Planet e BE-së për të klasifikuar disa investime të energjisë bërthamore si të qëndrueshme vazhdojnë të provokojnë debat, pasi presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen dhe kancelari gjerman Olaf Scholz kanë shfaqur pikëpamje të kundërta në lidhje me këtë çështje.
“Për ta thënë qartë: përdorimi i energjisë bërthamore nuk është i qëndrueshëm, madje nuk ka as kuptim ekonomik”, tha sot Scholz në parlamentin e Berlinit.
Energjia bërthamore ishte një rrugë më e shtrenjtë, për të cilën shumë gjëra janë ende të paqarta”, tha Scholz. Vendimi i Gjermanisë për të ndaluar gradualisht përdorimin e industrisë së saj të energjisë bërthamore dhe për të shmangur çdo rrezik që lidhet me një aksident bërthamor ishte “i drejtë”, tha ai.
Komentet e Scholz-it i referohen në mënyrë specifike një plani të Komisionit Evropian për të kategorizuar investimet në disa centrale bërthamore dhe të gazit si “të qëndrueshme” në të ardhmen.
Propozimi është kritikuar ashpër nga socialdemokratët e Scholz-it dhe partnerët e tij të koalicionit, të Gjelbrit.
Ndërsa propozimet e komisionit nuk ka gjasa të bllokohen në Bruksel, ato vazhdojnë të provokojnë debat në disa vende të kontinentit.
Von der Leyen, ish-ministre gjermane e Mbrojtjes i tha gazetës ‘Zeit’ se, energjia bërthamore dhe gazi ishin ende një pjesë e rëndësishme e Evropës.
“Do të na duhen, për sa kohë që nuk ka mjaftueshëm energji të rinovueshme”, tha ajo, duke konfirmuar mbështetjen e saj të plotë për planet e komisionit. /atsh/