Kush ka mandat në Kosovë për të kontrolluar shfrenimin enorm të çmimeve

Asnjë ligj, ama asnjë i vetëm i ekonomisë së tregut e lejon tregtarin që stoqet e produkteve të siguruara shumë muaj më parë, apo edhe vit, me heret se shpërfaqja e krizës, dhe me çmime shumë të favorshme dhe të pranueshme ta shfrytëzojnë momentin dhe t’i tregtojnë këto stoqe shumëfish më shtrenjtë, me çmime në përmasa të çrregullimit të tregut.

Mehmet GJATA

Tashmë, gjithçka ka dal në sipërfaqe sa i përket ngritjes enorme dhe evidente të çmimeve të shumë produkteve, sidomos të atyre ushqimore por edhe të shërbimeve prej më të ndyshmeve. Sidomos gjatë nëntorit, që nga fillimi i këtij muaji, më shumë tregtarë, sikur janë pajtuar “me turpin”, dhe nuk e kanë për gjë ngarendjen për të çuar në qiell çmimet e produkteve të tregtuara nga ta, sikur të jenë në gara, kush më shumë dhe kush më shpejtë të thyej rekorde në ngritjen e çmimeve. Më, siç po shihet, te shumë tregtarë kosovarë nuk ekziston ndjenjë keqardhjeje fare ndaj vendimit që shpërfaqë pasoja zingjirore në jetën e përditëshme të shumicës absolute të kosovarëve, ndër to rritjen e numrit të të varfërve në popullsinë edhe ashtu më të varfër në Evropë dhe në rajon, madje.

Reklama e sponzorizuar

Është harruar shpejt, pa një pa dy, ndjesia për të varfërit, banorë shumicë të Kosovës, për shtresat që mezi ia kanë dalë ta përmbyllin muajin me muaj edhe para ngritjes enorme, të vrullshme dhe shumë të egër të çmimeve. Duke qitur në harresë ndjenjën e solidaritetit të njëmendtë, gjatë nëntorit tregtarët ngarendës për zhvatje, manipulime dhe pasurim brenda natës, rrufeshëm i ngritën thuaja të gjitha çmimet e “shportës” së qytetarit. Kësisoj gjatë nëntorit i quan në qiell çmimet e miellit, të bukës, të të gjitha produkteve që kanë për bazë miellin, të vezëve, të vajit ushqimor, të sheqerit dhe të një numri jo të vogël artikujsh elementar ushqimor, duke u arsyetuar edhe me gënjeshtra se prodhuesit nga importohen këto produkte i kanë ngritur ndjeshëm çmimet.

Natyrisht, pati ngritje të arsyeshme, pati ngritje si rrjedhojë e çmimeve të larta të prodhuesve. Por, në shumë raste çmimet e fryra në Kosovë të shumë arrtikujve ushqimorë janë bërë jashtëligjshëm. Dikush mund ta shtrojë pyetjen si jashtëligjshëm, kur është qartë dhe e saktësuar deri në detaje se në ekonominë e tregut, që është ndër parimet qenësore ekonomike në sistemet demokratike kapitaliste, të cilin model qeverisës e ka përqafuar Kosova tash e më shumë se dy decenie, nuk mund të ndërhyhet në ecuritë e çmimeve, me një fjalë nuk kontrollohen ato dhe këto çmime i përcakton dhe i rregullon vetëm parimi i funksionimit të ofertës dhe kërkesës. Të gjitha këto qëndrojnë dhe janë të vërteta, por poashtu është shumë e vërtetë që krahas parimit të ofertës dhe kërkesës, në ekonominë e tregut vlejnë edhe shumë ligje të tjera që drejtpërdrejt, osë tërthorazi kanë ndikim të domosdoshëm në ecuritë e tregut dhe të tregtimit të mallrave. Asnjë ligj, ama asnjë i vetëm i ekonomisë së tregut e lejon tregtarin që stoqet e produkteve të siguruara shumë muaj më parë, apo edhe vit, me heret se shpërfaqja e krizës dhe me çmime shumë të favorshme dhe të pranueshme, ta shfrytëzojnë momentin dhe t’i tregtojnë këto stoqe shumëfish më shtrenjtë dhe në përmasa të çrregullimit evident të tregut.

Të jemi edhe më konkret: në shumë depo të tregtarëve kosovarë ka rezerva të sheqerit, vajit dhe të shumë produkteve të tjera bazike, të siguruara me çmime shumë të volitshme, dhe që në nëntor u ngritën brenda natës deri 40-50 për qind e më shumë? Pse t’i shitet një çaj një prishtinasi në një nga kafiteritë e këtushme sa një kafe ekspreso, kur dihet se çmimi i kafes edhe në berzat botërore edhe te prodhuesit është ngritur shumë, dhe tani te ne tregtohet me përafërsisht çmim përgjysmë më të lartë, nderkohë që çmimi i çajit ende nuk ka njoftime se ka shënuar ndonjë ngritje enorme në vendet prodhuese të çajit. Nuk ka ngritje momentalisht as të rrymës, as të ujit dhe vetëm në ditët e fundit është ngritur çmimi i sheqerit. Pra produktet e domosdoshme për servimin e një çaji nuk kanë ndryshuar, ndërkohë që çmimi i tij është bërë marramendës aty këtu në kafiteritë e kryeqytetit. Por nuk është vetëm ky produkt që manipulohet me çmimin e tij. Ka edhe shumë të tjerë.

