Unioni i Turizmit të Kosovës (UTK) ka reaguar pas njoftimit të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) se nga 1 janari 2022 furnizimet e mallrave dhe shërbimeve në veprimtarinë hoteliere, restorante dhe shërbime të ushqimit, do tatohen sipas normave të përcaktuara me Ligjin në fuqi për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), dhe jo siç kishte qenë deri më tash, sipas normës së reduktuar prej 8 për qind të bazuar në Ligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike nga pandemia COVID-19.
Në reagimin e UTK-së thuhet se këto politika janë në kundërshtim me strategjitë zhvillimore për sektorin e turizmit dhe atë të hotelerisë, veçanërisht në rrethana pandemie.
“Rikthimi i TVSH-së nga 8 për qind në 18 për qind është politikë e gabuar dhe do ta shkatërron këtë sektor shumë të rëndësishëm të ekonomisë dhe punësimit. Të gjitha shtetet e kanë të ndryshme TVSH-në nga ajo standard me atë të akomodimit sepse pjesa e akomodimit ndikon rreth 40 për qind në Paketën Turistike, kjo i bie që do të ngriten çmimet edhe ashtu të larta të akomodimit dhe do të ndikojë edhe te agjencitë tour-operatore sa i përket paketave turistike. Pra, do të jemi jokonkurrent me shtetet tjera Ballkanike dhe Evropiane dhe kjo do të ndikojë direkt tek ulja e numrit të turistëve”, thuhet në reagim.
UTK ka apeluar Qeverinë e Kosovës që të lë në fuqi normën e TVSH-së 8 për qind, ashtu siç është paraparë me Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike.
“I bëjmë thirrje Qeverisë dhe institucioneve përgjegjëse të rishikojnë vendimin sepse janë duke e shkatërruar një industri të tërë”, përfundon reagimi.