Shqipëri-Kosovë, çfarë po i rrit shkëmbimet mes dy vendeve?

Shqipëria dhe Kosova kanë njohur një rritje të konsiderueshme të shkëmbimeve tregtare mes tyre. Referuar të dhënave të publikuara nga INSTAT, rezulton se Shqipëria ka eksportuar në Kosovë këtë 10 mujor mallra në vlerë 30.9 miliardë lekë duke njohur një rritje me 10 miliardë lekë në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Efekt në shifra ka luajtur edhe pandemia pasi vitin e kaluar, masat parandaluese penguan zhvillimin e normal të shkëmbimeve. Edhe sa i përket importeve, këtë 10 mujor shifra është më rritje. Në periudhën janar-tetor 2021, Shqipëria importoi nga Kosova mallra në vlerë 10 miliardë lekë, duke njohur rritje me 4 miliardë lekë.

 

Reklama e sponzorizuar

Por cilat janë mallrat që po ndikojnë më shumë në këtë rritje?

Referuar të dhënave nga Instat, Shqipëria po eksporton në Kosovë më shumë minerale, lëndë djegesë dhe energji elektrike, produkte kimike dhe plastike si dhe materiale ndërtimi dhe metale.

Nëse i analizojmë në mënyrë më të detajuar, rezulton se Shqipëria këtë vit ka eksportuar në Kosovë rreth 7 miliardë lekë minerale, lënde djegëse dhe energji elektrike, duke njohur rritje me 3.1 miliardë lekë më shumë se 1 vite më parë.

Sa i përket produkteve plastike dhe kimike Shqipëria ka eksportuar 2.6 miliardë lekë, duke njohur rritje me 800 milionë lekë në krahasim me një vit më parë.

Sa i përket materialeve të ndërtimit dhe metaleve, Shqipëria ka eksportuar në Kosovë 14.3 miliardë lekë duke njohur rritje me rreth 5 miliardë lekë. Po ashtu, edhe grupmallrat makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi kanë njohur rritje me 600 milionë lekë më shumë se vitin e kaluar./Scan tv/