Banka e Shqipërisë ka kryer së fundmi një anketim për matjen e shkallës së përdorimit të terminologjisë “lek i ri – lek i vjetër”, përmes përfshirjes së disa pyetjeve në anketën për matjen e kulturës financiare të popullsisë shqiptare.
Rezultatet e mbledhura nga anketa tregojnë se, të vendosur përballë një kartëmonedhe 500 Lekë, më shumë se 54% e të intervistuarve instinktivisht e lexojnë apo e identifikojnë gabim vlerën e saj, duke i shtuar një 0 për ta kthyer në “lek të vjetër”. Situatat apo ambientet në të cilat të anketuarit shprehen se flasin rëndom, në mbi 80% të rasteve, me “lek të vjetër”, janë kryesisht ambientet joformale apo familjare, dyqanet e vogla apo tregjet e fruta-perimeve, bisedat me familjarë, miq dhe kolegë; të ndjekur nga mjetet e transportit publik. Nga ana tjetër, të dhënat dëshmojnë se komunikimi i gabuar i vlerës së lekut ndodh shumë më rrallë në institucione financiare (banka, jobanka etj.) me vetëm 28.1%, apo në zyra të administratës publike (39.4%).
Përveç institucioneve shtetërore dhe financiare, një faktor tjetër vendimtar që e ndikon mënyrën e komunikimit të publikut është edhe media, si ajo e shkruar ashtu edhe ajo audio-vizuale. Sipas perceptimit të 20% të publikut, mediat i komunikojnë gjithmonë ose shpesh çmimet dhe vlerat monetare në “lekë të vjetër”. Sipas Bankës së Shqipërisë, kjo përqindje, megjithëse e ulët, nxjerr në dritë nevojën për më shumë përfshirje të mediave në përpjekjen për ta zhdukur plotësisht këtë fenomen, veçanërisht duke pasur parasysh detyrimin e saj për përcjelljen e informacionit të vërtetë dhe të saktë tek publiku, si dhe rolin edukativ të saj.
Sipas grupeve sociale dhe demografike, rezultatet e vrojtimit tregojnë se vlerën monetare në “lek të vjetër” e komunikojnë më shpesh meshkujt, personat e moshuar, individët me nivel më të ulët arsimor, individët joaktivë në tregun e punës, si dhe ata me nivel të ulët të të ardhurave familjare.
Për shkak të përdorimit të gabuar të terminologjisë në identifikimin e vlerës së monedhës vendase, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë një fushatë ndërgjegjësuese, e cila do të shtrihet në kohë dhe do të synojë të jetë sa më gjithpërfshirëse, duke prekur grupe të ndryshme interesi.
Guvernatori, Gent Sejko, tha sot se më një periudhë afatmesme dhe përmes kanaleve të shumëllojta, Banka e Shqipërisë synon të trokasë në dyert e të gjithë shqiptarëve për çrrënjosjen e termave “i ri” apo “i vjetër”, duke shmangur konfuzionin në komunikimin e çmimeve dhe në leximin e treguesve ekonomikë e financiarë.
“Fakti që ky keqpërdorim është trashëguar në të folurën e përditshme dhe i ka rezistuar kohës për mbi 55 vjet, dëshmon që përpjekjet sporadike dhe të izoluara të një institucioni të vetëm për ta korrigjuar fenomenin, nuk mjaftojnë. Nevojitet një angazhim i përbashkët dhe i koordinuar mes institucioneve qendrore të vendit, mediave dhe aktorëve të tjerë relevantë. Veçanërisht i rëndësishëm për suksesin e kësaj fushate është roli i medias, e cila me fuqinë e përçimit të mesazheve në publik, ka aftësinë të ndikojë mendësinë dhe normën e komunikimit të publikut të gjerë. Një tjetër aktor me rëndësi për krijimin dhe ngulitjen e një mendësie të re, ka edhe shkolla, e cila mund të ndikojë në ndërprerjen e një zinxhiri 55-vjeçar dhe mos përcjelljen e tij tek brezi i ri,” tha Sejko.
Reforma monetare e vitit 1965 solli zëvendësimin e kartëmonedhave të mëparshme Lek me kartëmonedha të reja, në raportin 10 me 1, duke ndryshuar në të njëjtën shkallë shprehjen e çmimeve, pagave dhe të çdo veprimi tjetër financiar. Por, megjithëse ka kaluar më shumë se gjysmë shekulli, një pjesë e mirë e publikut nuk është përshtatur ende me këtë ndryshim dhe komunikon me “lekë të vjetër”, duke shkaktuar konfuzion në komunikimin e çmimeve të mallrave dhe shërbimeve dhe leximin e drejtë të treguesve ekonomikë e financiarë. /Monitor.al/