Rreth 92 mijë aplikime për shtesat për fëmijë dhe lehona

Për afër 2 muaj që kur u hap aplikimi për Shtesat e Fëmijëve dhe Lehonave, numri i aplikimeve ka arritur afër 92 mijë.

Nga 16 shtatori i këtij viti e deri më tani, për Shtesat e Fëmijëve, kanë aplikuar 87 mijë e 391 persona.

Ndërkaq, për Shtesa për Lehona deri tani kanë aplikuar 4 mijë e 420 lehona.

Reklama e sponzorizuar

“Që nga hapja e aplikimit më 16 shtator, në total kemi pranuar 87,391 aplikime për Shtesa për Fëmije dhe 4,420 aplikime për Shtesa për Lehona. Kryesisht, për shkak të validimeve të sistemit, aplikimet nuk kanë ndonjë problem”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Financave për Front Online.

Nga kjo Ministri thonë se problemet më të shpeshta që kanë hasur gjatë aplikimeve kanë qenë gabimet që janë bërë me llogaritë bankare.

Por edhe në ato raste kur ka gabime të tilla, MF-ja thotë se aplikuesja mbështetet në mënyrë retroaktive në muajin vijues.

“Problemet e vetme të cilat i kemi hasur lidhen me gabime në llogaritë bankare, mirëpo këto raste evidentohen dhe ju dërgohet një email nga sistemi eKosova, ashtu që gabimi të përmirësohet dhe pagesa të rezultojë e suksesshme në muajin vijues. Në raste të tilla, kur ka gabime në llogari bankare dhe pagesa nuk realizohet në muajin e aplikimit, aplikuesja mbështetet në mënyre retroaktive në muajin vijues”, thuhet më tej në përgjigjen e Ministrisë së Financave.

Aplikimi për shtesat për Lehonat dhe Fëmijët është hapur më 16 shtator të këtij viti.