë. Do të përfitojnë 200 mijë familje dhe 20 mijë familje nga pensionet e luftës dhe 30 mijë pensionist të kategorive të tjera”, ka përfunduar ai.
Kjo ndihmë është në kuadër të zbatimit të masës 3.2 – Mbështetja për pensionistët dhe familjet me asistencë sociale të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.
Gjithashtu, vendimi i radhës që ka marrë sot miratimin nga kabineti qeveritar, aprovon dyfishimin e pagesës mbi vlerën bazë dhe të shtesave të aprovuara për përfituesit e Skemës së ndihmës sociale për periudhën Nëntor-Dhjetor 2021, në kuadër të zbatimit të masës për mbështetjen e pensionistëve dhe familjeve në asistencë sociale të Pakos së Ringjalljes Ekonomike. /Buletini Ekonomik/