ATK thirrje ndaj bizneseve: Pajisuni me arka fiskale dhe lëshoni kuponë fiskal

Administrata Tatimore e Kosovës

Administrata Tatimore e Kosovës njofton të gjithë personat të cilët merren me aktivitete afariste, se në bazë të legjislacionit tatimor aty ku nuk kërkohet të lëshohet faturë tatimore, janë të obliguar që të pajisen me Pajisje Elektronike Fiskale (PEF), gjegjësisht Sistem Fiskal(SF) dhe të lëshojnë Kuponë Fiskal.

Në njoftimin e tyre në facebook thuhet se aktivitetet e ATK-së, në vazhdimësi, do të përqendrohen te tatimpaguesit nga të cilët: Kërkohet të fiskalizohen, por nuk janë të pajisur me PEF/SF; Janë të pajisur me PEF/SF, por nuk lëshojnë Kuponë Fiskal; si dhe Lëshojnë kuponë jo-fiskal dhe përdorin pajisje jo-fiskale.

Në kuader të kësaj, ATK-ja u bënë thirrje të gjitha bizneseve që të pajisen me pajisje fiskale dhe të lëshojnë Kuponë Fiskal pasiqë sipas tyre disa nga veprimtaritë, si: tregti, prodhim, shërbim, shëndetësi, hoteleri, arsim, transport, artistike-zbavitëse, dhe ndërmarrje të tjera nuk e zbatojnë këtë obligim.

Reklama e sponzorizuar

ATK gjithashtu inkurajon të gjitha kategoritë e lartpërmendura që t’i përgjigjen në mënyrë të saktë kërkesave ligjore, në të kundërtën do të aplikohen ndëshkimet administrative, ashtu siç janë përcaktuar me legjislacionin tatimor.

“Me kryerjen e detyrimeve tuaja tatimore, ju do të kontribuoni direkt në financimin e programeve qeveritare siç janë: ofrimi i shërbimeve publike, arsimim me standarde të larta, mirëqenie shëndetësore dhe sociale, mbrojtje ligjore dhe siguri, si dhe infrastrukturë të përgjithshme për një mirëqenie më të mirë ekonomike dhe shoqërore. Krijo mirëqenie të përgjithshme, merr Kuponin Fiskal!”, shkruan në njoftimin e tyre.(Blendrita Avdiu)/Buletini Ekonomik/