Sipas rritjes enorme të konsumit të energjisë elektrike, praktikisht, nga viti në vit, parashihet se kërkesa për rrymë do të dyfishohet në 30 vjetët e ardhshme. Prandaj, bota, por edhe shtetet e varfëra të Ballkanit janë kaq të angazhuara për të siguruar më shumë energji elektrike. Po ne, ku gjendemi në këto preokupime për të pasur më shumë dhe më shpejtë energji elektrike? Siç po shihen dhe po zhvillohen punët, ka gjasa të mos jemi asgjëkundi. Asnjë hap, as më i vogli konkret nuk është bërë tashmë rreth kësaj çështjeje.
Mehmet GJATA
Kriza globale energjetike ka mobilizuar shumë shtete të botës, të Europës, por edhe të Ballkanit të varfër që të mendojnë më shumë, më realisht dhe më konkretisht për t’iu qasur sa më shpejtë që është e mundur ngritjes së kapaciteteteve të reja energjetike në bazë të resurseve dhe potencialeve vetanake.
Varësisht nga potenca financiare dhe nga resurset e natyrës, shumë shtete janë përcaktuar për ngritje të shpejta të kapaciteteve të reja, për rindërtimin e atyre ekzistuese, si dhe për shumëfishuar kapacitetet për prodhimin e energjisë të rinovueshme dhe të asaj nukleare, sado që kur është fjala te kjo energji, shumë centrale bërthamore anekënd Europës edhe po mbyllen fare.
Siç njoftojnë mediat e fqinjve tanë, ndërmarrja energjetike shtetërore e Malit të Zi, Elektroekonomia e Malit të Zi (EPCG), ka filluar përgatitjet për ndërtimin e tri termocentraleve të gazit me kapacitet total të instaluar prej 400 megavatësh. Lajmin e ka bërë të ditur balkangreenenergyneës, ku është raportuar se furnizimet me gaz mund të sigurohen nga depozitat e gazit në Detin Adriatik. Elektroekonomia e Malit të Zi planifikon që të ndërtojë një termocentral hibrid me kapacitet të paktën prej 50MW afër qytetit të Tivarit, bazuar në turbina të gazit me mundësinë e përdorimit të burimeve të ripërtëritshme, si dhe një termocentral të gazit të kombinuar me një kapacitet prej të paktën 150MW. Ndërkaq, termocentrali i tretë me burim gazi, me një kapacitet deri në 200MW, është parashikuar që të instalohet afër qytetit të Plevlës.
Në mënyrë që të përgatisë dokumentet e nevojshme për investimet, EPCG ka shpallur një tender në fund të dhjetorit 2021, për selektimin e një konsulenti i cili do të angazhohet për përgatitjen e një studimi me zhvillimin e zgjidhjeve teknike dhe studimeve preliminare të fizibilitetit. EPCG synon që të përgatisë një strategji për të inkorporuar burime të ripërtëritshme të energjisë me operimet e termocentralit të gazit dhe poashtu potencialisht të konvertojë ato në impiante me zero emetime të CO2.
Tubacioni i gazit Adriatik-Jonian (IAP), si dhe një tubacion gazi që do të lidhë Malin e Zi me Serbinë pranë Prijepoljes, janë opsione për furnizimet me gaz, kanë thënë zyrtarët malazezë.
Edhe në Maqedoninë e Veriut tashmë janë marrë vendime për zbatimin e masave për sigurimin e sasive shtesë të energjisë elektrike. Qeveria e Maqedonisë, në faqen e saj në Facebook, njoftoi se ka miratuar vendimet për ndryshimin e ndarjes së mjeteve në pjesën e posaçme të përcaktuar me Buxhet për zbatimin e masave për ballafaqim me krizën në furnizimin me energji elektrike.
Ndërsa, Qeveria greke do të shpenzojë 400 milionë euro shtesë për të mbështetur familjet dhe bizneset në përballimin e rritjes së çmimeve të energjisë muajt e fundit, ka deklaruar kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis. Ky plan së shpejti do të mbështetet nga një tjetër plan, që do të trajtojë kursimet e energjisë në përgjithësi. Plani i ri do të subvencionojë zëvendësimin e pajisjeve të vjetra elektrike, të cilat më pas do të riciklohen.
“Qëllimi ynë është që të gjitha shtëpitë greke të funksionojnë me pajisje elektrike moderne dhe më ekonomike,” ka thënë Mitsotakis.
Vizione e plane konkrete për ta përballuar krizën energjetike kanë bërë tashmë publike edhe shtete të tjera nga rajoni (Serbia, BeH, Shqipëria), të cilat, po ashtu, pak a shumë janë të varfëra.
