Kompania SOWI Kosovo ka njoftuar se ka ndërtuar gjeneratorin “Wind Park Selac 3” për prodhim të energjisë elektrike nga era me kapacitet 34.47 MegaWatt (MW) në Selac të Komunës së Mitrovicës.
Po ashtu, kompania njofton palët e interesit se ka aplikuar në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE) për licencim të aktivitetit të prodhimit të energjisë elektrike në vend.
“Aplikacioni për licencim të aktivitetit të prodhimit të energjisë elektrike është në proces të vlerësimit final nga Zyra e Rregullatorit për Energji. Operatori gjithashtu është në pritje të lejes mjedisore nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor”, thuhet në njoftim.
Pas licencimit nga Zyra e Rregullatorit për Energji, i licencuari mund të kryej aktivitetin e prodhimit të energjisë elektrike në Kosovë, në pajtim me dispozitat e licencës, Rregullës për Licencimin e Aktiviteteve të Energjisë në Kosovë dhe legjislacionit tjetër në fuqi.
Në fund, të gjithë palët e interesuara mund të kundërshtojnë dhënien e kësaj licence brenda tetë ditë pune, nga data e shpalljes së këtij njoftimi.
Kundërshtimi apo ankesa mund të bëhet në adresën: Zyra e Rregullatorit për Energji, rruga “Dervish Rozhaja” numër 12, Prishtinë, apo në e-mail: hrexhaj@ero-ks.org dhe telefon: +38338247615/118.