Është vaji ushqimor, një tjetër produkt mjaft popullor dhe i konsumuar më shumë, që ka shënuar ngritje të çmimit në kohët e fundit, krahas ngjitjes së lartë të çmimit të grurit, miellit, bukës dhe shumë produkteve të tjera të konsumit të përditshëm.
Në pothuajse çdo market të kryeqytetit, çmimi i vajit është ngritur për 30 deri në 40 centë.
Kjo ngjan të jetë rritja më e madhe që ka ndodhur ndonjëherw i çmimit të vajrave në Kosovë, përcjell Buletini Ekonomik.
Vaji i lulediellit vazhdon të jetë më i kërkuari nga qytetarët në Kosovë. Çmimi i tij këto ditë është rritur në 1 euro e 69 centë, ndërkohë që disa muaj më parw ka qenë diku 1 euro e 25 centë.
Përveç vajit të lulediellit, ngritje të çmimit ka pasur edhe vaji i misrit i cili tani mund të blihet me 2 euro e 79 centë, por edhe mbi 3 euro litri, ndërkohë që ditë më parw çmimi i tij ka qenë 2 euro e 49 centë.
Vetëm vaji i ullirit sipas menaxherëve të marketeve nuk ka shënuar akoma rritje, pasiqë sipas tyre vaji i ullirit edhe ashtu ka kosto të lartë dhe në tregjet e vajit në vendin tonë konsumohet më pak.
Menaxherët e marketeve në Prishtinë në kushte anonimiteti për Buletinin Ekonomik kanë thënë se kanë marrë paralajmërime nga furnizuesit e tyre që do të ketë akoma ngritje me të madhe të çmimit të vajit dhe çmimeve të produkteve të tjera ushqimore.
“Po kemi paralajmërime nga frunizuesit se mund të ketë rritje edhe me të madhe të çmimeve përfshirë këtu edhe çmimin e vajit edhe produkteve të tjera siç është sheqeri”, ka thënë njëri nga menaxheret e një marketi në Prishtinë.
Sipas tij, kjo është një rritje graduale e cila ka ndodhur për 3 muaj radhazi, ndërkohë që 3 javët e fundit të nëntorit shënuan rritje rekorde.
Edhe sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, (ASK), çmimi i vajit gjatë muajit shtator të 2020-ës ka qenë 1 euro e 6 centë, ndërkohë që në periudhën e njëjtë të këtij viti çmimi është rritur në 1 euro e 54 centë./BuletiniEkonomik/