Sektori bankar rriti më tej fitimin me 1.8 miliardë lekë për muajin tetor. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë një vijimësi të përmirësimit të performancës financiare këtë vit. Për 10-mujorin 2021, fitimi neto arriti vlerën e rreth 17.8 miliardë lekëve, me rritje prej 41% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Fitimi i sektorit bankar për këtë periudhë të vitit është njëkohësisht më i larti që prej vitit 2017. Edhe treguesit e rentabilitetit paraqiten në përmirësim krahasuar me vitin e kaluar. Kthimi nga kapitali aksioner arriti në 12.77%, nga 9.62% që kishte qenë për 10-mujorin e vitit 2020. Kthimi nga aktivet ka arritur në 1.39%, nga 1.09% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Këto të dhëna bazohen në standardet e mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë dhe kanë kryesisht një vlerë orientuese për tendencën e performancës së sistemit. Standarde ligjore të raportimit për bankat janë Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (IFRS), por ato janë të disponueshme vetëm me bazë tremujore. Sidoqoftë, edhe sipas IFRS, deri tani përmirësimi i performancës së bankave është i dukshëm. Mbështetur në të dhënat e 9-mujorit të publikuara nga Shoqata Shqiptare e Bankave, me standardet IFRS sektori bankar po regjistron fitimin më të lartë të dekadës së fundit.
Vitin e kaluar, fitimi i bankave pësoi një rënie të ndjeshme, për shkak të një qasjeje konservatore që ato ndoqën me provigjionimin. Pandemia dha një goditje të rëndë në ekonomi dhe në mënyrë logjike bankat rritën parashikimet për humbje nga kreditë në modelet e tyre të provigjionimit. Por, në fakt efektet e krizës në cilësinë e portofolit të kredisë deri tani kanë rezultuar mjaft të kufizuara. Të dhënat kanë treguar se deri në fund të muajit shtator provigjionet kanë pësuar një rënie të ndjeshme. Sipas Bankës së Shqipërisë, deri në fund të muajit shtator vlera e provigjioneve për kreditë ka pësuar rënie me 84% krahasuar me një vit më parë (gjithnjë sipas standardeve lokale të raportimit). Rënia e provigjioneve ka ndikuar direkt në rritjen e fitimit të bankave krahasuar me vitin e kaluar, por edhe me vitet pararendëse.
Këto të dhëna tregojnë se ulja e vazhdueshme e raportit të kredive me probleme po reflektohet gradualisht në përmirësimin e përfitueshmërisë së bankave. Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit tetor niveli i kredive me probleme zbriti në 6.35%, niveli më i ulët në 13 vjet. Rritja e përfitueshmërisë është një parakusht i rëndësishëm për stabilitetin afatgjatë të sektorit dhe për mbështetjen e nevojshme të ekonomisë me kreditim, por edhe për ta bërë sektorin bankar më tërheqës për investitorë strategjikë.
Kjo bëhet edhe më e rëndësishme në kushtet kur bankat po përballen me rritjen graduale të kërkesave për kapital nga Banka e Shqipërisë. Në vitet e fundit, sistemi është përballur me largimin e disa prej grupeve të rëndësishëm bankare të Eurozonës, që ka sjellë një proces konsolidimi dhe rritjen e peshës së investitorëve lokalë dhe rajonalë. Shumica e bankave janë shitur me çmime relativisht të ulëta dhe nën vlerën e kapitalit të tyre aksioner, pikërisht për shkak të keqësimit të performancës financiare në periudhën e pas krizës së vitit 2008./E.Shehu