Kjo është pasuria e deklaruar Ramush Haradinajt

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, po del të jetë goxha i pasur. Dy shtëpi banimi, banesë, tokë, veturë e qindra mijëra euro para të gatshme është pasuria që posedon i pari i Qeverisë. Por, Haradinaj ka edhe një kredi në vlerë rreth 200 mijë euro, raporton Express.

Haradinaj në regjistrin e pasurisë ka deklaruar se posedon një shtëpi banimi në vlerë prej 300 mijë eurosh, të cilën e ka lëshuar me qira, një shtëpi tjetër banimi e cila kushton rreth 200 mijë euro dhe një banesë në vlerë të 70 mijë eurove.

Reklama e sponzorizuar

Poashtu, Haradinaj ka deklaruar se ka në pronësi edhe një truall që kushton mbi 27 mijë euro. Si pasuri të përbashkët, ai e ka deklaruar Kullën, që sipas tij kushton 270 mijë euro, dhe një tokë kodrinore në vlerë 75 mijë euro.

Si pasuri të paluajtshme, Haradinaj e ka deklaruar veturën e bashkëshortes, e cila ka një kosto prej 8 mijë eurosh.

Në bazë të regjistrimit për deklarimin e pasurisë, Haradinaj po del të ketë edhe borxhe të mëdha. Ai e ka një kredi në vlerë prej 133 mijë euro, të cilën e ka marrë për blerjen e shtëpisë e që pritet ta lajë në vitin 2031.

Ai ka edhe obligim tatimor në vlerë mbi 14 mijë euro, si dhe 20 mijë euro të tjera që i ka marrë kredi për banesë. Ndërkohë, që nuk i mungojnë as paratë e gatshme. Haradinaj ka deklaruar se i ka rreth 70 mijë euro para të gatshme në banka.

Të hyrat vjetore të tij e kapin shifrën e 100 mijë eurove. Haradinaj merr mbi 73 mijë euro nga qiraja, 32 mijë euro të tjera nga paga mujore si kryeministër, dhe 2 mijë e 700 euro pension invalidor.

Edhe bashkëshortja e kryeministrit po del se fiton goxha shumë. Anita Haradinaj merr rreth 8 mijë euro nga RTK-ja, 12 mijë euro nga kompania Elsig dhe 12 mijë euro të tjera nga Agjencia e marketingut “Vibe”.