Europa Lindore nën trysninë e inflacionit

Fotografi ilustruese

Matei Susnea ka udhëtuar nëpër rrugët e ngrira të Bukureshtit, duke kërkuar një pemë Krishtlindjesh që ai mund ta përballojë financiarisht, por ndërkohë që çmimet e mallrave vazhdojnë të rriten, ai ka frikë se familja e tij do ta festojë fundvitin pa një pemë.

Ashtu si miliona të tjerë, ky punëtor ndërtimi 42-vjeçar, po ndjen goditjen e rritjes së inflacionit që ka pushtuar gjithë Europën Qendrore dhe Lindore, si pasojë e ndërprerjeve të zinxhirit të furnizimit, shtrëngimit të tregjeve të punës dhe presionit në rritje të pagave.

Mesatarisht, çmimet e mallrave kryesore në rajon po rriten me shpejtësinë më të madhe që prej një dekade, rreth 7% në krahasim me një vit më parë dhe në disa raste, edhe më tepër. Në kryeqytetin e Rumanisë, pemët e Krishtlindjeve janë 20% deri në 30% më të shtrenjta.

Reklama e sponzorizuar

“Tashmë, shuma njëqind lei (pothuajse 23 dollarë) është shumë për mua. Duket se do të jetë e pamundur që të blejmë një pemë Krishtlindjesh për këtë vit”, tha babai i dy fëmijëve, Susnea. “Çmimet janë rritur shumë shpejt”. Bankat qendrore të rajonit, të cilat që nga qershori, kanë qenë të parat në Bashkimin Europian që rritën normat e interesit, këmbëngulin ende se mund të shmanget rritja afatgjatë e çmimeve të mallrave.

Por, duke vërejtur ato që ekonomistët dhe bankierët qendrorë i quajnë efektet dytësore të inflacionit, pagat tashmë po rriten dhe punëdhënësit dhe konsumatorët kanë filluar të ndryshojnë qëndrimet e tyre.

“Shumë faktorë që nxisin inflacionin janë kalimtarë, por… nëse prirjet e inflacionit vazhdojnë për një periudhë afatgjatë, kam frikë se do të hyjmë në një cikël të ri”, tha Sandor Baja, menaxher i përgjithshëm i kompanisë Randstad në Hungari.

“Mendoj se punëdhënësit do të kenë nevojë të rrisin pagat në nivele dyshifrore mbi mesataren e vitit të ardhshëm. Kjo është edhe për shkak të situatës së tregut të punës.

Në Republikën Çeke, një e pesta e punonjësve janë gati të ndryshojnë punë nëse pagat e tyre nuk rriten në paralel me çmimet, zbuloi një sondazh i nëntorit nga agjencia STEM/MARK. Ndërkohë, më shumë se gjysma e firmave industriale do të rrisin çmimet me mbi 5% vitin e ardhshëm, tregoi një anketë e biznesit në tetor.

Buxhete me shpenzime të mëdha?

Të dhënat më të fundit e përcaktojnë inflacionin afërsisht në nivelin 7% në të gjithë rajonin, dhe inflacioni do të shënojë nivelin më të lartë në dy dekada në Poloni, nivelin më të lartë në 13 vjet në Republikën Çeke dhe në Rumani, dhe nivelin më të lartë në 14 vjet në Hungari.

Parashikimet e Bankës Qendrore tregojnë se inflacioni do të arrijë mesatarisht në nivelin 6% në këto katër shtete vitin e ardhshëm, dhe në të gjithë rajonin, kjo është mesatarja më e lartë që nga kriza financiare e vitit 2008.

Analisti i ekonomisë, James Reilly, parashikon se presionet e çmimeve do të vazhdojnë t’i mbajnë të larta nivelet e inflacionit në Europën Lindore deri në vitin 2023, ku vetëm çmimet e ushqimeve do ta rrisin nivelin me një pikë përqindje shtesë në vitin 2022.

Rritjet e mëtejshme të normave të interesit do të kenë efekt zbutës, tha ai, por buxhetet me shpenzime të mëdha, veçanërisht në Poloni dhe Hungari, mund të rrisin përsëri presionin.

Ekonomistët thonë se uljet e taksave për naftën, gazin dhe energjinë elektrike të shpallura nga qeveria polake, do të ndikojnë në frenimin e inflacionit në fillim të vitit 2022, por politika e dhënies së parave për familjet mund ta rrisë atë më vonë gjatë vitit.

Shumë konsumatorë polakë e ndiejnë tashmë efektin e ndryshimit të çmimeve. “Ai vërehet më së shumti në blerjet e përditshme, perimet, frutat dhe prodhimet e tjera. Njerëzit zakonisht caktojnë një buxhet paraprak”, tha banorja e Varshavës, Izabela Sarnocinska. “Kur shkoj në dyqan dhe blej gjërat e zakonshme, tani, në vend të shumës 150 zloty, paguaj 200 zloty”.

Kaskada e inflacionit

Në Hungari, Banka Qendrore ka pranuar se inflacioni është në një shkallë të lartë për shkak të çmimeve të energjisë dhe karburantit. Food for Life, një shoqatë bamirësie që ofron ushqime falas për më shumë se 13,000 hungarezë të varfër, është detyruar të zvogëlojë sasinë e mallrave ushqimore që ofron, për shkak se çmimet “janë tepër të larta”.

Ndërkohë, një shoqatë hungareze e materialeve ndërtimore, ka rritur çmimet e mallrave me 10% deri në 20%, për shkak të kostove më të larta të energjisë dhe transportit. Në një treg të Budapestit, dikush thotë se tani po shpenzon rreth 100,000 forinta (310 dollarë) në muaj, afërsisht sa dy të tretat e pensionit mesatar, vetëm për ushqime.

“Unë nuk kam llogaritur saktësisht se sa më shumë kushton gjithçka”, tha 62-vjeçari Zsoka, i cili nuk pranoi të jepte mbiemrin. “Di vetëm se tani mund të blej shumë më pak se më parë, për të njëjtën shumë parash”./Reuters/