Prandaj, jo rastësisht agresiviteti në ngritjen kaq egërsisht të çmimeve si dhe dukuria e shpërfaqur manipulative dhe zhvatëse e një numri tregtarësh ka shqetësuar shumë kënd, këtu, në këtë vend të varfër, edhe ndonjë krer institucional, ndër ta edhe kryeministrin e vendit, Albin Kurti, i cili duke numëruar shkaqet reale të ngritjes së këtoditëshme të çmimeve, apostrofoi si një nga faktorët edhe “spekulantët e ndryshëm që bëhen profiterë të krizave”. Por reagimi i kryeministrit sikur mbeti i vetmuar gjithë këtë kohë. Pra, ngritjen kaq të rrufeshme të çmimeve të shumë produkteve me ndikim në mënyrën e jetesës së kosovarëve dhe në varfërimin e mëtejshëm të tyre, si rrjedhoje e çmimeve enorme të ushqimeve bazë, sikur po e heshtin në një farë mënyre ose po reagojnë si pa zë dhe paqartë institucionet kompetente dhe që e kanë detyrë të bëjnë këtë. Një reagim i djeshëm i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, (AKK), ku janë adresuar ankesa lidhur me këtë çështje, nëpërmjet një deklarate për medie ishte fare i mefshtë, pa ndonjë qëndrim të prerë. “as mish as peshk”, siç thuhet . Ata shumë lehtë “i çuan duartë” duke deklaruar se AKK nuk ka mandat që të rregullojë çmimet e ndonjë produkti ose shërbimi. Sipas tyre, mandati themelor i AKK-së është mbrojtja e konkurrencës së lirë si parakusht për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe kjo nënkupton që AKK vepron kur cenohet, pengohet ose shtrembërohet konkurrenca në treg. Dhe shtrohet pyetja ç’cenim, ç’pengesë apo ç’shtrembërim tjetër nevojitet për të reaguar në kuadër të kornizave të mandatit për shitjen e stoqeve të produkteve ushqimore me çmimet e ngritura aktuale? “Më konkretisht, Autoriteti i Konkurrencës mund të reagojë në ato raste kur ndërmarrjet veprojnë në mënyrë të koordinuar (pra, nëse një veprim i tillë është rezultat i marrëveshjes së tyre eksplicite, përmes formës se kartelit-marrëveshjes së ndaluar apo sjelljeve te tyre ne treg – praktikës së bashkërenduar). Gjithashtu, AKK mund të reagojë edhe ndaj ndërmarrjeve që kanë pozitë dominuese në treg dhe të cilët keqpërdorin këtë pozitë”, shkruan në njoftimin e tyre në facebook. Në deklaratën e AKK-së thuhet ndër të tjera edhe “se pas rrethanave të krijuara me çmimet e disa produkteve, AKK ka intensifikuar monitorimin e tregjeve për t’u siguruar që ndërmarrjet nuk janë duke e shkelur Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës përmes praktikave të përmendura sipër”. Por nuk thuhet se është shkelur, apo jo ky ligj, në sa raste ka hasur AKK-ja në shkeljen e ligjit, kush janë shkelësit. Këto përgjigje është e obliguar t’i bëjë AKK-ja dhe për këtë paguhen nga taksat e qytetarëve që duhet të paguajnë edhe çmimet e fryra. Ndryshe, më mirë do të ishte të heshtte siç nuk u ndie fare deri tani.

Edhe ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati në konferencën e përbashkët me kryeministrin Albin Kurti dhe prodhuesit vendor, duke folur edhe për rritjen e çmimeve në vend ia ka përkujtuar AKK-së mandatin duke thënë fjalë për fjalë “se me çështjen e rritjeve të çmimeve në Kosovë duhet të merret edhe Inspektorati i Tregut por edhe Autoriteti i Konkurrencës”. Ai ka shtuar se kudo që vërehet që ka pasur manipulime me çmime të produkteve, do të merren institucionet përkatëse. “Normalisht që me këto çështje duhet të merret edhe Inspektorati i Tregut por edhe Autoriteti i Konkurrencës dhe kudo që ka pasur ose kudo që vërehet që ka pasur manipulime të tilla, pra ekziston dhe korniza ligjore që do të merret me këto çështje”, tha atë ditë decidivisht Murati. Por, gjithsesi, nuk e kanë vetëm Inspektorati i Tregut por edhe Autoriteti i Konkurrencës për detyrë problemin e rritjes në përmasa kaq të mëdha të çmimeve. E kanë për detyrë dhe për obligim këtë çëshje shumë më shumë subjekte dhe institucione kosovare. Prandaj, duhet të sqarohen saktësisht mandatet e institucioneve edhe në ditët e vështira dhe jo vetëm në marrjen e rrogave të jenë të saktësuara këto mandate. Sidoqoftë, nuk mund ta mohoj askush në Kosovë se kemi rritje të pakontrolluar, agresisisht manipulative të çmimeve, dhe fatkeqësisht kemi edhe varfëri pafundësisht të theksueshme. Të shpresojmë që masat e ndërmarra nga Qeveria Kurti 2 për rimekëmbje ekonomike, që dorën në zemër, nuk janë të pakta dhe nuk janë edhe aq modeste do të ndikojnë edhe në zbutjen e pasojave nga ngritja kaotike e tronditëse e çmimeve. Ndërsa, një kontroll më efikas nga institucionet kompetente të shfrenimit të mëtejshëm të çmimve, gjithnjë në kuadër të ligjit dhe të normave e rregullativës së ekonomisë së tregut do të ishte e mirëseardhur, por edhe e mirëpritur nga kosovarët, mbase edhe e domosdoshme.