Është nënshkruar sot marrëveshja për implementimin e projektit “Aftësitë për Tregun e Punës”, i cili synon që të rrisë numrin e të rinjve të punësuar përmes aftësimit profesional në Kosovë.
Kjo marrëveshje u nënshkrua nga ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, drejtori i GIZ në Kosovë, David Oberhuber dhe nga udhëheqësi i projektit, Tobias Seiberlich.
Projekti që bashkëfinancohet nga Qeveria e Kosovës dhe ajo gjermane, synon rritjen e numrit të të rinjve të punësuar në Kosovë përmes përmirësimit të arsimit dhe aftësimit profesional, orientimit në karrierë dhe përmes përmirësimit të qasjes së të rinjve në shërbimet e tregut të punës.
Ky projekt ka për qëllim mbulimin e katër fushave kryesore, siç janë: orientimi sistematik në karrierë në sistemin arsimor të mesëm të ulët, promovimi i përfshirjes sistematike të sektorit privat në Arsim dhe Aftësim Profesional, zvogëlimi i hendekut në mes të arsimit profesional dhe kalimit në tregun e punës, si dhe orientimi në karrierë me anë të politikave dhe strategjive përkatëse.
Ndërsa sa i përket bashkëpunimit me Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, projekti synon angazhimin e praktikantëve në Agjencinë e Punësimit, angazhimin e trajnerëve sipas nevojave të Qendrave për Aftësim Profesional, zhvillimin e kapaciteteve të QAP-ave dhe implementimin e skemës së kuponëve të trajnimeve për punëkërkuesit.
Gjatë fjalës së tij me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes, ministri Murati vlerësoi lartë bashkëpunimin në mes të palëve duke u shprehur se “bashkëpunimi i ngushtë me Qeverinë gjermane është shumë i rëndësishëm në mënyrë që bashkërisht të krijojmë perspektiva më të mira përmes një pjesëmarrje aktive në tregun e punës në vend.”
Në fund, palët nënshkruese u zotuan që do të vazhdojnë bashkëpunimin ndërmjet dy qeverive në arritjen e qëllimeve për përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës. /Buletini Ekonomik/