Ndërkohë, sipas Komisionerit Evropian për Tregun e Brendshëm, Thierry Breton, termocentralet bërthamore ekzistuese në BE do të kenë nevojë rreth 50 miliardë euro në investime deri më 2030 dhe rreth 500 miliardë euro deri në 2050 për gjenerim të ri të impianteve të tilla. Lajmin e ka bërë të ditur balkangreenenergyeës, ku është raportuar se mesatarja e investimit deri në 2050 i bije rreth 20 miliardë euro në vit që do të orientohen drejt zhvillimit të kapaciteteve të energjisë bërthamore.
Në të gjitha këto vizione, parashikime dhe plane për të pasur sa më shpejtë energji elektrike, pos krizës aktuale energjetike që ka përfshirë botën, ka ndikuar edhe rritja enorme e konsumit të energjisë elektrike. Sipas shkallës të rritjes enorme, praktikisht, nga viti në vit, parashihet se kërkesa për energji elektrike do të dyfishohet në 30 vjetët e ardhshme. Prandaj, bota, por edhe shtetet e varfëra të Ballkanit janë kaq të angazhuar për të siguruar energji elektrike. Po ne, ku gjendemi në këto preokupime për të pasur më shumë dhe më shpejtë energji elektrike? Siç po shihen dhe po zhvillohen punët, ka gjasë të mos jemi asgjëkundi.
Asnjë hap, as më i vogli konkret, nuk është bërë tashmë rreth kësaj çështjeje. Akoma nuk është sqaruar saktësisht se a do të bëhet dhe a do të nisë ndonjëherë rindërtimi i termocentraleve Kosova A (blloqeve A3, A4 dhe A5) siç tha Qeveria dhe në njëfarë mënyre u miratua edhe nga KEK-u. Nuk u sqarua pra, se a ia vlen të investohet në rindërtimin e këtyre termocentraleve të stërvjetruara, a ka potencë financiare Kosova për t’i bërë vet, me mjete vetanake, investimet për t’i rindërtuar këto termocentrale, në rast se institucionet ndërkombëtare financiare dhe shtetet e BE-së nuk japin më para, siç kanë deklaruar tashmë shumë herë, për kapacitete energjetike në bazë të thëngjillit. Nuk dihet, sepse askush akoma nuk e ka sqaruar fare se a ka mundësi Kosova t’i përballojë sanksionet e botës, që do të aplikohen sipas paralajmërimeve si taksë për çdo megavatë të prodhuar nga qymyri.
Qeveria aktuale duhet të jetë shumë më e vendosur dhe më impenjative në synimet për të ndërtuar kapacitete të reja të energjisë së rinovueshme. Pse nuk vendoset më shpejtë për të ndërtuar kapacitete të reja në vendet e identifikuara si të mundshme për prodhimin e energjisë në bazë të erës. E këto vende nuk janë edhe aq të pakta dhe të papërfillshme.
Siç ka njoftuar disa herë tashmë Buletini Ekonomik, pos parkut të energjisë me erë në Shalë të Bajgorës, me kapacitet 105 megavatë, i cili në fund të vitit të kaluar është finalizuar dhe tashmë gjendet në prodhim dhe projektit në Kitkë të Gjilanit, që është në prodhim tani 2 vjet, parqe të energjisë me erë mund të ndërtohen edhe në Çyçavicë, në Zatriq, në Budakovë dhe në Kozhicë. Këto vende tashmë janë të verifikuara për mundësitë reale për të ndërtuar parqe të reja të energjisë së erës me goxha kapacitete premtuese.
Ose, pse nuk ka përpjekje, ose ato nuk po bëhen fare publike, për ndërtimin e kapaciteteve të energjisë solare gjithndej ku ka mundësi. Dhe ndër mundësit që akceptojnë ekspertët janë sipërfaqet e mëdha të tokave përgjatë autostradave tona, që tashmë nuk i kemi të pakta. Në këto sipërfaqe, nuk asgjësohet toka e bukës dhe ato vlerësohen si goxha të favorshme për panele solare.
Këto punë mund t’i bëjë Kosova, qoftë edhe me varfërinë prezente që nuk e mohon askush. Kosova ndërtoi autostrada kolosale dhe shumë të kushtueshme edhe kur ishte akoma më e varfër seç është tani. Gjithsesi mund ta ndërtojë një nga kapacitetet e akceptuara më lartë po të jetë e vendosur dhe të ekzistojë vullneti politik. Vetëm me hedhjen e fajit te qeveritë e kaluara për situatën aktuale energjetike, nuk tejkalohet kjo gjendje. Kosova, pra, kur mundi të ndërtojë autostrada shumë të kushtueshme, mund të ndërtojë edhe ndonjë kapacitet të ri të energjisë së rinovueshme, qoftë në bazë të erës, qoftë në bazë të diellit, që kushton jo më shumë se 150 milionë euro. /Buletini Ekonomik/